Kosova po izolohet, VV-ja nëpër forume të ndryshme po anëtarësohet
Lëvizja Vetëvendosje dje është bërë anëtare e asociuar në organizatën e Partive së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES).
Derisa partia më e madhe në vend po integrohet nëpër forume të ndryshme ndërkombëtare, një gjë e tillë nuk po i ndodh Republikës së Kosovës, e cila qeveriset prej pesë viteve nga kjo parti.
Madje, janë pikërisht veprimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, lider i VV-së, të cilat kanë bërë që Kosova të izolohet dhe sanksionohet nga aleatët e saj kryesore.
Shkaku i veprimeve të njëanshme të Qeverisë Kurti në veri, Kosova sot numëron 843 ditë nën sanksione të BE-së dhe askush nuk e di se kur do të mund të hiqen ato.
Kurse më 12 shtator të këtij viti, ShBA-ja ka pezulluar përkohësisht dialogun e planifikuar strategjik me Kosovës. Ky veprim amerikan ishte ndërmarr pas sulmeve brutale të Albin Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht këtyre sanksioneve të sponzoruzuesve të pavarësisë së Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gëzuar për anëtarësimin e partisë së tij në PES.
Në adresimin e tij në kongresin e Partisë së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë (PES), i cili është mbajtur në Amsterdam të Holandës, ai ka falënderuar anëtaret për mbështetjen.
“Më lejoni të shpreh kënaqësinë time të madhe që jam midis jush dhe gjithashtu falënderimet e mia të ngrohta për pranimin e Lëvizjes Vetëvendosje si anëtar i asociuar i kësaj familjeje të rëndësishme politike në Bashkimin Evropian. Për partinë time dhe vendin tim, Republikën e Kosovës, ky Kongres ndodh në një moment vendimtar”, ka thënë Kurti.
Më tej, ai ka paraqitur edhe dy kërkesat e Kosovës.
"Përveç këtyre sfidave të menjëhershme politike, shfrytëzoj rastin t'ju kujtoj se Kosova ka dy kërkesa kryesore në nivel evropian: - Heqjen e plotë të të ashtuquajturave masa ndëshkuese, të cilat kanë rezultuar të jenë të padrejta dhe të panevojshme; - Dorëzimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian, vonesa e të cilit nuk mund të justifikohet nëse Bashkimi Evropian zbaton një proces të bazuar në meritë”, ka thënë Kurti.
Këtë anëtarësim të VV-së në PES e ka komentuar analisti Petrit Zogaj.
Ai ka bërë me dije Albin Kurti e ka izoluar Kosovën, ndërsa po e integron partin e tij.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka ironizuar me VV-në.
“Këta Kosovën me të vërtetë e kanë izolu, ama partinë për çdo ditë po e anëtarësojnë nëpër do këso forumesh. Nejse, për këta partia e shteti janë një”, ka shkruar Zogaj.