Kabineti për Qeverisje të Mirë i PDK-së, “nën hije” - NACIONALE

Kabineti për Qeverisje të Mirë i PDK-së, “nën hije”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën e kaluar, PDK-ja shënoi 23-vjetorin e themelimit. Ky përvjetor u shënua në frymën e ndërmarrjes së disa reformave që e kanë për qëllim hapjen e këtij subjekti politik.

Për të qenë më aktive në opozitarizmin e saj, kjo parti e ka themeluar Kabinetin për Qeverisje të Mirë. Themelimi i këtij kabineti është bërë me entuziazëm të madh, por, deri më tani, nuk është se ka treguar ndonjë rezultat. Kanë kaluar disa muaj dhe ende ky kabinet nuk është funksionalizuar në tërësi. Deri më tani, dihen vetëm disa koordinatorë të departamenteve të caktuara. Më aktivi prej tyre është koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben M. Mustafa.

Njohësit e rrethanave politike kanë bërë me dije se ky kabinet, deri më tani, ka qenë “nën hije”.

Ata kanë deklaruar se kabineti duhet të aktivizohet në të gjitha fushat.

Politologu Avdi Smajljaj ka thënë për gazetën Nacionale se kabineti, deri më tani, ka qenë shumë pasiv.

"PDK-ja duhet të reflektojë për lëshimet e veta dhe t’i bëjë përmirësimet e nevojshme. Përmirësime, jo ashtu siç kërkon qasja populiste, joracionale e partisë në pushtet, por në bazë të një vetëkritike. Kjo do t`u ndihmonte edhe demokracisë, edhe vendit. Në reformat e fundit në PDK, duhet pasur kujdes që të mos bëhen ndryshime kozmetike, por substanciale. Qeveria nën hije mbetet për të qenë me aktive", ka thënë Smajljaj.

Edhe analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë për gazetën Nacionale se ky kabinet duhet ta bëjë betejën kryesore me Qeverinë.

"PDK-ja, si parti kryesore opozitare, tash ka përgjegjësi të tjera më të mëdha edhe për mbikëqyrjen e gabimeve të mundshme të kësaj qeverisjeje. PDK-ja duhet të jetë në hap me kohën. Duhet të jetë, po ashtu, vetëkritike dhe pranuese e dështimeve te mëdha gjatë qeverisjes së saj. Kabineti në hije, deri më tani, vetëm ndër hije ka qenë. Nuk është vërejtur shumë ose aspak. Ky kabinet duhet ta bëjë betejën me Qeverinë", ka thënë Raci.

Këshilli Politik mund ta ndihmojë partinë

Në 23-vjetorin e themelit, PDK-ja e ka themeluar edhe Këshillin Politik si organ këshillëdhënës të partisë.

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë thënë se ky këshill mund ta ndihmojë partinë me këshilla profesionale.

Këshilli i 'pleqve' mund të ndihmojë me ndonjë këshille profesionale, edhe pse disa emra aty janë me autoritet të dëmtuar, gjë që do ta dëmtonte edhe PDK-në pastaj. PDK-ja duhet ta bëjë lidhjen me vlerat me të cilat krenohet, si lufta e shtet-formimi dhe me krijimin e aftësive për të ofruar zgjidhje për sfidat e reja shoqërore", ka thënë Smajljaj.

Ndërsa analisti Gazmir Raci mendon se kjo parti po mundohet që t’i rikthejë rreth vetes themeluesit e saj, por ka një paralajmërim.

"PDK-ja po tenton të i rikthejë rreth vetes të gjithë themeluesit dhe kontribuuesit e saj, që e kanë mbajtur shumë vjet në pushtet, por duhet pasur kujdes që mos t`i rehabilitojë personat të cilët kanë pasur probleme me ligjin gjatë kohës së qeverisjes së tyre, si në nivelin qendror, por edhe në atë lokal, sepse për shkak të keqqeverisjes, PDK-ja pësoi humbje të madhe dhe ka ende probleme me imazhin e rrënuar politik", ka thënë Raci.

Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi ka thënë se anëtarë të Këshillit Politik do të jenë personalitete të shquara.

Anëtarët e Këshillit janë personalitete të jashtëzakonshme, me kontribut kombëtar e institucional, që, si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj, i kanë shërbyer vendit në detyra të rëndësishme udhëheqëse, në institucione të ndryshme të nivelit qendror e lokal. Duke qenë dëshmitar direkt i kontributit të tyre, për mua është nder i madh që, si kryetar i PDK-së, tani në parti ta kemi edhe Këshillin Politik me përbërje të tillë", ka thënë Krasniqi.

Këshilli do të ketë 31 anëtarë. Koordinator i Këshillit Politik do të jetë Akademik Arsim Bajrami, ndërsa anëtarë të këshillit janë: Agim Çeku, Agim Zogaj, Avni Kastrati, Bajram Mulaku, Basri Musmurati, Daut Xhemaili, Drita Kadriu, Fadil Beka, Flora Brovina, Gani Koci, Hasime Krasniqi, Ismail Syla, Kadri Kryeziu, Latif Gashi, Laura Guguli, Lumnie Morina, Lumnije Rama, Mehdi Bektashi, Mexhide Topalli, Minir Krasniqi, Ramadan Muja, Ramiz Fazliu, Sabri Tahiri, Sala Ahmeti, Salie Mustafa, Selvie Halimi, Shaban Shabani, Shemsi Veseli, Skender Ahmeti dhe Zahrie Isufi.

Pakënaqësitë me reforma

Në prag të përvjetorit të 23-të të themelimit të PDK-së, disa zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë shprehur pakënaqësi me udhëheqësinë e re të partisë. Fillimisht, ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit Ramë Buja, njëri nga themeluesit e kësaj partie.

Në letrën e dorëheqjes, ai është shprehur se ka pasur mungesë të plotë të komunikimit kryetar - nënkryetar, duke shtuar se asnjëherë nuk ka qenë në zyrën e kryetarit të partisë.

Ai madje ka thënë se kryetari Memli Krasniqi nuk ka shprehur fare interesim për nismat e tij për prurje të të rinjve në PDK.

Unë e bëra këtë veprim, duke mbetur, megjithatë, anëtar i partisë dhe i Këshillit Drejtues të saj. Me disponim të përhershëm për të ndihmuar në fuqizimin dhe dinamizimin e veprimeve të mëtutjeshme, jo në përgjumje!” ka thënë Buja në letrën e tij.

Më pas, pakënaqësi ka shprehur edhe deputetja Ganimete Musliu.

Partia Demokratike, nga një parti e vlerave kombëtare dhe shtetndërtuese, po shndërrohet në një “Parti-Pronë” e një grupi të vogël interesi, i cili me çdo veprim e synon ikjen nga identiteti i saj. Nuk e shoh të arsyeshme të bëhem numër në një konventë e cila nuk e thotë as edhe një fjalë të vetme kundër padrejtësive që po u bëhen ish-liderëve dhe ish-themeluesve, krenarisë së PDK-së dhe të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. PDK-ja ka shkëlqyer me heshtje në këtë drejtim, duke krijuar huti dhe pasiguri në elektorat", ka thënë Musliu.

Lajme të ngjashme