Komisioni Evropian po i dërgon Ukrainës një paketë të re ndihme prej 450 milionë eurosh - NACIONALE

Komisioni Evropian po i dërgon Ukrainës një paketë të re ndihme prej 450 milionë eurosh

1 vit më parë

nga Lirim Krasniqi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi një paketë të re ndihme për Ukrainën me vlerë 450 milionë euro dhe masa të tjera mbështetëse pas një takimi të disa komisionerëve me anëtarë të qeverisë ukrainase në Kiev. “(Bashkimi Evropian) po i dërgon një mesazh shumë të qartë sot Ukrainës dhe më gjerë për forcën dhe vendosmërinë tonë kolektive përballë agresionit brutal të Rusisë”, tha Von der Leyen në një deklaratë.

Nga ndihmat e reja financiare, 145 milionë euro janë të destinuara për ndihmë humanitare, ndërsa 305 milionë euro për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar. Njoftimi është i fundit në një seri premtimesh ndihme të bëra gjatë vizitës nga Von der Leyen dhe 15 zyrtarë të tjerë të Komisionit.

Duke folur më herët së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyi, presidentja e Komisionit tha se BE-ja do t'i sigurojë Ukrainës 150 milionë euro për pajisje energjetike, si dhe 35 milionë llamba me efikasitet energjetik dhe 2,400 gjeneratorë pas sulmeve të përsëritura ruse në infrastrukturën energjetike.

Trajnimi dhe çminimi

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell i tha kryeministrit ukrainas Denis Shmyhal se vendet e BE-së planifikojnë të trajnojnë gjithsej 30,000 ushtarë ukrainas, duke dyfishuar objektivin e mëparshëm të misionit të trajnimit ushtarak të BE-së prej 15,000 ushtarës.

Ushtarët ukrainas do të marrin trajnime të specializuara si dhe udhëzime teknike për pajisjet e reja, duke përfshirë tanket Leopard 2, tha Borrell në Twitter. Borrell gjithashtu ndau planet me Shmihalin për t'i dhënë Ukrainës 25 milionë euro për të ndihmuar në financimin e operacioneve të çminimit.

Von der Leyen tha se mbështetja ekonomike, humanitare dhe ushtarake e BE-së për Ukrainën deri më tani arrin në pothuajse 50 miliardë euro.

Qendra për mbledhjen e provave të krimeve të luftës

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel pritet të mbërrijë të premten për një takim me Zelenskiy, ku do të diskutohen më tej ambiciet e Ukrainës për t'u anëtarësuar në BE. Qeveria ukrainase shprehu shpresën e saj për të nisur negociatat formale të anëtarësimit "sa më shpejt dhe me sukses të jetë e mundur".

Von der Leyen vlerësoi "përparimin mbresëlënës" të Ukrainës të enjten, por pranimi është një proces shumë kompleks dhe i gjatë i reformave ligjore dhe përafrimi me BE-në. Mbështetja e BE-së për planin 10-pikësh të shpallur më parë të Zelensky për paqen, rindërtimin e Ukrainës dhe drejtësinë për krimet e luftës të kryera nga Rusia do të jetë gjithashtu në agjendën e së premtes. /Nacionale/

Lajme të ngjashme