Kurti e shihte "shpëtim" heqjen e TVSh-së në kohë stabiliteti ekonomik, refuzon prekjen e saj në kulmin e krizës - NACIONALE

Kurti e shihte "shpëtim" heqjen e TVSh-së në kohë stabiliteti ekonomik, refuzon prekjen e saj në kulmin e krizës

1 javë më parë

nga Flakon Demaku

Kosova po përballet me një valë të paprecedentë të shtrenjtimit të jetesës, nga produktet bazike deri te kriza e çmimeve të derivateve. Por, në vend të zgjidhjeve konkrete ekonomike, qytetarët së fundi morën leksione të një arrogance politike po aq të paprecedentë nga vetë kryeministri Albin Kurti.

Në realitetin e inflacionit kumulativ që ka kapërcyer mbi 30 për qind që nga fillimi i mandatit të Albin Kurtit në vitin 2021, dhe ku çmimet e derivateve kanë shënuar rritje marramendëse prej mbi 40 për qind vetëm nga fundi i shkurtit 2026, nevoja për ndërhyrje shtetërore me masa konkrete është bërë më urgjente se kurrë.

Përballë këtij rreziku serioz për një efekt zinxhiror në të gjitha çmimet, kërkesat e opozitës dhe të akterëve ekonomikë kanë qenë heqja e përkohshme e akcizës dhe lehtësimi i TVSh-së për derivatet, si masë emergjente.

Por, seanca e fundit e Kuvendit nuk nxori në pah asgjë tjetër përveç absurditetit dhe kontradiktave serioze në politikat ekonomike. Kurti e shndërroi foltoren në arenë për të demonstruar superioritetin e tij politik, duke shpërfillur, nga fillimi deri në fund, kërkesat e opozitës.

Në vend që t’i përgjigjej krizës me argumente fiskale dhe me masa konkrete, Kurti zgjodhi t’u përgjigjej deputetëve të opozitës me performancë elektorale gjatë debatit në seancën e jashtëzakonshme.

Kreu i qeverisë shpërfilli çdo kërkesë të opozitës me një argument thellësisht cinik: "Gjithmonë keni kërkuar herë hiqe akcizën, herë TVSH-në, nuk e kom bo asnjërën, kom fitu veç ma shumë, a po kuptoni."

Pos arrogancës së të qenit në pushtet, nga deklarata e Kurtit ekspozohet edhe një kontradiktë serioze, porsa ballafaqohet me të kaluarën politike të vetë kryeministrit. Para se të merrte drejtimin e ekzekutivit, Kurti deklaronte se pikërisht heqja e TVSh-së për produktet bazë, si buka, vaji dhe sheqeri, do të ishte rruga e duhur për t’i shpëtuar qytetarët nga varfëria.

“Tash këtu janë dy probleme, problem i parë është se kur thatë që po më jepni këshilla, ju tashmë jeni të gatshëm që këshilla mund të mos merret në konsideratë për t’u zbatuar, sepse është veçse këshillë. Unë nuk ju kam juve këshilltare, unë këshilltarët i kam të tjerë. U tha që duhet të hiqet akciza, TVSh-ja, ose të dyja. Të nderuar deputetë, nuk është hera e parë që e kërkoni këtë gjë prej qeverisë sonë, jam kryeministër për herë të tretë, gjithmonë keni kërkuar herë hiqe akcizën, herë TVSH-në, nuk e kom bo asnjërën, kom fitu veç ma shumë, a po kuptoni. Pra edhe populli nuk është për atë që po më këshilloni, dhe unë përfaqësoj një politikë tjetër.” – deklaroi Kurti në Kuvend.

Madje, në atë kohë Kurti ngrinte alarmin për inflacion prej vetëm 3 për qind, në një periudhë kur Kosova gëzonte stabilitet makroekonomik dukshëm më të madh sesa gjatë krizës së vitit 2022 apo asaj që po përjeton sot.

“Sheqeri nga 72 cent bëhet 62 cent, qumështi nga 91 cent bëhet në 78 cent, vaji nga 1 euro e 23 cent bëhet në 1 euro e 6 cent. Sepse ne duam që nevojave elementare tua heqim Tvsh dhe t’i lirojmë”, deklaronte Kurtit opozitar.

Sot, kur inflacioni kumulativ është shumëfish më i lartë se atëherë dhe kur produktet bazë kanë pësuar rritje marramendëse, Kurti argumentoi se heqja e akcizës apo ulja e TVSh-së për derivate"nuk është zgjidhje".

Kujtojmë se ekonomia e Kosovës po përballet njëkohësisht me ngadalësim të rritjes dhe me përshkallëzim të inflacionit, sipas vlerësimit të ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në raportin e konsultimit vjetor, FMN-ja konstaton se "aktiviteti ekonomik është ngadalësuar, ndërsa presionet inflacioniste janë intensifikuar", duke ia atribuuar këtë gjendje një viti të tërë bllokade politike.

Rritja reale e ekonomisë ra në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind sa ishte një vit më parë, ndërsa për vitin 2026 parashihet të zbresë edhe më poshtë, në vetëm 3.3 për qind. Në të njëjtën kohë, inflacioni mbetet ndër sfidat më serioze me të cilat përballet ekonomia. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e inflacionit arriti 6.0 për qind në shkurt të vitit 2026, duke vijuar një përshkallëzim të pandërprerë: nga 4.7 për qind në shtatorin e vitit të kaluar, në 5.8 për qind në janar, e deri në nivelin aktual.

Lajme të ngjashme