Kosova jashtë agjendës së KiE-së, Kryeziu: Derisa politikanët po sillen si bajraktarë, Kosova po e humb momentumin - NACIONALE

Kosova jashtë agjendës së KiE-së, Kryeziu: Derisa politikanët po sillen si bajraktarë, Kosova po e humb momentumin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka fajësuar politikanët për dështimin e Kosovës që këtë vit të futet në agjendën e Këshillit të Evropës.

Ai ka vlerësuar se derisa politikanët po vazhdojnë të bllokojnë funksionalizimin e institucioneve, Kosova po e humb momentumin për anëtarësim dhe për përfshirje në agjendën e minesterialit të Këshillit të Evropës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se kjo është mungesë e përgjegjësisë.

“Derisa politikanët tanë sillen si bajraktarë dhe vazhdojnë të bllokojnë funksionalizimin e institucioneve, Kosova për vite me radhë po e humb momentumin për anëtarësim dhe për përfshirje në agjendën e minesterialit të Këshillit të Evropës. Më shumë sesa për arsye tjera, kjo po ndodh për shkak të moskoordinimit me aleatët tanë dhe mungesës së përgjegjësisë për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Asnjë ide, vizion apo dëshirë për të ardhmen e vendit nuk mund të realizohet përmes populizmave dhe narrativave elektorale, nëse nuk kemi politika të mençura dhe politikanë të përgjegjshëm që ndjekin diplomacinë dhe hapat e domosdoshëm për fuqizimin e Republikës”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Edhe pse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill 2024 votoi PRO për ta rekomanduar Kosovën si anëtare të re, Kosova paska mbetur jashtë agjendës së ministerialit të Këshillit të Evropës, dhe në këtë takim që do të mbahet më 16–17 maj 2025. Një mundësi e humbur për shkak të mungesës së përgjegjësisë e jo për mungesë mbështetjeje nga aleatët”, ka shkruar Kryeziu.

Lajme të ngjashme