Kryetari i shoqatës “Vatra”: Kosova të zbatojë kërkesat e Uashingtonit duke përfshirë edhe Asociacionin - NACIONALE

Kryetari i shoqatës “Vatra”: Kosova të zbatojë kërkesat e Uashingtonit duke përfshirë edhe Asociacionin

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Shoqatës pan-shqiptare “Vatra”, Elmi Berisha i ka bërë thirrje Kosovës që të zbatojë në tërësi thirrjet e Uashingtonit, ndërsa thotë se zyrtarët perëndimorë duhet të tregohen më të ashpër me Beogradin zyrtar.

Berisha ka treguar se me shqetësim i ka përcjellë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ai ka deklaruar se e mbështet përpjekjet e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, por shton se çdo lëvizje e qeverisë në Prishtinë, duhet të jetë në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria e Kosovës, kryeministri, presidentja, parlamenti dhe institucionet në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se mendimet, qëndrimet që vijnë nga Uashingtoni zyrtar duhet të respektohen në tërësi. Ua rikujtoj edhe shqiptaro-amerikanëve por edhe qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në vendet e origjinës se nuk kemi asnjë mik më të mirë në botë sesa popullin amerikan dhe qeverinë amerikane. Prandaj ne nuk duhet të hedhim dyshime tek e ardhmja e Kosovës.” – ka thënë Berisha në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Duke përmendur themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se Kosova duhet të nisë menjëherë me zbatimin e kërkesave të Uashingtonit.

Asociacioni duhet të ndodhë, por asnjëherë që të drejtat e serbëve të vijnë në nivelin e vetëqeverisjes, ose qeverisjes, apo të drejtës për kushtëzim apo destabilizim të shtetit të ri të Kosovës.” – ka deklaruar ai.

Kreu i shoqatës “Vatra” ka deklaruar se të dërguarit amerikanë dhe evropianë në Ballkanin Perëndimorë, në vend të trysnisë ndaj Prishtinës, duhet të tregohen më të ashpër ndaj Beogradit.

“Ndërkombëtarët nuk kanë qenë të drejtë dhe të barabartë gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk jemi shumë të lumtur me emisarët që po vardisen në Beograd, Prishtinë, Bruksel dhe Departament të Shtetit. Ne mendojmë që agresori, bota e di se është Serbia dhe Beogradi zyrtar, në veçanti Vuçiçi dhe Daçiçi”.

Ndër të tjera, Berisha ka thënë se pas akteve të fundit të dhunës në veri të Kosovës, qëndrojnë presidenti serb Vuçiç dhe ministri i Jashtëm serb Daçiç.

Të gjitha protestat dhe zhvillimet në këto muajt dhe javët e fundit nuk janë të orkestruara nga qytetarët serbë, por janë organizatat kriminale që vijnë të përgatitura dhe të orkestruara shumë mirë nga Presidenti i Serbisë, zoti Vuçiç dhe ministri i Punëve të Jashtme, zoti Daçiç. Është për të të ardhur keq se bashkësia ndërkombëtare ende nuk e ka një qëndrim të fuqishëm drejt Beogradit zyrtar dhe nuk e ka vendosur në pozicionin ku duhet të jetë Serbia.” – ka deklaruar ai.

Lajme të ngjashme