Kurti "eliminon" edhe njeriun që e mbronte me trupin e tij nga arrestimi, Isaku tërhiqet nga gara - NACIONALE

Kurti "eliminon" edhe njeriun që e mbronte me trupin e tij nga arrestimi, Isaku tërhiqet nga gara

1 vit më parë

nga NACIONALE

Nijazi Isaku, deptutet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka hequr dorë nga kandidimi për kryetar të Qendrës së VV-së në Viti. Ndonëse, për katër vite udhëhoqi partinë në këtë qytet, tash z.Isakut i është kërkuar largimi nga gara, me pretekstin se i njëjti votoi kundër projekt-kodit civil muaj më parë. As e kaluara e tij 17-vjeçare në VV, e as afërsia me kryetarin Albin Kurti, nuk e “ndihmoi” Isakun për t’i shpëtuar vorbullës së “spastrimeve”.

“Spastrimet e mëdha” brenda partiake kanë prekur edhe Qendrën e LVV-së në Viti.

Në fakt, siç mëson gazeta Nacionale, ishte vet Kurti ai që ia kërkoi dorëheqjen nga gara Isakut, duke i theksuar se në pyetje është uniteti i partisë.

Por, burimet e Nacionales theksojnë se Isaku u “eleminua” për shkak të lidhjeve të fuqishme që kandidati tjetër, Arsim Ademi, ka me qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dorëheqja

Një takim i javës së kaluar në objektin qendror të LVV-së në Prishtinë, ishte determinues për garën e brendshme të Qendrës së VV-së në Vitit.

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, mëson Nacionale, e takoi Nijazi Isakun, deputet i VV-së nga Vitia, dhe njëherit figura kryesore e kësaj parti në këtë qytet të Anamoravës. Në takim, Kurti i kishte kërkuar Isakut të ofrojë dorëheqjen nga gara.

Kurti i ka thënë që duhesh me u tërhjek nga gara për kryetar të VV-së në Viti, sepse është koha për unitet, e jo për përçarje”, thekson ky burim.

Në takim, Kurti ka përmendur edhe votimin e Isakut kundër projekt-kodit civil, e ku parashiheshin bashkësitë civile të seksit të njëjtë.

E Kurti i ka premtuar z.Isakut, që është një nga bashkëpunëtorë më të vjetër të tij në VV, se do ta rikandidojë për deputet.

Siç mëson Nacionale, përtej pretekstit të projekt-kodit civil, “eleminimi” nga gara i Isakut ka ardhur për shkak të në bashkëpunimi të Ademit me zëvendësministrin e Bujqësisë, Imri Demelezi dhe sekretaren organizative, Vlora Haxhimehmedi.

Të gjithë këta kanë qenë kategorikisht kundër Isakut, ndonëse deputeti Isaku ka mbështetjen e shumicës së asamblistëve dhe pikave të VV nëpër komunën e Vitisë”, tha tutje Burimi.

Nacionale ka kuptuar që Isaku tashmë është dorëhequr nga gara e brendshme, teksa Arsim Ademi ka mbetur në garë i vetëm, në një proces aspak demokratik.

Për këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar me Isakun, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Kush është Nijazi Isaku?

Nijazi Isaku është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nga Vitia. Në katër vitet e fundit, Isaku ka udhëhequr Qendrën e VV-së në këtë qytet, duke e sjellur në prag të fitorës në zgjedhjet e fundit lokale.

Në fakt, kjo qendër në vazhdimësi ka qenë ndër më të organizuarat në Kosovë, duke nxjerrë dy deputetë, pasi që krahas Isakut, edhe Mirlinda Tishukaj kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete.

Nijazi Isaku u lind më 22 nëntor 1981, në Viti. Ka kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Vijoi studimet postdiplomike në drejtimin Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik në Universitetin “Hasan Prishtina”. Ai punon në Ndërmarrjen Publike Banesore Sh.A., Prishtinë, në pozitën e Sekretarit Korporativ, që nga viti 2014.”, thuhet në biografinë e Isakut të publikuar nga VV.

Isaku është një aktivist i vjetër i VV-së, në të cilën parti ishte anëtarësuar qysh në vitin e largët 2005.

Sipas biografisë të publikuar nga VV, Isaku aktivitetin në parti e ka filluar qysh prej themelimit.

Angazhimin politik në Lëvizjen VETËVENDOSJE! e ka që prej themelimit të saj, nga viti 2005. Ka qenë Sekretar Organizativ i Qendrës për një mandat, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm për dy mandate. Tani është zgjedhur Kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti. Ai poashtu është zgjedhur si asambleist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Vitisë në zgjedhjet 2017.”, thuhet tutje në biografi.

Isaku ishte parë në shumë protesta të VV-së, e madje duke ndihmuar Kurtin të mos arrestohej nga Policia e Kosovës gjatë protestave e aksioneve politike.

Por, saktësisht 17 vitet e angazhimit të Isakut në VV, nuk i mjaftuan Kurtit për të mos e eleminuar nga gara për Qendrën në Viti.

Ndërsa, Ademi qe tash pritet ta udhëheq LVV-në në Viti, është i anëtarësua së fundmi në këtë parti, duke kandiduar për kryetar të Vitisë në zgjedhjet e fundit lokale, e të cilat i humbi ka kundërkandidati i LDK-së, Sokol Haliti.

Kujtojmë që Nacionale në vazhdimësi ka shkruar për spastrimet në VV, e të cilat lidhen me votën e qëndrimet kundër projekt-kodit civil.

Lajme të ngjashme