Kos përgënjeshtron protestuesit 'ambientalistë': Shqipëria ka bërë përparime në mbrojte të mjedisit, kemi marrë garanci nga Qeveria - NACIONALE

Kos përgënjeshtron protestuesit 'ambientalistë': Shqipëria ka bërë përparime në mbrojte të mjedisit, kemi marrë garanci nga Qeveria

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur për investimin në Zvërnec, pasi është pyetur nga gazetarët nëse ky projekt është në harmoni me legjislacionin e BE-së dhe Kapitullin 27, që ka të bëjë me mjedisin dhe që Shqipëria e ka aktualisht të hapur.

Kos tha se Shqipëria është nga vendet pararojë sa i përket procesit të zgjerimit dhe ka bërë përparim të dukshëm sa i përket mbrojtjes së mjedisit, dhe se ky përparim duhet të mbrohet.

Ajo gjithashtu tha diçka shumë të rëndësishme, se në situata të tilla duhet të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve.

“Shqipëria është një nga vendet pararojë në procesin e zgjerimit dhe ka bërë përparim të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Ky përparim është i vlefshëm, i njohur dhe duhet mbrojtur. Në situata të tilla është e rëndësishme që të gjithë të punojmë mbi bazën e fakteve. Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe jo vetëm me kryeministrin Edi Rama. Sapo patëm vizitën e Drejtoreshës sonë për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila u takua javën e kaluar në Tiranë me ministrin e Mjedisit”, tha Kos ndër të tjera.

Kos shtoi se projekti Pishporo-Nartë, si dhe të gjitha projektet që zhvillohen në Shqipëri, duhet të jenë në harmoni me standardet e BE-së të përcaktuara në Kapitullin 27, i cili është në kuadër të anëtarësimit. Gjithashtu shtoi se do të verifikojnë nëse standardet janë përmbushur, meqë ky është roli i tyre.

“Sa i përket projektit në Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjithë projektet e tjera në zhvillim në Shqipëri, ai do të duhet të jetë në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e përcaktuara në kapitullin e mjedisit, siç e përmendët edhe ju, Kapitulli 27 i procesit të anëtarësimit. Ky kapitull aktualisht është i hapur. Përpara se të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij aktualisht parashikohet deri në fund të vitit 2027. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet përkatëse janë përmbushur, nëse përmbushen”, shtoi Kos.

Ajo tutje tha se ka marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se të gjitha standardet evropiane mjedisore do të respektohen.

“Ne kemi marrë garanci nga Qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane mjedisore do të respektohen. Fakti që kjo po ndodh ndërkohë që Shqipëria po kalon procesin e anëtarësimit është i rëndësishëm. Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet një monitorimi dhe vlerësimi të vazhdueshëm. Prandaj ai përbën garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë të mbrohen në përputhje me standardet evropiane.

Lidhur me këtë dua të shtoj se ju e dini se sa e rëndësishme është për ne e drejta e protestës. Ajo është një e drejtë themelore për Bashkimin tonë dhe për të gjitha vendet që dëshirojnë t’i bashkohen. Jam e lumtur që kjo e drejtë respektohet në Shqipëri”, ka thënë komisionerja evropiane Kos./Nacionale

Lajme të ngjashme