"Ku mbeti Ballkani i Hapur?", Abazoviq flet për marrëdhënien me Kurtin: Shumë të mira, e mirëpres në Mal të Zi - NACIONALE

"Ku mbeti Ballkani i Hapur?", Abazoviq flet për marrëdhënien me Kurtin: Shumë të mira, e mirëpres në Mal të Zi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dritan Abazoviq që një kohë është kryeminsitër në detyrë i Malit të Zi. Publikisht, Abazoviq ka disa mendime të ndryshme nga ato të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. I pari është përkrahës i “Ballkanit të Hapur”, një nismë rajonale që Kurti e kundërshton. Megjithatë, shefi i ekzekutivit malazezas i vlerëson si shumë të mira marrëdhëniet me Kurtin, duke mos e përmendur fare qëndrimet e ndryshme të tij e Kurtit për "Ballkanin e Hapur", një nismë

Madje, në një prononcim për gazetën Nacionale nga Ulqini, Abazoviq paralajmëroi edhe një vizitë në Kosovë. Në përgjigjën e tij për gazetaren Anita Nikaj, Abazoviq u pa jashtëzakonisht i relaksuar teksa fliste për raprotet me Kurtin, duke paralajmëruar edhe një vizitë.

“Shumë të mira. Besoj se shumë shpejt do të organizojmë vizitën ose kryeministri i Kosovës të vijë në Mal të Zi apo mundemi edhe ne të shkojmë në Prishtinë. Është i mirëseardhur në çdo moment” – pohoi ai.

Në prononcimin e shkurtër për Nacionalen, Abazoviq foli edhe për marrëveshjen e Ohrit mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Për më shumë, ai përdori të njëjtin diskurs sikurse Kurti rreth dakordimit të Ohrit, duke e quajtur një bazë të mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë e përkrah marrëveshjen dhe mendoj se është një bazë e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Është interes edhe i Malit të Zi të normalizohen çështjet në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë aspekt. Ne jemi në favor të gjetjes së një gjuhe të përbashkët ndërmjet dy palëve dhe në pajtim me komunitetin ndërkombëtar.” – ka thënë Abazoviq për Nacionalen.

Mospajtimet…

Në fakt, Abazoviq në të kaluarën ka pasur edhe përplasje me liderët e Kosovës. Sigurisht tema që ka ndarë Abazoviqin nga Kurti e liderët e tjerë të Kosovës, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, ishte qëndrimi pozitiv i kryeministrit malazezas për “Ballkanin e Hapur”.

Përderisa Kurti është treguar kritik ndaj kësaj nisme, Abazoviq i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Vuçiqit për pjesëmarrje në këtë nismë rajonale.

“Unë do t'i përgjigjem ftesës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër. Do të shkojë në cilësinë e kryeministrit.” – deklaronte kohë më parë Abazoviq.

Së fundmi, Kurti sërish e ka kritikuar “Ballkanin e Hapur”, duke thënë se nuk ka ndryshuar qëndrimin ndaj kësaj iniciative.

“Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as ëebsite nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi.” - deklaroi ai.

Tutje, Kurti deklaroi në “Rubikon”, se kjo nismë është në kundërshtim të rregullave të Bashkimit Evropian.

“Nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nuk e ka financimin e Bashkimit Evropian dhe unë nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë.” – deklaroi ai.

Ndryshe, në Mal të Zi, kundërshtar i “Ballkanit të Hapur” ishte edhe Milo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, i cili e humbi së fundmi garën për një mandat të ri.

Lajme të ngjashme