Kosovarët merak të freskohen me pije serbe, shpenzuan 56 milionë euro për importin e tyre - NACIONALE

Kosovarët merak të freskohen me pije serbe, shpenzuan 56 milionë euro për importin e tyre

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Vitin e kaluar Kosova ka shënuar rritje në volumin e saj tregtar, me eksportin dhe importin që vazhdojnë të kenë disbalancë të lartë. Ndonëse Albin Kurti sa ishte në opozitë premtonte reciporcitet tregtar me Serbinë, pikërisht në kohën e qeverisjes së tij, importi nga Serbia ka lulëzuar shumë. Qindra miliona euro është shuma e importit nga Serbia, me pijet freskuese që janë të pozicionuara në vendin e parë si produkti më i popullarizuar i kosovarëve.

Vetëm gjatë vitit 2022, vlera e importit nga Serbia shkoi në 371.6 milionë euro, nga të cilat qindramiliona kryesisht janë importuar produkte bazike dhe produkte të konsumit.

Produkti që është importuar më së shumti në vitin 2022 në Kosovë janë pijet freskuese. Që nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor, Serbia ka marrë gjithsej 56.6 milionë euro para nga Kosova vetëm për pije freskuese. Në këtë sektor, hyjnë edhe pijet freskuese si Coca Cola, e cila deri në këtë vit është importuar vetëm nga Serbia. Por pas një vendimi gjyqësor, kompanive kosovare u lejohet të importojnë edhe nga Shqipëria.

Serbia në Kosova në vitin 2022 kishte importuar edhe grurë. Për 12 muaj Kosova ka paguar 30.6 milionë euro për grurë.

Gjatë vitit të kaluar, nga ky shtet u importua edhe benzinë dhe vajra. Shuma që pagoi Kosova për to për një vit ishte gjithsej 30.1 milionë euro. 15.6 milionë euro Kosova pagoi për vaj ushqimor nga Serbia.

Vitin paraprak, kosovarët konsumuan mjaftë shumë edhe biskota serbe. Për një vit të tërë, kosovarët paguajtëm 11 milionë e 200 mijë euro euro për biskota, me Plazmën që vazhdon të mbetet jashtëzakonisht e popullarizuar, përkundër që tashmë ka një biskotë të prodhuar në Kosovë.

11 milionë euro të tjera u paguan për produktin e misrit, ndërsa 9.4 milionë euro për ushqime për kafshë. Gjithashtu 8.7 milionë euro importe nga Serbia u paguan për shufra metalike.

Eksporti kosovar në Serbi

Në anën tjetër, Kosova eksportoi në Serbi kryesisht produkte të lëndës së parë.

60.7 milionë euro në total, Kosova i mori për shkak të produkteve që ka eksportuar në Serbi, ku kryesisht prinin tubat e çelikut, të cilat u eksportuan në vlerë prej 18.4 milionë euro. Ndërsa koks nafte, Kosova në Serbi eksportoi në vlerë prej 5.3 milionë euro.

Kosova eksportoi edhe energji elektrike diku 5.3 milionë euro në Serbi, ndërkohë që në Kosovë kishte krizë për energji.

Tutje, pllaka prej plastike eksportoi gjithsej 2.4 milionë euro, ndërsa 2.1 milionë euro u fituan për eksport për paleta prej drurit.

Reagimet...

Lidhja Demokratike e Kosovës, ditë më parë ka thënë se Qeveria Kurti ka arritur rekord të ri në lidhje me importet nga Serbia.

Në faqën zyrtare të kësaj partie, vlerësohej se aktualisht ka nevojë për veprime konkrete dhe jo premtime e fjalë boshe.

Politikat e gabuara të partisë në pushtet, vazhdojnë të favorizojnë prezencën ekonomike të Serbisë në Kosovë. Ankesat për të kaluarën nuk përmirësojnë ekonominë dhe nuk i zgjidhin problemet e së ardhmes”, thuhet në postimin e tyre.

Reagime pati edhe nga afaristi i njohur, i cili në të njëjtën kohë është edhe lobues për bojkotim të produkteve serbe, Burim Piraj.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “populli fukara” blenë produkte të cilat janë më të lira. Tutje, Piraj ka thënë se po të pije vendore me këtë shumë, do të mund të punësoheshin 1 mijë persona.

Edhe grurin, edhe mishin edhe vajin, mund t'i kemi të vendit tonë. Vetëm se duhet ta punojnë tokën tonë e mos ta punojmë të huajën. Zoti ju bekoftë”, ka shkruar Piraj në Facebook.

Agron Demi, nga Instituti GAP ka thënë se nëse qytetarët do të zgjedhnin që të blenin prodhime vendore, bilanci tregtar me Serbinë do të ishte më i mirë.

Veç nëse kishim zgjedhë me fresku fytin me prodhime vendore dhe me importu Coca-Colan nga Shqipëria, bilanci tregtar me Serbinë do të ishte shumë më i mirë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, në Kosovë ka disa javë që është duke u zhvilluar një fushatë kundër produkteve serbe, e cila po përkrahet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet.

Lajme të ngjashme