Kurti i ftoi në hotel në Prevallë, shumica e kryetarëve të komunave e “bojkotojnë” takimin - NACIONALE

Kurti i ftoi në hotel në Prevallë, shumica e kryetarëve të komunave e “bojkotojnë” takimin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një thirrje e kryeministrit Albin Kurti i ka mbledhur kryetarët e komunave të Kosovës në një hotel në Prevallë. Në mbledhjen ku morën pjesën udhëheqës komunalë nga parti të ndryshme, është diskutuar për drejtësinë dhe ekonominë.

Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e pjesës më të madhe të kryetarëve të komunave. Kishte pak kryetarë komunash nga PDK, LDK e AAK, ndërsa Lista Serbe e bojkotoi tërësisht këtë ngjarje të organizuar nga ekzekutivi kosovar. Disa prej kryetarëve shqiptarë dërguan zëvendëskryetarë apo përfaqësues të tjerë në takim.

Të vetmit që u përgjigën pozitivisht në shumicë, ishin kryetarët e komunave nga VV, e cila parti drejton vetëm katër komuna.

Duket se thirrjes së të parit të ekzekutivit, gjysma e kryetarëve të komunave i janë përgjigjur me bojkot. E refuzim absolut ndaj ftesës së kryeministrit Kurti erdhi nga Lista Serbe.

Në bazë të fotove të postuara në profilin e kryeministrit në Facebook, nuk ishte asnjë kryetar komune nga partia më e madhe serbe në Kosovë. Duket se marrëdhënia aspak e mirë e Kurtit me Listën Serbe vërehet edhe në mungesën e këtyre të fundit në takimin në Prevallë.

Në fotografinë “familjare” të publikuar nga Kurti, në fakt, shihen shumë pak kryetarë të komunave.

Gazeta Nacionale ka arritur të identifikojë jo më shumë se 10 kryetarë komunash.

Në fotografi vërehet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ishte personi që e mposhti VV-në në kryeqytet. Në garën për timonin e kryeqytetit, Rama e ‘sakatoi’ elektoralisht të preferuarin e Kurtit, doktorin Arben Vitia, i cili nuk arriti t’i fitojë zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Megjithatë, Rama e Kurti nuk është se u mungon “kimia” ndërpersonale. Në një takim të prillit të këtij viti, këta dy ishin parë shumë të lumtur në prani të njëri-tjetrit. Fotoja e publikuar, kishte ngjallur dyshime se Rama po kalonte në Vetëvendosjen e Kurtit.

Normalisht, kryetarët e paktë komunalë që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ishin prezentë. 3 nga 4 kryetarët që vijnë nga VV ishin në takimin që e ftoi Kurti.

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, “çlirimtari” i Shtimes, Qemajl Aliu, dhe i pari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, iu përgjigjën pozitivisht Qeverisë Kurti. Në këtë takim, në bazë të fotove të publikuara nga kryeministri Kurti, mungoi vetëm kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Arsyeja e mungesës, nuk dihet publikisht.

Edhe PDK e LDK, që udhëheqin me më së shumti komuna, nuk ishin në numër të madh.

Aty mungoi kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, që është qyteti i dytë më i madh për nga numri i banorëve në Kosovë. Totaj ishte fitues i garës për zgjedhje lokale, duke e mposhtur Mytaher Haskukën e VV-së në raundin e dytë.

Edhe Agim Aliu, kryetar i Ferizajt nga PDK, mungoi në takim. Kujtojmë që ai e kishte “shkërrmoqur” krejt kandidatin e VV-së për këtë komunë, Valon Ramadani, i cili nuk arriti të fitojë ndonëse premtoi organizimin e festivalit Miss Gjyshja.

Ani pse së fundmi e quajti ekspert, Bedri Hamzaj nga PDK, që drejton Mitrovicën e Jugut, nuk u shfaq në takim. Aty shkoi dyshi i tij, Arian Tahiri.

Por, humori me gjasë duhet të ketë qenë në nivel, pasi që pjesë e takimit ishte kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, që njihet për batutat e tij.

Ndërsa nga AAK, aq sa shihet në foto, prezentë ishin dy kryetarë komunash. Smajl Latifaj e Zenun Elezaj, që udhëheqin me Rahovecin e Klinën respektivisht.

Nga minoritetet, shihet kryetari i Mamushës, Abdylhadi Krasniç, që vie nga komuniteti turk i Kosovës.

Ndryshe, në takim krahas Kurtit ishte edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, e ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në postimin e Kurtit, thuhet se qeveritarët e komunarët diskutuan për drejtësinë dhe ekonominë.

“Të drejtat e njeriut, ato civile dhe të pakicave e bëjnë shoqërinë bashkë. Ashtu sikurse liria që nuk dhurohet por fitohet, as drejtësia nuk jepet, por duhet të vendoset. Po punojmë që ta ndërtojmë një sistem që vendosë drejtësi të bazuar vetëm në ligj. Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti, as grup më të fuqishëm se Republika, e rrjedhimisht asnjeri mbi ligjin apo anash tij”, shkroi Kurti.

Në fund, shefi i ekzekutivit deklaroi se i ka dëgjuar me vëmendje krerët e komunava, duke regjistruar me kujdes kërkesat dhe nevojat e tyre.

Lajme të ngjashme