Kryetari i Zubin Potokut mohon që objekti i komunës është rrethuar nga strukturat paralele
Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri ka demantuar raportimet se objekti është rrethuar nga strukturat paralele ilegale.
Në një përgjigje për Nacionalen, Zeqiri ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këto pretendime, dhe se po punohet afër objekti të komunës.
Ai shtoi se informacionet zyrtare të policisë së Kosovës janë që po punohet në një rrethrrotullim, dhe se janë vendosur rrethoja të punishtes.
“Nuk është e vërtetë ajo. E vërteta sipas organeve të sigurisë, po flas nga policia, kemi informacion të saktë që aty po punohet në një rreth rrotullim para komunës. Ato rrethoja janë të punishtës së komunës, nuk lidhet asgjë me polici apo me organizime.” – ka thënë ai për Nacionalen.
Në fund, z.Zeqiri ka shtuar si vijon: “E vërteta, sipas organeve është kjo që e thash unë, nuk ka të bëjë diçka me politikë apo me organizime tona”.
Nacionale ka biseduar edhe me zëdhënësin e Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i cili po ashtu ka konfirmuar se nuk kanë marrë një informatë të tillë.
“Nuk mund të konfirmoj asgjë, nuk kemi marrë një raportim të tillë.” – ka thënë ai shkurt për Nacionalen.
Ndërkohë, pak më herët, agjencia e lajmeve “KosovaPress” raportoi se strukturat paralele ilegale “kanë filluar të vendosin rrethoja prej hekuri në objektin e komunës së Zubin Potokut”.