Joseph: ''Liderët e Kosovës duhet të kenë shumë kujdes në mbajtjen e zgjedhjeve në veri'' - NACIONALE

Joseph: ''Liderët e Kosovës duhet të kenë shumë kujdes në mbajtjen e zgjedhjeve në veri''

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Profesori amerikan, Edward Joseph, i konsideron të papranueshme deklarimet Vuçiqit se nuk do të zbatojë të plotë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj që u arrit në Ohër.

Ai si njohës shumë i mirë i Ballkanit dhe ekspert i politikës së jashtme, konsideron se Kosova dhe Serbia nuk janë afër marrëveshjes finale.

Ndër të tjera në një intervistë për KosovaPress, ai shprehet se liderët e Kosovës do të duhet të kenë shumë kujdes në mbajtjen e zgjedhje në veri. Kjo si shkak se nëse ndodh ndonjë incident, do të shkonte në favor të Vuçiqit, dhe ai do të përfitonte më së shumti.

“Çfarë do ta dëmtonte Kosovën, një lloj loje që dëshiron Serbia, të ketë një lloj konfrontimi, mendoni për atë se çfarë do të përfitonte më shumë Aleksandër Vuçiq. Ai do të përfitonte më së shumti nëse mbahen zgjedhjet dhe ka incidente, por ne kemi KFOR-in, duhet të shikojmë nga KFOR-i për trajtimin e kësaj çështjeje, shpresojmë se ata do të merren me këtë, kjo është një mënyrë’’- shprehet Joseph.

Ai gjithashtu vlerëson se gjë tjetër që do ndikonte për keq në anën e Kosovës e për mirë në anën e Serbisë, do të ishte nëse pothuajse asnjë serb nuk voton. Sipas Joseph, serbët do të thonin se populli doli dhe nuk votoi.

‘’Mënyra tjetër është se ai do të mund të përfitonte nëse mbahen zgjedhjet dhe pothuajse asnjë serb nuk voton. Pra, ai do të përfitonte, Beogradi do të përfitonte nga kjo. Ata do të thoshin shikoni, kjo është një farsë, ata nuk po e dëgjojnë popullin, populli nuk doli dhe nuk votoi. Kështu që liderët e Kosovës duhet të mendojnë për këtë, të mendojnë për pasojat e kësaj, dhe përfitimin e Beogradit nga një gjë e tillë, është gjë shumë e keqe’’- thotë Joseph.

Joseph ndër të tjera thotë se Vuçiqi pas takimin në Ohër, fjalët e para që do të duhej t’i thoshte, do të duhej të ishin drejt inkujarimit të serbëve të Kosovës që të kthehen në institucione e të marin pjesë në zgjedhje, por ai nuk e bëri një gjë të tillë, përkundrazi ishte negativ që nga fillimi.

‘’Fjalët e para të Aleksandër Vuçiqit pas takimit në Ohër, do të duhej të ishin ‘inkurajoj serbët e Kosovës që të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në zgjedhje’. Pastaj ai do të mund të thoshte se nëse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj, atëherë unë do t’i rishikoj zotimet tona. Ai ka mundur ta thoshte këtë, dhe do të ishte e drejtë ta thoshte, mirëpo ai ka qenë negativ që nga fillimi, dhe ne kishim negativitet edhe këtu”- shprehet Joseph.

Ai vlerëson edhe se fatkeqësisht nuk jemi afër marrëveshjes finale, dhe se gjërat do të ishin shumë më ndryshe e më pozitive nëse të gjithë anëtarët e BE-së dhe NATO-s do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.

‘’Problemi i vërtetë këtu është fakti që Kosova nuk njihet nga BE-ja dhe nga të gjithë anëtarët e BE-së, dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, po të ishte e njohur, atëherë gjithçka do të ishte ndryshe, do të kishim një shteg tjetër këtu, dhe do të kishte një marrëdhënie shumë më të qetë me Serbinë dhe do të kishte njohje, por ky nuk është realiteti, pra, ne duhet të merremi me realitetin, ashtu siç është”- thotë Joseph.

Si fund Joseph, deklarimet e Vuçiqit që nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, i konsideron të papranueshme.

“Këto lloj komente janë krejtësisht të papranueshme, sepse sipas BE-së dhe SHBA-së, është ligjërisht e obligueshme. Edhe vet marrëveshja, një nga dispozitat e marrëveshjes, thotë, të gjitha dispozitat janë njëlloj të obligueshme, vet marrëveshja e thekson këtë. Kështu që nuk mund të zgjedhësh, të zgjedhësh cilat dispozita të marrëveshjes do t’i zbatosh, ta zbatosh këtë obligim e jo atë obligim’’- thotë Joseph.

Lajme të ngjashme