Kosova e Shqipëria në Bordin e Paqes "interes i sigurisë kombëtare": Osmani e Rama sot në D.C për inaugurim - NACIONALE

Kosova e Shqipëria në Bordin e Paqes "interes i sigurisë kombëtare": Osmani e Rama sot në D.C për inaugurim

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

  • ‘Krejtësisht në përputhje me logjikën e interesave tona kombëtare’

Shqipëri e Kosovë bashkërisht sot në kryeqytetin më të madh të pushtetit politik e ushtarak botëror, në Washington D.C, ulen në tryezën inauguruese të “Bordit të Paqes” të inicuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Shansi është që ky Bord të jetë bordi më domethënës i mbledhur ndonjëherë, kudo”, tha Donald Trump këtë javë për gazetarë referuar datës së sotme të 19 shkurtit ku do të shënohet përurimi i themelimit të BiP.

Ky Bord, i mandatuar fillimisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së për mbikëqyrjen e paqes në Gaza, rindërtimin dhe ndërtimin e një force ndërkombëtare stabilizuese, është artikuluar tashmë edhe si organ ndërkombëtar për dhënien fund të krizave edhe anegjerë botës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që të dy do të jenë aty për nismëtarë të punës së këtij Bordi, me Tiranën zyrtare që tashmë edhe e ka ratifikuar për marrëveshje ndërkombëtare në dhomën e legjislativit.

Profesori universitar dhe filozofi Blerim Latifi e ka të qartë se të qënit on-board me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kombin/shtetet shqiptare është në interes të sigurisë kombëtare dhe pozicion kombëtar.

“Ajo që po ndodhë sot është rikthimi i shpejtë në gjeopolitikë i konceptit të sferave të influencës. Në këtë rikthim pozicioni i kombit shqiptar është i qartë: ne jemi dhe duam te jemi pjesë e sferës amerikane të influences.

Siguria jonë kombëtare është variabël e varur nga kjo sferë, prandaj pjesëmarrja e Shqipërisë e Kosovës në Bordin e Paqes është krejtësisht në përputhje me logjikën e interesave tona kombëtare”, tha ai në një përgjigje me shkrim për Nacionale.

Shqipëria, megjithatë, ka deklaruar se nuk do të jetë anëtar i BiP-it me kontribut financiar prej 1 miliard eurosh që do të përkthehej në anëtarësi të pëhershme në këtë organ multilateral të drejtuar nga ShBA-ja.

“Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes”, tha Rama ditë më parë në podcest-in e vet.

Kosova ka qenë e mjegullt në këtë rrafsh me Qeverinë e Kosovës që ende as s’e ka përshëndetur pjesëmarrjen dhe nënshkrimin në këtë bord nga Vjosa Osmani.

Presidenca e Kosovës në komunikatë shkruan se Kosova është “anëtar i barabartë me të drjeta të plota” në Bordin e Paqes, por ka qëndruar e heshtur për pagesën 1 miliardë dollarëshe dhe madje as s’e ka dorëzuar, siç bëri Shqipëria, si marrëvehsje ndërkombëtare për t’u ratifikuar në Kuvend.

Kuvendi i Kosovës ditë më parë ratifikoi një numër marrëveshjesh ndërkombëtare, prej kredive me Bankën Botërore e deri te Plani i Rritjes me Bashkimin Evropian.

“Zhvillimi më i rëndësishëm i viteve të fundit”, e ka quajtur Vjosa Osmani nënshkrimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Ajo në një intervistë në përvjetorin e Pavarësisë së 18-të të vendit, tha se është “moment histork” që vendi të jetë pjesë e vendimarrjes botërore

“Ne duhet të kemi zë në tryezat ku merren vendime për çështje të rëndësishme ndërkombëtare, sepse, siç e thonë të gjithë, kur nuk je pjesë e tryezës je pjesë e menysë, kështu që është shumë më mirë që ne ta kemi zërin tonë, prezencën tonë, qëndrimin tonë – jo vetëm për të mbrojtur interesat tona dhe për ta mbrojtur paqen e sigurinë në rajon, por edhe për të kontribuar. Rreshtimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk i del keq Kosovës", tha Osmani gjatë një interviste në Kanal 10.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë dukshën i rezervuar lidhur me përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes. Në deklarimin e 30 janarit, ai e lidhi angazhimin kryesisht me kontributin për paqe në Gazë dhe me mundësinë që FSK të marrë pjesë në një forcë shumëkombëshe stabilizuese, duke theksuar kapacitetet për kërkim-shpëtim dhe deminim, si dhe detyrimin moral të Kosovës për të kontribuar në misione paqeruajtëse.

Në paraqitjet pasuese, edhe kur u pyet drejtpërdrejt, ai përdori formulime të përgjithshme, duke deklaruar se do të kontribuojë “kudo që ka nevojë për paqe”. Kurti përmendi pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gazë dhe përfaqësimin nga gjenerali Bashkim Jashari, duke shtuar se, përderisa Kosova merr pjesë në terren, ka shprehur interes edhe për përfshirje në organet vendimmarrëse politike.

Lajme të ngjashme