Kaosi në bord: A po tenton pushteti ta mbajë Adi Krastën në krye të RTK-së deri pas zgjedhjeve? - NACIONALE

Kaosi në bord: A po tenton pushteti ta mbajë Adi Krastën në krye të RTK-së deri pas zgjedhjeve?

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Në mbledhjen ku pritej hapja e zarfeve me emrat e kandidatëve për drejtor të RTK-së, pati një kaos të vërtetë.

Nacionale duke u thirrur në burimet e veta, raportoi ditën e djeshme se mbledhja u ndërpre pa asnjë dakordim se kur do të caktohet mbledhja e radhës, dhe pa hapjen e zarfeve.

Shkak për këtë është bërë përplasja ndërmjet anëtarëve aktualë të bordit të RTK-së, dhe anëtarëve që kanë dhënë dorëheqje.

Sipas burimeve të gazetës, Besnik Boletini, nuk pranonte ta udhëheqë mbledhjen, dhe dje ishte në lidhje online. Njëjtë, mbledhjen nuk pranonte ta udhëheqtë as nënkryetarja e Bordit, Albulena Mehmeti, e famshme për postimin skandaloz pas rastit të Slobodna Bosnës.

Zyra Ligjore e RTK-së kishte dhënë sqarim se anëtarët e dorëhequr duhet të qëndrojnë në detyrë edhe 3 muaj sipas ligjit, megjithatë aty nuk përcaktohej se kush e drejton mbledhjen.

Në këtë situatë, komplet mbledhja mbeti e bllokuar, dhe zarfet me emrat e kandidatëve për drejtor të RTK-së nuk u hapën.

Më shumë se një keqkuptim ligjor, jozyrtarisht është mësuar se ky mund të jetë një plan për shtyrjen sa më shumë të procesit për drejtor gjeneral të RTK-së.

Burimet i kanë thënë Nacionales se anëtarët e mbetur të bordit, me direktivat e pushtetit, kanë tendencë për ta mbajtur si U.D Drejtor, Adi Krastën, i cili edhe dje ishte në mbledhjen e Bordit.

“VV-së i konvenon që Adi Krasta të mbetet drejtor deri pas zgjedhjeve, andaj procesi për drejtor gjeneral mund të prolongohet”, kanë thënë burimet për Nacionalen.

Në fakt një gjë e tillë nuk është informacion i ri. Juristja e medias, Flutura Kusari, kishte shkruar në rrjete sociale para disa ditësh,

“Ne anen tjeter, me sa kuptova nga burimet, ky konkurs eshte i destinuar te deshtoje ashtu qe Adi Krasta te rrije UD i drejtorit deri sa te mbahen zgjedhjet parlamentare ne Kosove, se iu duhet gjate fushates. Mirepo, mund ti kem edhe infot e gabuara dhe konkursi te rezultoje me nje drejtor per te cilin do ta na kete zili e gjithe Europa. Kete do ta kuptojme se shpejti. Ne konkursin per drejtor te pergjithshem menjehere kur u pati emeru bordi dhe kishte shprese per meritokraci, paten apliku diku 16-17 persona. Ta shohim sa po aplikojne tash, sa njerez besojne qe do te kete meritokraci”, kishte shkruar ajo.

Për t’i konfirmuar këto dyshime, Nacionale ka dërguar pyetje zyrtare në adresën e Bordit të RTK-së, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Radio Televizioni i Kosovës ka mbetur pa Drejtor Gjeneral që nga dorëheqja e Shkumbin Ahmetxhekajt. Ky televizion ka mbetur edhe pa ushtrues detyre të drejtori, që ishte caktuar Zana Spahiut. Kjo e fundit ka dhënë dorëheqje pas skandalit me lajmin e rremë të ‘Slobodna Bosnës, i cili ishte publikuar në Lajmet Qendrore, e ku Nacionale dhe Periskop etiketoheshin si media që financohen nga Serbia.

Gazeta Nacionale ka mësuar se emrat që ia kanë mësyrë pozitës së Drejtorit të Përgjithshem të RTK-së. Këta emra janë Nexhmedin Spahiu, Lorik Arifaj dhe Naser Thaçi.

Nuk dihet nëse potencialisht mund të ketë edhe kandidatë të tjerë pasi zarfet nuk janë hapur.

Lorik Arifaj, i cili ka punuar në këtë televizion prej vitesh, më herët ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Përgjithshëm të RTK-së.

Edhe Naser Thaçi punon në televizionin publik. Më herët ai e ka qenë redaktor përgjegjës në RTK 4.

Kurse, Nexhmedin Spahiu, është analist politik i afërt me partinë në pushtet.

Lajme të ngjashme