Kosova me inflacion 4.3%: 1.9 pikë përqindje mbi mesataren e BE-së - NACIONALE

Kosova me inflacion 4.3%: 1.9 pikë përqindje mbi mesataren e BE-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndërsa futemi në gjysmën e dytë të vitit 2025, Kosova po i rikthehet trajektores eksponenciale të inflacionit – e shtyrë, sipas njohësve të ekonomisë, në masë të madhe nga zhvillimet e brendshme, në dritën e shtrenjtimit të fundit të tarifave të energjisë elektrike.

Në korrik 2025, inflacioni vjetor në Kosovë, i matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, ishte 4.3 për qind. Kjo përbën një ritëm dukshëm më të lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila shënoi 2.4 për qind, një hendek prej 1.9 pikë përqindjeje.

Madje, në të njëjtin muaj, edhe zona e euros qëndroi në 2.0 për qind, duke dëshmuar stabilitet relativ krahasuar me Kosovën.

Në Kosovë, pjesën më të madhe të inflacionit e kanë gjeneruar ushqimet dhe pijet joalkoolike. Çmimet e kafesë, çajit dhe kakaos janë rritur me 16.9 për qind, ndërsa mishi është shtrenjtuar me 12.7 për qind. Pemët kanë shënuar një rritje prej 12.3 për qind dhe perimet 10.7 për qind.

Në BE, inflacioni ka qëndruar relativisht stabil, duke kaluar lehtë nga 2.3 për qind në 2.4 për qind gjatë korrikut, ndërsa eurozona mbeti në nivelin 2.0 për qind.

Krahasim vjetor: Korrik 2025 / Korrik 2024

4,3%
Grupi i shpenzimeve %
Pushime të organizuara20,9%
Kafe, çaj dhe kakao16,9%
Energjie elektrike16,6%
Mish12,7%
Pemë12,3%
Perime10,7%
Shërbime të tjera në lidhje me pajisjet të transportit10,4%
Mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve të transportit10,2%
Vajra dhe yndyra9,9%
Shërbime hoteliere8,2%
Shërbime ambulantore7,1%
Qumësht, djathë dhe vezë6,5%
Gazeta, libra dhe materiale për zyra6,2%
Ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet6,2%

Në BE, rritjet kryesore janë shtyrë nga shërbimet, të ndjekura nga ushqimi, alkooli, duhani dhe mallrat joenergjetike. Ndryshe nga Kosova, energjia ka luajtur një rol frenues në rritjen e çmimeve në Evropë.

"Norma vjetore e inflacionit në zonën e euros ishte 2.0% në korrik 2025, e qëndrueshme krahasuar me qershorin. Një vit më parë, norma ishte 2.6%. Inflacioni vjetor në Bashkimin Evropian ishte 2.4% në korrik 2025, nga 2.3% në qershor. Një vit më parë, norma ishte 2.8%. Këto të dhëna publikohen nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian." - thuhet në raportin e Eurostat.

Kosova nuk është e panjohur me fenomenin e inflacionit të lartë viteve të fundit. Në vitin 2022, vendi u përball me një valë të paprecedentë, ku mesatarja vjetore arriti 11.6 për qind, ndërsa vetëm në korrik norma u ngjit në 16 për qind.

Këtë herë, sipas të dhënave, rritja po ushqehet nga ushqimet e importuara (sidomos kafe/kakao) dhe rryma, ndërsa transporti po e zbut pjesërisht.

IHÇK vjetore sipas muajve

Muaji IHÇK vjetore
Korrik 20254.3%
Qershor 20254.3%
Maj 20253.6%
Prill 20253.0%
Mars 20252.9%
Shkurt 20251.7%
Janar 20251.5%

Lajme të ngjashme