Kryeneçësia e Qeverisë do t`i nxjerrë punë Kushtetueses, pritet dërgimi i disa ligjeve për shqyrtim - NACIONALE

Kryeneçësia e Qeverisë do t`i nxjerrë punë Kushtetueses, pritet dërgimi i disa ligjeve për shqyrtim

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Vetëm pas ardhjes në pushtet, kryeministri Albin Kurti e ka “mësuar” nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, i cili nuk e lejon bashkimin me një shtet tjetër. Por del se ai me vartësit e tij kanë edhe probleme të tjera me aktin më të lartë juridik të vendit. Më poshtë keni disa raste që pritet t’i nxjerrin punë Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësisht paralajmërimeve që disa projektligje nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Qeveria e ka vazhduar miratimin e tyre.

Ekzekutivi nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve dhe të opozitës për këto ligje, të cilat po shihen si problematike në disa fusha.

Në pamundësi që ato të ndryshohen në kuvend gjatë leximeve, opozita ka paralajmëruar se do t`i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Si ligje që pritet të shqyrtohen në Kushtetuese, janë Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, që tashmë është dërguar në Kushtetuese, Projektligji për Buxhetin 2023, Projektligji për Rritjen e Pagave, Projektligji për Zyrtarët Publikë dhe Projektligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës.

Ligji për çmimet tavan është dërguar në Kushtetuese

Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës, po konsiderohet antikushtetues nga opozita. Sipas përfaqësuesve të opozitës, ky ligj i prek vlerat e ekonomisë së tregut, të cilat janë të përcaktuara me aktin më të lartë juridik të vendit.

Për këtë arsye, deputetët e LDK-së këtë ligj e kanë dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i kësaj partie, Driton Selmanj, ka thënë se ky dokument në tërësi është antikushtetues.

Vlerësimi ynë është se në tërësinë e tij, ky dokument ose kjo nismë legjislative është antikushtetuese, ne nuk e kundërshtojmë vetëm në nene të caktuara, por në tërësinë e vet, sepse jemi të bindur që kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në vlerat e ekonomisë së tregut”- është shprehur Selmanaj pas dorëzimin të ligjit në Kushtetuese.

Ai ka kërkuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të mos e nënshkruajë ligjin.

Ai ka treguar se kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj këtij ligji.

Gjithashtu, deputetët e LDK-së kanë kërkuar nga gjykata që të vendoset edhe masa e përkohshme në mënyrë që të mos ketë fare efekt dhe të mos nisë së zbatuari ky ligj.

Sipas tyre, zbatimi i këtij ligji mund të shkaktojë çrregullime masive në ofertat në treg dhe, si rezultat, mund të vijë falimentimi i shumë tregtarëve të vegjël dhe të mesëm në Kosovë.

Buxheti 2023 e synon grabitjen e të hyrave vetjake të komunave

Me shumë polemika, në Kuvendin e Kosovës është miratuar në lexim të parë edhe Projektligji për Buxhetin e vitit 2023.

Kjo pasi qeveria përmes këtij projektligji po mundohet të ua marrë komunave të hyrat vetjake, të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara.

Ky veprim po konsiderohet si antiligjor dhe antikushtetues.

Përfaqësuesit e komunave dhe ata të partive opozitare kanë vlerësuar se në këtë mënyrë, ekzekutivi po e cenon funksionimin e pushtetit lokal.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se një veprimi tillë është antiligjor.

Ky veprim është antiligjor, sepse që të bëhet një gjë e tillë, duhet të ndryshohen Ligji i Financave Lokale dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike. Kjo është edhe një surprizë e qeverisë ndaj komunave. Ne si asociacion gjatë këtij viti jemi mësuar me surpriza nga qeveria. Ne kemi dërguar kërkesë që të jemi pjesë e takimit të komisionit, ku do të shqyrtohet për herë dytë projektbuxheti. Ne edhe aty do të tentojmë t`i tregojmë nivelit qendror që këto të hyra janë të komunave, se këto të hyra janë taksa të qytetarëve të komunave përkatëse, të cilat përkthehen në investime kapitale. Nuk ka nevojë që qeveria t`i shtrijë duart në komuna edhe në këtë rast, ashtu siç ka bërë me çështjen e arsimit në komunën e Kamenicës”- ka thënë Ibrahimi.

Kurse shefi i Grupit Parlament të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se nëse nuk merret parash amendamenti i tyre në lexim të dytë, i cili ka për synim që të hyrat vetjake të komunave të mos preken, projektligji do të dërgohet në Kushtetuese.

Ne do të bëjmë një amendament që këtë pjesë ta heqin nga Projektbuxheti dhe nëse nuk do ta na përkrahni, ne padyshim se do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë buxhet, sepse është buxhet në kundërshtim me nenin 124, pika 5 e Kushtetutës së Kosovës”- ka thënë Tahri.

Si shqetësues këtë projektligj e ka parë edhe AAK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se projektligji e cenon autonominë financiare të komunave.

Qeveria po i grabit të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës. Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2023, me nenin 9, pika 6, e ka cenuar autonominë financiare të komunave, ku theksohet se të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar. Kushtetuta e Kosovës, neni 124, organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale, në pikën 5 përcakton: “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin”- ka vlerësuar Tahiri.

Hakmarrja e Qeverisë ndaj Këshillit

Si antikushtetues po konsiderohet edhe Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L -048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndryshimi i ligjit për këtë institucion të pavarur kushtetues po konsiderohet si hakmarrje politike e qeverisë ndaj këtij këshilli.

Një vlerësim i tillë po bëhet, pasi ky këshill deri më tani i ka rrëzuar Qeverisë dhjetëra vendime e konkurse, të cilat kanë të bëjnë më shërbyes civilë. Tani, qeveria, përmes këtij ligji, synon që të ia heqë disa kompetenca këtij këshilli.

Gjithashtu, përmes këtij projektligji synohet heqja e imunitetit funksional për anëtaret e KPShCK-së. Një veprim i tillë po konsiderohet si cenim i pavarësisë dhe tentim për frikësim të këtyre anëtarëve.

Për këto arsye, shefi i Grupit Parlament të AAK-së, Besnik Tahirit, e ka paralajmëruar dërgimin e këtij projektligji në Kushtetuese.

Me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës, mbrojtjes së institucionit kryesor që i mbron rregullat e shërbimit civil, depolitizimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta refuzojë këtë ligj. Në të kundërtën, shihemi në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Tahiri në seancën në të cilën është shqyrtuar ky projektligj.

Projektligji në lexim të parë është shqyrtuar më 10 nëntor në Kuvendin e Kosovës, por, shkaku i mungesës së kuorumit, nuk është hedhur në votim.

Si problematik për opozitën dhe për zyrtarët e administratës janë parë edhe projektligji për pagat dhe ai për zyrtarët publikë, të cilët javën e kaluar janë miratuar në Qeverinë e Kosovës.

Ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët

Qeveria e Kosovës ka nxitur reagime të shumta edhe me vendimin për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Vendimi, i cili është marrë të mërkurën e kaluar, po shihet si antiligjor.

Përveç kundërshtimeve nga opozita dhe ekspertët e fushës, Avokati i Popullit i ka nisur hetimet për vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Gazeta Nacionale ka mësuar se, sipas detyrës zyrtare, Avokati i Popullit i ka nisur hetimet për këtë vendim të qeverisë.

Ky institucion do ta analizojë vendimin e Qeverisë, që nga shumë njohës të çështjes është konsideruar si i jashtëligjshëm.

Vendimi e ka nxitur kundërshtimin e fuqishëm të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në një konferencë për media, kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj, ka kërkuar nga qeveria që ta anulojë menjëherë vendimin e marrë në një mbledhje të saj.

Ai ka thënë se deri në anulimin e vendimin, gjykatat në Kosovë do ta reduktojnë punën vetëm për shërbime esenciale.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme ka marrë vendim që KGJK-ja, dhe kryetarët e Gjykatave kërkojnë që menjëherë të anulojë vendimin. Puna e gjykatave reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm për shërbime esenciale. Lista e shërbimeve esenciale do të miratohet në takimin e datës 24 nëntor 2022, pra nesër”- ka thënë Zogaj.

Si rezultat i këtij vendimi, dhjetëra seanca gjyqësore nuk janë mbajtur në tërë Kosovën.

Lajme të ngjashme