I fyen se s’pranuan të identifikohen me "lajmin" e Rilind Gërvallës, ish-gazetari Basha terr-e-zi për gazetarët e RTK-së
Dimal Basha s’është distancuar kurrë nga monologu i tij prej gazetari në “Rrokum TV” dikur kur fliste për “kulturën e dhunës të instaluar në Lëvizjen Vetëvendosje”.
Shëmbëlltyra e Vetëvendosjes, e elaboronte gjerë-e-gjatë ish-gazetari Dimal Basha, përfytyrohet me "dhunë".
Nuk dihet nëse LVV-ja ia ka kërkuar këtë distancim, por Dimal Basha sot është – praktikisht – deputeti i angazhuar i kësaj organizate në denoncimin thuajse ontologjik të mediave.
Vrerin e tij ndaj mediave e gjuan publikisht pa kurrëfarë konsekuence, në rastin e fundit “Nacionalen” dhe “Periskopin” duke i quajtur "media kriminale dhe argate të Serbisë".
Dhe kjo, mbi bazën e një artikulli në një media skajshmërisht kontraverze si “Sllobodna Bosna” që ndërtoi një gjoja “hulumtim” pa autor, pa fakte, evidenca, pa asnjë grosh prove, shifre objektive, copëze informacioni të matshme e të prekshme, pa asnjë letër që shënon diçka-disi-dikund – hiç asgjë.
“Këta janë kriminelë që fshehen pas petkut gazetaresk për me ia bë argatin Serbisë!”, shkroi Basha ditën kur RTK-ja, me direktivë të Rilind Gërvallës, drejtor i instaluar nga VV-ja në televizionin publik, e dha atë tekst në lajmet qendrore.
Kur nga ky i ashtuquajtur lajm i porositur u distancuan gazetarët më me nam të RTK-së, kur u shpërfaq prej A-së deri në Zh mënyra se si ky lajm u ngjit deri te lajmet qendrore, kur u gjetën se mesatarja e lajmeve të rreme të këtij mediumi është mbi 150 në vit, Basha nisi sulmin ndaj gazetarëve të RTK-së.
Redaktori Jeton Musliu e dha fije për pe presionin e ushtruar nga Rilind Gërvalla përbrenda RTK-së, ku si ‘strongman’ i partisë mbi televizionin publik, e imponoi atë në lajme qendrore përkundër “absurditetit”, siç e tha Musliu, që përbënte ai lajm.
Distancimi si domino-efekt përbrenda RTK-së i gazetarëve, Bashën e la të shtangur dhe nisi sulmin e presionin ndaj po atyre. Tash më Basha s’i tha hulumtim atij shkrimi famëkeq të Sllobodna Bosnës, por e frazoi veç si përkthim.
“Liria e ‘distancerave’ na dha të kuptojmë edhe se çfarë gazetarë janë!! Për shembull, për me u ndje keq për nivelin e ‘distancerave,’ ka qenë momenti kur iu bashkuan Nacionales, Albanian Post e Metros për me ia qajtë hallin RTK-së!”, shkroi ai.
“Gazetarët e lirë të RTK-së dolën në sulm kundër shtëpisë së tyre, për tu shpall ‘heronjë’ në ballinat e Nacionales, Albanian Post dhe Metros!”, vazhdoi ai.
Basha në frazat e tij morbide e ngarkoi edhe më tej sulmin: “Na treguan se ku qëndrojnë”.
“Kjo na dëshmon se liria e shprehjes është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse të shpërfaq! Nuk kishim pas mundësi m’i njoftë ndryshe, përveq se m’i lënë t’lirë t’shprehen që me na kallzu vet ku dhe me kënd qëndrojnë!”, vazhdoi ai.
Distancimi i gazetarëve të RTK-së
Ajo çka nën zë thuhej e dihej për presionet dhe shtrëngimet përbrenda RTK-së që nga instalimi politikisht i Rilind Gërvallës nga Lëvizja Vetëvendosje për të drejtuar televizionin publik, tashmë doli në qiell të hapur.
Plasimi i lajmit të rremë e të pretenduar për “hulumtim” të Slobodna Bosnës në lajmet qendrore të RTK-së ku u sulmuan Nacionale dhe Periskopi mbi bazën e një thashethemi anonim për gjoja në shërbim të Serbisë, shkaktoi lëkundjet teknonike brenda këtij institucioni.
Redaktori i lajmeve qendrore Jeton Musliu i qiti krejt të zezat e Rilind Gërvallës; fije-për-pe e dha për publikun intenzitetin e presionit dhe shtrëngimit redaktorial.
Qe momentet më domethënëse që i qiti në pah Musliu.
U kërkua nga redaksia verfikimi i përmbajtjes së atij teksti të Sllobodna-Bosnës – tekst ky pa autor, pa fakte, pa evidenca e prova, pa asgjë të prekshme e matshme, as shifër objektive, hiçasgjë përveç një thashethemi anonim të një “bashkëbisuedi nga Kosova”. Teksti, shpjegoi ai, ishte dërguar “i përkthyer tërësisht”, siç edhe u lexua në lajmet qendrore pa asnjë ndërhyrje.
“Jam i gatshëm të bart përgjegjësinë, sido që të jetë ajo. Por jo pa u shoshitur të gjitha”, e nisi shkrimin shpjegues, Jeton Musliu, derisa edhe ndau krejt korrespondencën me eprorët e tij.
E para: Musliu e shpjegoi kronologjikisht se si erdhi deri te lajme, kush e solli, dhe si u soll. Një emër i përvetshëm del këtu: Rilind Gërvalla.
Ky e paraqiti për gjoja tekst të “Radio Sllobodna Evropës” (Radio Evropa e Lirë, shërbimi në gjuhën serbe) dhe kërkoi të bëhet si tekst në kombimin me një kronikë autorale të RTK-së.
“(Rilind Gërvalla) tha se edhe Radio ‘Slobodna Evropa’ ka publikuar nje artikull e te cilin bashke me kete artikullin autorial nga RTKlive, te behet nje kombinim. Ai tha se ‘Slobodna Evropa”’ vazhdimisht edhe duke e perditesuar lajmin”.
“Z. Gervalla dhe znj. Berbatovci u thash qe meqe behet fjale per artikull te publikuar se pari nga RTKlive si medium yni dhe Radio ‘Slobodna Evropa’ (Radio Evropa e Lire), do ta shikoj se cfare mund te bej”, e shpjegoi fillimisht ai.
Dhe pastaj, Musliu nisi të kërkoj tekstin e “Radio Evropës së Lirë” por tek më vonë ia dërgoi linkun Rilind Gërvalla e ku dola “Bosna e Lirë”
“Ne oren 13:19 minuta, drejtori Gervalla me dergoi dy linqe. I pari i artikullit nga RTKLive dhe i dyti nga ‘Slobodna Bosna’. Aty e kuptova se kot kisha kerkuar artikullin ne ‘Slobodna Evropa’”.
Kur e pa se çfarë përmbajtje kishte aty – dhe si ishte ndërtuar ajo përmbajtje – Musliu iu drejtua u.d kryeredaktores së RTK-së, duke i thënë se “kjo është absurde”.
“Shkova ne zyren e saj, dhe i thash se kjo eshte absurde. Nuk kishte fakte as deshmi per keto pretendime te nje portali boshnjak dhe se prapa mund te fshihet diçka tjeter. Për më tepër, artikulli i RTKlive dhe ai boshnjak, nuk kishin lidhje njëri me tjetrin”.
Musliu tha se u pajtuan me U.D Drejtoreshën që të mënjanohej ky absurditet, dhe të realizohej vetëm artikulli autorial i RTK-së; por se pastaj kjo e fundit ia dërgoi linkun e “RTKlive me artikullin e perkthyer ne teresi (nuk e di nga kush), nga ‘Slobodna Bosna’, duke me thënë se këtë mund ta bëj si lajm ngase nuk janë përmendur emrat (emrat e mediumeve v.j) për pjesen e Kosovës”.
Në emailin vazhdues e shpjegues Musliu e jep që inicuesi ishte Rilind Gërvalla, ndërsa ai vet ishte kundër, ku edhe u kishte shkruar eprorëve të tij se “ua kam shpjeguar në hollësi mosmiratimin tim për publikim të atij lajmi,për shkak të përmbajtjes absurde, e gjithashtu”.
Këtu Musli shpjegon “mospajtimet deri në nivel moskomunikimi me Rilind Gërvallën” si pasojë e presioneve “jo vetëm me bërtima” të këtij të fundit. Dhe këtu nis numëron rastet bashkë me kërkesën që t’i miratohet largimi nga detyra e tij prej redaktorit.