Kurti ende hedh vicka: Jam me Evropën e jo me amerikanët
Edhe në ditët e fundit të mandatit, qeveria e Kurtit po jep sinjale antiamerikane.
Këtë e ka bërë edhe përmes refuzimit të fundit që Kurti i bëri mundësisë për t’u takuar me përfaqësues të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Për analistë serbë, një veprim si ky është “mjaft i pazakontë” dhe, si i tillë, mund të interpretohet si mesazh për BE-në që Kurti nuk është ‘lojëtar amerikan’ në Ballkanin Perëndimor.
Në një prononcim për portalin Kosovo Online, historiani serb Stefan Radojkoviq ka thënë se refuzimi i Kurtit është në kundërshtim me praktikën e gjertanishme të shqiptarëve karshi Amerikës.
“Një lëvizje mjaft e pazakonshme, diçka që nuk i përket praktikës së popullatës shqiptare, veçmas në Kosovë, e cila, sipas kërkimeve të mia, ka lobuar gjallërisht në Washington dhe administratën amerikane së paku prej viteve ‘80”, ka thënë ai.
Si shpjegim të parë, Radojkoviq ka nënvizuar faktin te qasja ideologjike e Vetëvendosjes se shqiptarët “duhet të vendosin për fatin e tyre”.
“Në anën tjetër, Kurti ndjesohet si dikush që ka më tepër mbështetje prej Berlinit, së paku në pesë ose gjashtë vitet e fundit, dhe jo edhe aq prej ShBA-së, sidomos prejse administrata e re e Trumpit erdhi në Washington. Në këtë kuptim, Kurti mund të jetë duke dërguar mesazhe për partnerët e tij evropianë se ai është ‘lojëtari i tyre’ në Ballkanin Perëndimor dhe se ai beson se do të ketë një rishpërndarje letrash në skenën ndërkombërtare, e kështu ai mund të ketë ndihmë më të madhe e më konkrete prej aleatëve evropianë”, ka thënë Radojkoviq.
Tutje, ai ka shtuar se lobi shqiptar po vazhdon punën e vet në ShBA sipas traditës për të anuar më shumë kah Partia Demokratike.
“Gjatë adminsitratës së Bidenit, lobi ekzistues shqiptar në ShBA ishte sigurisht më i fortë për shkak se ai mbështetej që prej viteve ’90 në ‘traditën’ e Partisë Demokratike, e cila vërtet ishte e favorshme për lobin shqiptar”, ka thënë Radojkoviq.
Por, sipas tij, edhe brenda Partisë Demokratike ka pasur ndryshime, ku përfaqësues të vjetër, si Eliot Engel, janë tërhequr prej jetës politike, kurse demokratët e rinj nuk janë edhe aq me ndikim dhe partia e tyre tanimë nuk është në pushtet.
Radojkoviq ka bërë edhe një dallim midis lobit serb dhe atij shqiptar.
Sipas tij, administrata e Trumpit nuk është as proshqiptare e as proserbe, por “sigurisht ata kanë më tepër vesh për ne”.
“Ajo çfarë nuk po ecën për lobin shqiptar është se çështja e Kosovës nuk është lart në agjendën e administratës së Trumpit. Ne po e shohim që pikat kyçe janë Lindja e Mesme, Ukraina dhe Kina. Në këtë kuptim, ata tani për tani nuk kanë edhe aq shumë ndikim sa kanë pasur më parë”, ka përfunduar Radojkoviq.