Kurti dha “model kroat” për pakicën serbe, kroatët kërkojnë të njihen si pakicë në Kushtetutë të Kosovës - NACIONALE

Kurti dha “model kroat” për pakicën serbe, kroatët kërkojnë të njihen si pakicë në Kushtetutë të Kosovës

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Mu në kohën kur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte paraqitur një “draft-Vizion” të frymëzuar në “modelin kroat” për pakicën serbe si mundësi e realizueshme në një format për Asociacoin të Komunave të banuara me shumicë serbe, koincidoi ta bënte një vizitë në Kosovë ministri i jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman. Pashmangshëm, në konferencë për media, ministrit kroat do t’i kërkohej të komentonte këtë “model kroat”. Tashmë një model i tillë ishte futur gjerësisht në diskursin publik. Një model i pranueshëm nga Kurti, kishte ngjallur kërshërinë edhe të mbështetësve të tij.

Radman nuk u lëshua në vlerësime të prera se sa i përshatshëm ose i duhur është “modeli kroat” për rastin specifik në Kosovë, por që megjithatë tha se “ndoshta” mund të shërbejë si model. Megjithatë, “ekzistojnë modele të shumta nëpër botë”, tha ministri.

Ky model (kroat) ka rezultuar me sukses (në Kroaci), por ekzistojnë modele të shumta në botë, por sa mund të përshtatet varet edhe nga shtetet (...) për të gjithë ata që dëshirojnë, ekzistojnë shumë (modele) të tjerë. Ne mbështesim çdo reszultat dhe marrëveshje që është rezultat i dakordimit”.

Konfuzionit vinte fillimisht nga faktin se pakica serbe në Kroaci nuk formon enklava me shumicë serbe siç është veriu i Kosovës, por se janë të shpërndarë në qytete të mëdha si Zagrebi e Rijeka. Andaj edhe analogjia ishte e pakapshme. Megjithatë “modeli kroat” tingëllonte i butë për vesh dhe paramendohej si i pranueshëm.

Po atë ditë, ministri kroat i jashtëm, do të vizitonte pakicën kroate në Kosovë në Janjevë të Lipjanit. Aty ku kroatët e llogarisin diasporën kroate më të hershme të regjistruar në histori. Radman foli gjerësisht rreth komunitetit kroat në Kosovë, por edhe raportit të shtetit kroat ndaj pakicave kroate e në veçanti rreth “enklavës më të vjetër të Dubrovnikut, Janjevës”.

Krijimi i lidhjeve të menjëhershme me Kroacinë ka forcuar ndjenjën e tyre se edhe ata janë pjesë e popullit kroat, për më tepër diaspora e tij më e vjetër historikisht, dhe Kroacia atdheu i tyre”, shkroi Radman gjatë vizitës atje.

Kujdesi për kroatët, ishte i prerë Radman, “është pjesë integrale e politikës edhe të brendshme edhe të jashtme të Kroacisë”. Për shkak të kësaj, lajmëronte ai, dialogu me shtetin e Kosovës sa i përket pakicës kroate “bëhet në baza të rregulta”.

Dialog për çka? “Për problemet dhe pozizën e pakicës kroate në Kosovë. Në secilin takim ne këtë ua theksojmë”.

Ndonëse kishte kohë pa u përmendur, Radman e risolli në vëmendje. Kroatët, kërkoi ai, duhet që shteti i Kosovës t’i njohë si pakicë kombëtare me Kushtetutë të Kosovës.

Duam që kroatët në Kosovë të kenë të gjitha të drejtat që gëzojnë shqiptarët në Kroaci, e kjo në rend të parë është që t’u sigurohet siguria personale dhe mbrojtja e pronave, përmirësim i infrastrukturës, dhe që kroatët të njihen si pakicë kombëtare në Kushtetutën e Kosovës”, e përfundoi ai shkrimin në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Në Janjevë jetojnë rreth 300 kroatë etnikë ndërsa shqiptarë etnikë në Kroaci jetojnë rreth 17 mijë e 500 dhe janë të njohur si pakicë kombëtare autoktone në Kushtetutën e Kroacisë.

Zyrtarë të shumtë shtetërorë që nga viti 2012 së paku, u kanë premtuar kaherë se kroatëve (por edhe malazezëve) do t’ua njohin këtë status dhe madje ka pasur edhe premtime për përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kryesisht për shkak rreth vështirësive, për të mos thënë pamundësisë, për ndryshime kushtetuese. Në Kushtetutë të Kosovës pakicatë që njihen janë: serblët, boshnjakët, romët, ashkalinjt, egjiptianët dhe goranët.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që për t’u njohur si pakicë kombëtare duhet plotësohen kushte etnike, historike të qëndrueshmërisë shekullore, kulturore dhe standarde të tjera, por edhe përqindja e tyre.

Me Kushtetutën e Kosovës në Kuvend janë të rezervuara 20 vende për pakicat, nga të cilat 10 janë për komunitetin serb e 10 për komunitetet e tjera./Nacionale/

Lajme të ngjashme