“Kanë qenë angazhim ekskluziv i ShBA-së”: Osmani mohon meritat e qeverive të kaluara për njohjet, ia atribuon vetes njohjet e fundit
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kontestuar kontributin e institucioneve që e kanë shpallur pavarësinë e Kosovës në sjelljen e njohjeve të reja për shtetin më të ri në Evropë.
Ajo ka bërë me dije se numri i madh i njohjeve pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë rezultat i punës së ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, të cilin e ka pasur shef, ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe institucioneve të kohës.
Osmani ka vlerësuar se ato njohje kanë qenë angazhim ekskluziv i ShBA-së. Ndërsa për tri njohjet e fundit që kanë ndodhur vitin e kaluar meritat ia ka atribuuar vetes.
Gjatë një intervistë në emisionin “Pressing”, Osmani ka thënë se ajo e di se si i kanë ardhur Kosovës njohjet pas shpalljes së pavarësisë.
“Ne duhet ta kuptojmë që ne nuk jemi më prioritet në tavolinat e botës demokratike qysh kemi qenë në vitin 2008. Unë atëherë kam qenë shefe e stafit te presidentit dhe e kam parë si kanë ardhur njohjet. Kanë qenë angazhim ekskluziv i shtetit amerikan dhe ne jemi angazhuar pak a shumë sa kemi arritur. Pastaj pat ulë dinamika”, ka thënë Osmani.
Ajo ka pretenduar se njohje e fundit janë si rezultat i punës së saj.
“Rezultat janë të qarta aleanca me SHBA-të është më e fuqishme se kurrë më parë, aleanca me shtete evropiane është jashtëzakonisht e fuqishme, aleanca me shtete e kontinenteve tjera, të cilat kurrë as nuk janë vizituar e as nuk ka kontaktuar nga askush prej Kosovës në të kaluarën, janë edhe këto me të fuqishme se kurrë më parë”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, kryeministrit Albin Kurti dhe ish-kryediplomatja Donika Gërvalla nuk kanë asnjë kontribut në njohjet që i kanë ardhur Kosovën vitin e kaluar.
Ajo ka lënë të nënkuptohet se në sjelljen e këtyre njohjeve nuk kanë pasur gisht aleatët e Kosovës.
“Kemi njohje të reja, të cilat natyrisht kanë ardhur vitin e fundit për shkak se njohjet nuk vijnë vetvetiu, vijnë pas një pune të gjatë që e kemi bërë ne si presidencë”, ka thënë ajo.
Ish-presidentja ka tentuar të marrë edhe meritat për njohjen e reja që do të vijnë Kosovës në të ardhmen.
Ajo nuk ka treguar se cilat mund të jenë këto njohje, por ka thënë se në të ardhmen do të vijnë edhe njohje tjera.
“Ka edhe shumë njohje të tjera që kanë qenë në pritje dhe plani ka qenë që unë t`i vizitojë gjatë muajve shkurt dhe mars, por për fat të keq për shkak të zhvillimeve të brendshme u bë e pamundur dhe që unë jam e bindur që do të vijnë në të ardhmen e afër për shkak të punës së jashtëzakonshme që kemi bërë”, është shprehur ajo.
Gjatë Qeveria Kurti 2 dhe 3 kur Vjosa Osmani ka qenë presidente, Republika e Kosova është njohur vetëm nga tri shtet.
Madje, njohja nga Kenia, Sudani dhe Siria kanë ardhur vetëm në vitin 2025.