KQZ-ja e shtyn ndarjen e miliona eurove për partitë parlamentare në mbledhje "online"
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shtyrë për mbledhjen e radhës ndarjen e mjeteve financiare për mbështetjen e subjekteve politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Rreth 5 milionë euro pritet të ndahen në mes të subjekteve politike, sipas fuqisë së tyre në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Pjesën më të madhe të këtyre mjeteve pritet ta marrë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka grupin më të madh parlamentar me 57 deputetë.
Por, se sa do të jetë kjo shumë, e shprehur në shifra të sakta, mbetët të shihet pas miratimit të vendimit nga ana e KQZ-së.
Largimi i kësaj pike nga rendi i ditës së mbledhjes së sotme është thënë se u bë për arsye teknike të përgatitjes së rekomandimit.
Miratimi i ndarjes së mjeteve do të bëhet në mbledhje me procedurë qarkulluese – online.
Në mbledhjet e mëhershme të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, veçanërisht gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, çështja e ndarjes së mjeteve financiare ka qenë temë e debatit dhe mospajtimeve të theksuara brenda institucionit.
Kontestimet kanë pasur të bëjnë me faktin se në kuadër të vendimeve për përfitimin e shumave të konsiderueshme financiare ishte e përfshirë edhe Lista Serbe, çka ka nxitur diskutime të gjera ndërmjet anëtarëve të KQZ-së.
Këto debate ishin nxitur nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-së, të cilët kundërshtonin ndarjen e mjeteve financiare veçanërisht kur vendi ishte në fushatë zgjedhore. Në raste të tjera, ata votonin që qindra-mijëra euro t’i ndaheshin kësaj partie.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vitin e kaluar kishte ndarë mbi 3.6 milionë euro për subjektet politike për vitin 2025.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, në një mbledhje që ishte mbajtur në pjesën e parë të vitit të kaluar kishte njoftuar se ndarja e mjeteve financiare për periudhën 1 prill deri më 31 dhjetor 2025 është paraparë të jetë në vlerë prej 3,670,800 eurosh.
Këto fonde i ishin ndarë për 15 subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.