“Ke shkarkuar 7 sekretarë”, “Të ka kalu vetëm një ligj”: Opozita e “gozhdon” ministren Hajdari - NACIONALE

“Ke shkarkuar 7 sekretarë”, “Të ka kalu vetëm një ligj”: Opozita e “gozhdon” ministren Hajdari

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare kanë hedhur një mal me akuza në drejtim të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e saj, duke ia ka përmendur dënimin e gjykatës për fshehje të pasurisë dhe duke e akuzuar për dallavere me grurin për rezervat shtetërore si dhe keqpërdorime tjera.

Në debatin parlamentar, ku është diskutuar për punën e kësaj ministrie, deputetët e opozitës kanë thënë se gjatë mandati të saj ministrja Hajdari ka shkarkuar më shumë sekretarë se që ka miratuar projektligje.

Kritikat me të ashpra i kanë pasur deputetët e PDK-së, të cilët edhe kanë propozuar edhe projekt-rezolutë për shkarkimin e saj.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, shumë shpejt do të paditet për vepër penale.

Një prej skandaleve më të mëdha i kemi rezervat shtetërore. Procedurat që janë klasifikuar si sekret shtetëror për rezevat shtetërore janë të kundërligjshme dhe po ju themi se për këtë do të iu padisim dhe do të iu ndjekim në gjykatë. Pse? Vendi ku ruhen rezervat është normale me kanë sekret shtetëror. Mirëpo, sa është blerë, si është blerë, procedura, kompania, këto nuk mund të jenë sekrete shtetërore”, ka thënë Tahiri.

Ai ka bërë me dije se padia shumë shpejt do të dorëzohet në organet e drejtësisë.

Tahiri ka thënë se për një vit kësaj ministre iu ka miratuar vetëm një projektligj.

Në vitin 2022 ministrja kish pasur 18 ligje në agjendën e legjislative, dhe a e dini sa i kanë kalur prej tyre? Vetëm një. Pra vetëm projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve. Dhe ligji për përcaktimin e çmimeve tavan që është në Gjykatën Kushtetuese. Pra, që nuk ka hy në fuqi.”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se kjo tregon mos efikasitetin e kësaj ministrie.

Kurse, deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala, ka kërkuar sqarime pse janë shkarkuar 7 sekretar në këtë ministri.

Si ka mundësi 7 sekretarë me u shakru për një gjysmë mandati? A nuk janë normal intelektualisht, njerëzisht, juridikisht, apo nuk është qeveria. Shtatë sekretar pse i shkarkuar?”, ka deklaruar Shala.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ia ka përmendur ministres edhe të gjeturat e Auditorit.

Le të kujtojmë skandalin dhe arsyetimin banal të ministres kur deklaroi se 'Unë nuk e kam përplasur fëmijën, po ai është hedhur në veturën time'. Kujtojmë edhe lajmin kur Agjencia Kundër Korrupsionit dorëzoi kallëzim penal kundër ministres në lidhje me raportimin e pasurisë” , është shprehur Bunjaku.

Kritika për ministren ka pasur edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj. Ai ministren e Hajdarit e ka quajtur ministri të paaftësisë.

Ne si spektër politik dhe qytetarët jemi pajtuar që emri i Ministrisë suaj e ka emrin ministria e paaftësisë. A e keni pyetur ndonjëherë veten se kur të largoheni nga kjo pozitë për çfarë do të mbaheni mend?”, ka thënë Lekaj.

Ministrja Hajdari i mohon akuzat

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i ka mohuar të gjitha akuzat e opozitës.

Ajo ka thënë se deputetët e opozitës nuk po ofrojnë asnjë argument.

Thoni që ka skandale të vazhdueshme, a janë dokumentuar në ndonjë raport të Auditorit këto skandale sepse kemi pasur një auditim. Për projektin e Bankës Botërore, ka qenë projekt huamarrje nga Qeveria për bizneset. Ju shpifni që ne kemi dhënë para për Dubai dhe kjo është shpifje sepse nuk ka ndodhur asnjëherë. Ju shpifni por nuk argumentoni”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për shkarkimin e sekretareve, duke mohuar se kanë qenë 7.

Emërimi dhe shkarkimi i shtatë sekretarëve permanentë, ju i pasket gjetë shtatë, unë e di që janë më pak. Unë nuk kam asgjë personale me asnjë zyrtar. Angazhimi i ekspertëve, 1000 euro ditën. Po i nderuar 1000 euro ditën, por a keni pasur ndonjëherë politikë industriale për Kosovën, asnjëherë”, është shprehur Hajdari.

Në mbrojtje ministres i ka dalë edhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se në këtë ministri ka pasur skandale kur ajo është drejtuar nga PAN-i.

“Zoti Shala juve që jeni kryetar i Komisionit për Ekonomi, është e papranueshme duke marrë parasysh që keni qenë partner koalicioni me AAK-në dhe Nismën. Dhe ne e dimë se çka ka ndodhur në atë ministri, jo veç që është keqmenaxhu, por është abuzuar skajshmërish. Në kohën tuaj janë zënë me drogë në atë ministri”, është shprehur Kusari-Lila.

Në fund të debatit, projekt-rezoluta e PDK-së për shkarkimin e ministres Hajdari nuk është hedhur fare në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Kjo projekt-rezolutë pritet të hedhet në votim në njërën nga seancat e ardhme të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme