Komuna e “çnjohjes” së Kosovës me politikanët pro-serbë, vizita e parë me “mesazh” e Vuçiqit në Malin e Zi post-Gjukanoviq - NACIONALE

Komuna e “çnjohjes” së Kosovës me politikanët pro-serbë, vizita e parë me “mesazh” e Vuçiqit në Malin e Zi post-Gjukanoviq

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Ka kohë të gjatë që s’e ka vizituar Malin e Zi. Marrëdhëniet me tash ish-Presidentin, Millo Gjukanoviq, i kishte si mos më keq. Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i erdhi dita të vizitojë Malin e Zi dhe të gjejë një vend pa kundërshtarin më të madh të kahershëm malazias të tij. Shkoi në inaugurimin e presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviq. Por, para se të nisej për në qendër të Podgoricës, morri një kthesë – dhe shkoi në Zetë.

Kjo Komunë në Mal të Zi është themeluar para as një viti dhe para disa javësh arriti të bëhej lajm kur partitë udhëheqëse pro-serbe të Frontit Demokratik inicuan një deklaratë për “tërheqje të njohjes” së shtetit të Kosovës brenda territorit të asaj komune. U prodhua një situatë e çuditshme. Ndonëse iniciativë pa asnjë efekt ligjor në nivelin shtetëror, ajo u pa me vëmendje si një tendencë e qartë se partitë pro-serbe do të ushqejnë politika në atë drejtim, e në veçanti në dritën e fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit. Tash me Millo Gjukanoviq jashtë skene, rezistenca do të ishte më e pakët.

Dy proponentët më të shquar të Serbisë në Mal të Zi, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, nuk do shumë mend që qëndrojnë prapa çdo iniciative dhe diskursi në nivelin politik për kundërshtim të shtetit të Kosovës. Ishin saktësisht këto dy politikanë dhe kjo komunë që Vuçiq vizitoi me të hyrë në shtetin malazias.

Këtë njoftim ai e bëri në rrjetin e tij në Instagram. “Me miqtë e mi të vjetër, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, në Zetë”, shkroi shkurtazi ai.

Ishte edhe vetë Knezheviq i cili pas betimit të Jakov Milatoviq si President i Malit të Zi, u deklarua për mediat malaziase, i cili tha se po qe se i vjen dita të bëhet shef i ekzekutiviz malazias "nuk është aspak fshetësi për askënd që do ta nënshkruaja çnjohjen e Kosovës", dhe kjo edhe pas takimit me Vuçiqin.

Për çfarë deklarate po bëhet fjalë?

Nacionale ka biseduar me aktivistin nga organizata jo-qeveritare “Alternativa Crna Gora”, Vesko Pejak, si dhe redaktoren për politikë në gazetën e Podgoricës “Vijesti”, Biljana Matijaseviq, për të marrë një koment se a ka në fakt vlerë një gjë e tillë. Që të dy përgjigjen negativisht: Nuk ka kurrfarë vlere në aspekt politik. Por, pse u bë? Në funksion të fushatës para-elektorale për zgjedhjet parlamentare që mbahen në qershor.

“Edhe po qe se Komuna e Zetës (e udhëhequr nga Fronti Demokratik) do ta miratonte këtë iniciativë, ajo s’ka kurrfarë vlere ose force ligjore në nivelin shtetëror”, thotë Biljana Matijaseviq në një bisedë me Nacionalen.

Vesko Pejak, madje tregon se as brenda vetë Frontit Demokratik nuk ka unanimitet për (ç)njohjen e Kosovës, përveç asaj që një inciativë e tillë nuk ka kurrfarë peshe e as vlere politike në nivelin shtetëror.

“Po, Fronti Demokratik këtë e solli para zgjedhjeve (parlamentare). Kjo është arsyeja e vetme. Për shkak të zgjedhjeve më 11 qershor e nxorrën këtë për gjoja tërheqjen e njohjes, por nuk ka asnjë rëndësi/kuptim kjo as për shtetin e Malit të Zi e as në vendimmarrjen politike të Malit të Zi”, na thotë Pejak.

Bashkëbiseduesit tanë kanë shpjegimet e tyre se pse u inicua një gë e tillë. Frontit Demokratik, sipas Vesko Pejak, i duhen këso temash politike me karakter nacional. “Siç e dini Presidenti i Serbisë, kontrollon Frontin Demokratik. Ai do ta nxehë atmosferën politike në Mal të Zi veç sa për të nxitur disa çështje të kombësisë në Mal të Zi. Kjo i konvenon Serbisë dhe Frontit Demokratik kur flitet për kombësi, sepse duke i mbajtur në këto tema shmangen realitetit dhe çështjet ekonomike”.

Biljana Matijaseviq, gjithashtu e sheh se këto forca politike mund të shfrytëzojnë kartën e Kosovës për të shënuar ndonjë pikë politike aty-këtu.

“Kjo iniciativë dëshmon se një pjesë e partive pro-serbe (dy janë tash për tash) në aleancën politike të Frontit Demokratik, ka nisur fushatën parazgjedhore parlamentare për 11 qershor. Kjo gjithashtu konfirmon informacionet jozyrtare që këto parti do të promovojnë fuqishëm nacionalizmin serb në fushatën para-zgjedhore, duke shënjestruar votuesit pro-serbë. Dhe tema kryesore mund të jetë Kosova”, tha Matijaseviq, derisa vlefshmërinë e një iniciative të tillë e përjashton.

“I vetmi qëllim është të shënohet ndonjë poenë politike dhe të provojnë të ruajnë elektoratin nga rënia. Për tash, lëvizja qytetare Evropa Tani, ka mbështetje të madhe, dhe nëse ia del të tejkalojë problemet e brendshme, ka një shans të madh për të ardhmen e Malit të Zi bashkërisht me dy partitë e tjera qytetare”, konkludon Matijaseviq.

Presidenti i ri Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pyetur nga mediat serbe se a do të ndërrojë kurs ndaj shtetësisë së Kosovës, ka thënë se një gjë e tillë nuk është fare realiste. Kjo gjë zgjoi debat të ashpër në mesin e serbëve mbështetës të tij dhe i zhgënjeu gjerësisht.

Vesko Pejak pyetur nga Nacionalja se “sa i sinqertë ishte Presidenti Milatoviq në këtë pohim” ka një përgjigje të prerë. “Një qind për qind”, na thotë ai.

“100 për qind është e sigurt. Ai është properëndimor. Nuk tërheq asnjë vendim të Malit të Zi në 20 vitet e fundit. Ne jemi shumë kandidat serioz për anëtarësim në BE. Kjo është 100 përqind i sigurt kur ai tha që nuk ka shans që Mali i Zi të tërheq njohjen”, përfundon Pejak në një bisedë me Nacionalen.

Lajme të ngjashme