Kosova përgëzon Shqipërinë dhe Maqedoninë për negociatat, kërkon liberalizimin e vizave - NACIONALE

Kosova përgëzon Shqipërinë dhe Maqedoninë për negociatat, kërkon liberalizimin e vizave

1 vit më parë

nga NACIONALE

1 vit më parë

nga NACIONALE

Republika e Kosovës ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në urimet e tyre për këto dy vende, liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës kanë kërkuar që BE-ja sa më shpejt të marrë vendim për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës.

Ata kanë bërë me dije se BE-ja duhet ta mbaj premtimin edhe për kosovarët, të cilët janë qytetarët e vetëm në kontinent që nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se në këto kohë përcaktuese, përshpejtimi i zgjerimit të BE-së për shtetet e Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri.

“Ne u bëjmë thirrje shteteve të BE-së që urgjentisht të marrin vendim për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, shkroi Osmani në Twitter.

Dy vendet fqinje i ka përgëzuar edhe kryeministri Albin Kurti. “Urime për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Kosova feston arritjet e juaja historike dhe iu bashkohet në zotimet drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin tonë në Europë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Edhe liderët e partive opozitare kanë kërkuar nga BE-ja të mbajë premtimet në raport me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave.

“Urime e përgëzime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një proces më se i merituar për të dy vendet, të cilat, me punë, angazhim e reforma, kanë dëshmuar se janë gati dhe e meritojnë shansin historik për t'u bërë pjesë e BE-së. Është lajm i mirë që Bashkimi Evropian, pas shumë vonesave, herë të kuptueshme e herë jo, më në fund ka vendosur që në Ballkanin Perëndimor të rikthej shpresën dhe optimizmin. Uroj që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë sot, të avancoj edhe me liberalizimin e shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës – si një e drejtë themelore dhe e merituar tash e sa vjet”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se tani është koha që BE-ja të marr vendime edhe për qytetarët e Kosovës.

“Urime Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut hapja e negociatave për anëtarësim në BE. Koha për heqjen e vizave për Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ky hap duhet të përcjellët edhe me hapa tjetër.

“Shqipëria sot hyn në rresht me botën demokratike perëndimore. Hapja e negociatave shënon një moment historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, siç është datë historike edhe për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj. Dua të besoj fuqishëm se një hap i tillë e shkurton rrugën e integrimit edhe të Kosovës dhe Bosnjës, me çka do të përmbyllej projekti i përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane. Shpresojmë që hapi i parë, drejt këtij integrimi të ndodh në këtë vjeshtë me liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.

Biden thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë frymëzim për vendet e rajonit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden e ka përshëndetur hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shtëpia e Bardhë ka publikuar deklaratën e presidentit amerikan, në të cilën thënë se BE po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik. “Shtetet e Bashkuara mirëpresin hapat e rëndësishëm që Bashkimi Evropian po ndërmerr për të çuar përpara integrimin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin euroatlantik duke hapur bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë të mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe”, është thënë në deklaratë, duke shtuar se verimi i këtyre dy vendeve duhet të shërbej si frymëzim për vendet tjera të rajonit.

“Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të forcuar reformat demokratike dhe për të mbështetur sundimin e ligjit. Hapat që BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë ditët e fundit duhet të frymëzojnë të gjithë aspirantët e BE-së në rajon për të rritur angazhimin e tyre për forcimin e demokracive të tyre”, është thënë në deklaratën e presidentit amerikan.

Shqipëria dhe Maqedonia zyrtarisht hapin negociatat me BE-në

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sot zyrtarisht kanë nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në selinë e BE-së në Bruksel, të dy vendet kanë mbajtur konferenca e para ndërqeveritare, të cilat në mënyrë simbolike kanë shënuar fillimin e këtij procesi.

Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë vitet e fundit Shqipëria ka bërë punë të madhe në zbatimin e shumë reformave.

“Evropa me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i katër lirive të BE-së po ashtu. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit”, ka thënë Rama.

Kurse, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se në këtë ditë po fillon një kapitull i ri për këtë shtet.

“Kjo është ditë historike, e shumëpritur dhe sigurisht e merituar. Për këtë ditë kemi marrë vendime të vështira, që kërkonin guxim dhe mençuri. Kemi marrë vendimin përfundimtar dhe kemi ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Ne kemi vendosur të jemi të vendosur, të guximshëm, të mençur dhe të vendosur që të mos mendojmë për veten, por për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Kovaçevski.

Hapja e negociatave është përshëndetur edhe nga liderët BE-së.

Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, këtë ditë e ka vlerësuar si historike, duke thënë se të dy vendet kanë bërë reforma të mëdha.

“Është suksesi juaj i qytetarëve tuaj që keni punuar shumë për të arritur deri këtu dhe keni treguar përkushtim për vlerat tona, këmbëngulje, keni pasur besim tek procesi drejt BE-së, keni një shoqëri civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma. Ju i keni bërë të gjitha këto ndryshime jo vetëm për rrugën drejt BE-por për vendin tuaj. Ne si KE ju kemi mbështetur gjatë gjithë rrugës dhe do vazhdojmë ta bëjmë”, ka thënë ajo gjatë konferencës ku të pranishëm ishin kryeministri Çekisë, Petr Fjala, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vije pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas ka miratuar propozim francez, i cili mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Propozimi francez parashikonte kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike.


Lajme të ngjashme