“Kurti i bindi aleatët që të drejtat e serbëve s’respektohen, prandaj edhe Asocacioni aq i pasur me garanca”: Çka zbuloi Haradinaj për Statutin? - NACIONALE

“Kurti i bindi aleatët që të drejtat e serbëve s’respektohen, prandaj edhe Asocacioni aq i pasur me garanca”: Çka zbuloi Haradinaj për Statutin?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Përplot me materie vetëqeverisje dhe autonomie politike për serbët e Kosovës draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe e publikoi ish-Drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, ndërsa nga opozita një vështrim jo lehtë të kapërdishëm rreth saj e dha Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës, në emër të konfidencialitetit të bisedimeve nuk shpaloi asgjë rreth draftit teksa nxituan ta shpallin thjesht “me shikim sipërfaqësore” në përputhje me Kushtetutën e Kosovës; ndonëse thanë se “me germën po, me frymën jo”.

Në këtë Statut të publikuar nga Ramadani, që Nacionale përmes burimeve të saj ka arritur ta verifikojë si drafti autentik i sjellur nga pesë emisarët më 21 tetor, për referencë është futur edhe Rezoluta 12/44; gjë që asnjëherë nuk ka qenë rasti.

Për këtë referencë më së ashpri ka reaguar ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili në një seri kolumnesh të botuara në Gazetën Express, ka shkruar se “futja e Rezolutës 1244, së bashku me ligjet, si bazë për interpretim të kushtetutshmërisë së Autonomisë serbe, dhe garantimi i njëkohshëm i integritetit territorial e sovranitetit territorial të Kosovës, nuk është veçse një cinizëm brutal i barasvlershëm me bashkimin e barotit me zjarrin. Rezoluta 1244 garanton integritetin e sovranitetin territorial të Serbisë, jo të Kosovës (sic!)”.

Haradinaj, pas takimin me ndërmjetësin sllovak Miroslav Lajçak – për këtë të fundit Statuti “nuk i shkel vijat e kuqe të palëve” – tha në Rubikon se “dokumenti është bukur i pasur me përmbajtje” dhe se “nuk di më se çka tjetër mund të përfshihet aty”.

Por, pse erdhi deri të një dokument me përmbajtje kaq të thellë e të gjerë vetëqeverisjeje për serbët, dhe saktësisht nga kundërshtari më i madh i më shumë se një dekade i këtij "institucioni"?

Haradinaj, e pati një shpjegim. Thotë se Kurti “arriti t’i bindë bashkësinë ndërkombëtare që të drejtat e serbëve në Kosovë nuk respektohen”.

Besoj që menaxhimi jo i mirë i Dialogut nga Kryeministri Albin Kurti; qasja jo e duhur në njëfarë mënyre mbërrijti me i bind palët tjera që të drejtat e serbëve të Kosovës nuk respektohen nga Kosova. Në njëfarë mënyre i bindi aleatët tanë që garancat duhet me qenë të qarta, të sakta, të shkruara”, tha Haradinaj.

Por, edhe më shqetësuese, ai tha se “Asociacioni ashtu si e kam lexuar, është kujdesur që me i garantu këto për afatgjatë, ato mbesin gati përjetësisht”.

Mendoj se qasja jo e drejtë e Kurtit edhe ato porositë që të drejtat e serbëve të Kosovës nuk përfillen ose nuk respektohen mjaftueshëm nga Kosova, dhe që kërkohet garancë për të ato të drejta, ose garancë të re, ka ndiku që ato mu identifiku dhe të gjitha me qenë të listume edhe me pas garanca ndërkombëtare që ato në të ardhmen me qenë të drejta që i parasheh Asociacioni”, shtoi Haradinaj.

Është një lloj dokumenti mjaft konkret, një lloj akti ligjor në vete, me historikun e vet, nenet veç e veç, shpjegimin e organeve, përgjegjësive, institucioneve...”.

Nacionale ka provuar të marrë përgjigje nga Partia Demokratike e Kosovës, rreth këtij Statuti por nga bashkëbisedues brenda partisë na është thënë se janë duke e analizuar në tërësi për të dalë me qëndrim të plotë partiak.

Reagime ndaj Statutit

Gazetari Lirim Mehmetaj, i cili ka qenë tejet vokal në zbërthimin e logjikës politike dhe juridike të këtij dokumenti, në një bisedë me Nacionale rreth këtij Statuti na thotë se “nuk ka nevojë të jesh ekspert i çështjeve juridike dhe konstitucionale për ta parë të vizatuar shtetin brenda shtetit”.

Është autonomi edhe më e fortë se ajo e Tirollit Jugor”, thotë i bindur Mehmtetaj, “sepse kjo ka edhe kompetencën e sigurisë”.

Është Asociacioni që vendos për komandantin e policisë, gjë që s'e ka as Tiroli. Gjykata Kushtetuese me siguri se do ta rrezojë, nëse ka kredibilitet dhe profesionalizëm; e unë besoj qe i ka të dyja”, ka thënë Mehmetaj.

Ish-Drejtori i AKI-së, Burim Ramadani, me ta publikuar draftin tha se Kosova “duhet të fitojë diçka të madhe” në rast të jetësimit të asaj që jepet në letër, ngase “ky Draft-Statut është shumë i gjerë i thellë dhe serioz që komepetencat që ia atribuon Asociacionit”.

Por, mbi të gjitha, shumë serioz në mundësinë që ia jep Serbisë që të funksionojë brenda Kosovës. Dhe kjo sidomos në arsim dhe shëndetësi, kujdes social, në financim dhe donacione, e të ngjashme”.

Për Mehmetajn, ky nuk është Draft apo Statut, “por, Kushtetutë e Asociacioanit”.

Ishte e vërtete që s'është Zajednicë e vitit 2013, por shtet etnik brenda shtetit multietnik të Kosovës. S'kish referenca shumë as në 2013 dhe as në 2015, sepse edhe 2013 edhe 2015 shumë te buta për çka ish Super Zajednica e vitit 2023. Ah po, me Nenin 42, pikat 1,2,3,4 dhe 5 vendoset qëGjykata Kushtetuese e Kosoves nuk është instanca që bën interpretimin final kur Qeveria e Asociacioni kanë mospajtime rreth Statutit dhe interpretimit te tij, por është një Komision Arbitrues që shefin e komisionit e vendos BE-ja”.

Në Nenin 43 thotë se komandanti rajonal i katër komunave serbe duhet të jetë serb, pra përzgjedhet etnikisht. Çka s'kish në këtë Statut, ç‘ka s'kish”, ka përfunduar Mehmetaj.

Për këtë statut, ka reaguar edhe Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili tha se është “i frikshëm” dhe që “gjymton funksionimin e shtetit dhe perspektivën e shoqërisë!”.

E lexova Draftin e Asociacionit të publikuar nga Burim Ramadani. Nga shumë burime po del që ky është drafti që iu është prezantuar palëve. Është i frikshëm. E gjymton funksionimin e shtetit dhe perspektivën e shoqërisë. Asnje asociacion nuk është i mirë, por ky që u publikua sot ështe katastrofë”, shkroi Molliqaj.

Ndërkaq edhe filozofi dhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, draftin e k aquajtur “legalizim dhe bekim faktik i pushtetit të Serbisë në Kosovë”.

Mbetet të shihet a është ky draft-statuti i Asociacionit. Deri më tani Qeveria e Kosovës ka heshtur. Por nëse është ky, atherë çdo gjë është e bërë e qartë edhe sa i përket konceptit te njohjes de facto. Ajo qenka legalizim dhe bekim faktik i pushtetit të Serbisë në Kosovë. Asgjë më shumë. Kurse marrëveshjet e trumbetuara më të madhe sikur se ajo e Brukselit dhe Ohrit që e parashohin zbatimin e vet menaxhimit për komunitetin serb, e pasken vetem rolin e paravanit për të njohur ndërkombëtarisht Asociacionin”, ka shkruar Kasolli në Facebook.

Lajme të ngjashme