Kërcënimi me ‘aksent të armiqëve’ shtyu seancën për disa orë, deputetët mblidhen përsëri në 20:00
Përpjekja e 42-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e cila ishte planifikuar për të nisur të shtunën në orën 11:00, dështoi të realizohej për shkak të një kërcënimi me bombë. Kërcënimi, sipas autoriteteve, doli të jetë ‘i rremë’.
Pas hetimeve nga autoritetet, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, konfirmoi se alarmi ishte i rrejshëm. Kryeprokurori madje tha edhe diçka goxha të çuditshme, duke deklaruar se bëhet fjalë për një person me ‘aksent të shteteve jomike’.
“Deri më tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket, sa i përket rezultateve. Patjetër se hetimet do të vazhdojmë sa i përket prejardhjes së kërcënimit, apo më mirë të themi, thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim, i cili ka qenë me zë mashkulli, në gjuhën angleze, me një aksent që ne mendojmë që është i shteteve jo mike. Për momentin janë të gjithë këto informacione”, ka thënë Gashi.
Ai shpjegoi se Policia e Kosovës, së bashku me Prokurorinë, kishte ndërmarrë menjëherë veprime dhe kishte kontrolluar të gjitha zonat e Kuvendit. Sipas tij, për momentin, hetimet po vazhdojnë për të zbuluar origjinën e thirrjes anonime dhe identitetin e kërcënuesit.
Seanca e 42-të konstituive do të vazhdojë më vonë, në orën 20:00, por disa deputetë janë shprehur të shqetësuar rreth vazhdimit të seancës pa përfunduar ende kontrollet e sigurisë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e quajti të çuditshmëm vendimin për të caktuar vazhdimin e seancës pa përfunduar ende kontrollet e sigurisë në Kuvend.
“Pa dashur të hyjmë në spekulime, por ftesa për seancë në orën 20:00 është, të paktën, e çuditshme. Kontrolli në Kuvend pas alarmit për bombë ende nuk ka përfunduar. Nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga Policia. E megjithatë, dërgohet ftesa për seancë – sikur gjithçka është në rregull. Si po e di kryesuesi se ambientet janë të sigurta dhe se puna mund të vazhdojë pa asnjë pengesë? P.S. Edhe në këto momente, ndërsa po e bëj këtë postim, Policia ende po i kontrollon hapësirat e Kuvendit”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Nga ana tjetër, deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selemi, kërkoi që ky kërcënim të trajtohet me seriozitetin e duhur, duke theksuar se nuk mund të shihet si një rast i rastësishëm.
“Kërcënimi i fundit me bombë në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk duhet të shihet si një rast i izoluar. Ky kërcënim vie në një kohë të acaruar e të tensionuar gjithandej. Institucionet tona janë në shënjestër jo vetëm nga individ apo mbetje të strukturave ilegale brenda vendit që nuk e duan stabilitetin institucional, por edhe nga një strategji më e gjerë e Serbisë për të mbajtur Kosovën në krizë të vazhdueshme. Serbia vazhdimisht ushtron presion politik, diplomatik dhe psikologjik mbi Kosovën, përfshirë përpjekjet për destabilizim përmes propagandës dhe kërcënimeve hibride”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.