“Kosova e dyta në varfëri”: Të dhënat e 'WoS' antitezë e tregimeve ‘të bukura’ ekonomike të qeverisë
Për ta ngërçosur arsyen e shëndoshë të gjithësecilit me arritjet e pretenduara ekonomike në vend, qeveria kosovare kishte nxjerrë Donika Gërvallën–Zëvendës Kryeministre–për të (mbajeni frymën) njoftuar se “për tri vite rritëm për mbi 50% të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP-në)”.
Përveç se tejet jo-serioze, gabim elementar matematikor, se GDP-ja matet në raport me vitit paraprak, dhe që çka është rritur mbi 50% ishin çmimet e konsumit; deklarata e Gërvallës veçse rrumbullakësonte pretendimet ekstravagante të pushtetit në fushën–e stërkeqësuar–të ekonomisë.
Hiç më larg se ditëve të fundit një përmbledhje të dhënash nga “World of Statistics” esëlloi publikun se, në fakt, Kosova është e parafundit për nga varfëria në kontinentin evropian: e fundit duke qenë Ukraina. Kjo jehoi gjerë anekënd rrjeteve sociale si pasqyrë-thirrje ndaj qeverisë.
“S’ka se si të jetë ndryshe”, u shpreh deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, duke i bërë një lexim këtyre të dhënave dhe duke i përkthyer ato vis-a-vis qeverisjes tashmë gati katërvjeçare të Vetëvendosjes.
“Sepse që katër vite investimet kapitale si përqindje e buxhetit janë në nivelet me të ulëta në histori, çmimet janë me të lartat, prokurimi publik është negocim mes miqve, punësimi është nepotizëm, arsimi është dështim e menaxhim i krizave të krijuara nga vetë qeveria”.
“Gjendja e sigurisë në vend, mungesa e koordinimit me aletatë sidomos për gjendjen e sigurisë, deklaratat e vazhdueshme për krim, korrupsion dhe potencial për luftë nga ana e krerëve të shtetit vetëm dëm i kanë bërë ekonomisë së vendit tonë”, vazhdoi ajo.
Bajrami vazhdoi të numërojë specifikisht e një-nga-një të (mos)bëmat e qeverisë kosovare që përkojnë me Kosovën të parafundën për nga varfëria në kontinent.
Gazetari Ilir Mirena nxori një paralalele e krahasim mes një dhjetë vjeçari 2007-2017 me 15 miliardë buxhet total, dhe në tre vjeçarin 12 miliardësh të qeverisë së Albin Kurtin.
“Per 10 vjet ne teresi, 2007-2017, buxheti i Kosoves ka qene te 15 miliarde Euro. Rezultati: shpallja e pavaresise, projekte te jashtezakonshme infrastrukturore, investime ne shkolla, rritje pagash, diplomaci, njohje te shtetit, pranim ne organizata nderkombetare, rritje e madhe e standardit te qytetareve, etj…”
“Nje mandat i plote i Qeverise se Albin Kurtit, me 12 miliarde Euro, qe rezultati, plus sanksione dhe izolim… Te tjerat i dini…”, përfundoi ai.
Një frazë edhe më goditëse – duke e kualifikuar sikur maksimë – e dha opinionisti Halil Matoshi: “Kosova 2024: e para në nacionalizëm dhe varfëri”.
“1. Me rritjen e nacionalizmit etnik rritet vorrfnia, mjerimi social, psikopatologjia shoqnore. s2. Me rritjen e popullizmit me finesa fashiste, rritet besimi në dogma e liderë sehirbaza; rritet religjioni dhe besimi në magji! Rriten çmimet!”, vazhdoi ai.
“P.S. Kosova nacionaliste nget me u la n'Ujman dhe mësynë nji urë që nuk t'çon askund, porse âsht e para në Europën gjeografike për nga vorrfinia (Ukraina âsht në luftë!?); Ata që përserisin mashtrimin për 20-vjetë shkatrrim lë ta shohin këtë krahasim mes 2024 dhe 2018. Mburravecë të mjerë!!!”, përfundoi Halil Matoshi.
Të njëjtën gjë e bëri Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse jo me shifrat bombastike të Gërvallës (mbi 50%), për GPD-në dhe buxhetin.
“Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor”, shkroi Kurti.