Intervistë | Nesho: Shqipëria po merr formën e një shteti të vogël putinesk në zemër të Evropës - NACIONALE

Intervistë | Nesho: Shqipëria po merr formën e një shteti të vogël putinesk në zemër të Evropës

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho, ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka bërë me dije se Shqipëria ka kohë që ka rrëshqitur nga rruga e saj demokratike.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Nesho ka vlerësuar se pushteti ka kapur gjithë institucionet dhe nuk ekzistojnë më mekanizmat e kontrollit dhe balancës.

Sipas tij, korrupsioni është masiv, kurse krimi i organizuar bashkëvepron me politikën.

Të gjitha këto cilësi, ka thënë Nesho, kanë ndikuar që Shqipëria të merr formën e një shteti të vogël putinesk në zemër të Evropës.

Në këtë intervistë të gjatë, Nesho ka folur edhe për marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai ka thënë se raportet jo të mira në mes të dy kryeministrave kanë ndikuar që të mos këtë një bashkëpunim të efektshëm në mes të dy shteteve.

Nesho, i cili ka një përvojë të gjatë në diplomaci, ka ftuar spektrin politikë të Kosovës që të qëndrojë i bashkuar dhe i fort në raport e procesin e dialogut me Serbinë.

Nacionale: Z. Nesho, Qeveria shqiptare ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Si e keni parë këtë veprim të qeverisë?
Nesho: Qeveria Shqiptare mori hapin e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit me arsyen e sulmit kibernetik të kryer nga Irani dhe që goditën dhe paralizuan infrastrukturën informatike të institucioneve të shtetit shqiptar. Por ky nuk ishte një akt i vetëm i Iranit kundër Shqipërisë. Informacionet e besueshme të ardhura nga SHBA dhe vendet tona partnere kishin vënë në dijeni për akte të tjera terroriste që ky shtet kishte planifikuar të kryente në territorin Shqiptar, vend anëtar i NATO-s, kundër opozitës Iraniane, qytetarëve amerikanë në zona të populluara nga qytetarë Shqiptarë. Një akt i tillë i ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike, veprim ekstrem në marrëdhëniet midis shteteve, ishte një veprim i justifikueshëm, i drejtë dhe i pranuar nga gjithë spektri i partive politike në Shqipëri. Ajo që opozita Shqiptare theksoi në këtë rast ishte vonesa në veprim, mungesa e transparencës përpara opinionit publik dhe mosfunksionimi i organeve të sigurisë kombëtare të shtetit ndaj një rreziku potencial që kërcënonte sigurinë kombëtare Shqiptare.

Nga ana tjetër, opozita ka ngritur çështjen e qartësisë së politikës së jashtme të Shqipërisë, fokusin në një bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE-në dhe realizimin e aspiratës së popullit Shqiptar për integrimin evropian. Që politikës së jashtme shqiptare i mungon qartësia, kjo është mëse e dukshme. Ka kohë që boshti i kësaj politike të jashtme është fiksuar në aksin Turqi-Serbi, jo për të realizuar kontratën e popullit me qeverinë për një perspektivë perëndimore, por për të ndihmuar synimet politike të kryeministrit shqiptar Rama, ambiciet dhe staturën e tij politike si një ‘lider global’ që arrin kompromise të mëdha. Vetë politika e jashtme ndaj Iranit ka qenë konfuze dhe e paqartë. Në vitin 2017, emisari i zotit Rama, ministri i jashtëm i Shqipërisë, vizitoi Iranin në një vizitë zyrtare për një zgjerim të marrëdhënieve midis vendeve dhe nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me Republikën Islamike të Iranit, në një kohë kur administrata Amerikane e kishte cilësuar si pjesë të aksit të së keqes. Arsyeja? Sigurisht influenca Turke e cila tashmë kishte krijuar trekëndëshin Rusi-Turqi-Iran.

Nacionale: A mund të sjell ndonjë pasoj për Shqipërinë ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike?
Nesho: Mendoj që pasojat direkte të ardhura nga Irani do te jenë minimale, për arsye se partnerët tanë kryesorë, si SHBA, janë tashmë prezent në Shqipëri dhe kanë forcën, informacionet dhe mjetet për të parandaluar aktet kërcënuese dhe provokuese kundër Shqipërisë, duke përfshirë edhe aktet terroriste. Mendoj që qeveria Shqiptare duhet të reflektojë tashmë ndaj politikave prioritare që ajo ka me Ballkanin e Hapur, lëvizjen e pakufizuar të individëve nga vende jo miqësore me Shqipërinë dhe NATO-n, të cilët mund të realizojnë akte destabilizuese për vendin. Është miopi politike apo interes pushteti të ndash Iranin nga Rusia, apo edhe satelitët e Rusisë, sic është Serbia, të kesh qëndrime dhe qasje të ndryshme për ta, kur ato i lidh një aleancë e ngushtë për të ndryshuar rendin ndërkombëtar të bazuar në ligj në një rend me bazë forcën dhe zonat e influencës të fuqive të mëdha.

Nacionale: Si do ta vlerësonit situatën politike në Shqipëri?
Nesho: Situata në Shqipëri nuk është ashtu siç thuhet dhe paraqitet. Shqipëria ka kohë që ka rrëshqitur nga rruga e saj demokratike. Pushteti ka kapur gjithë institucionet dhe nuk ekzistojnë më mekanizmat e kontrollit dhe balancës. Korrupsioni është masiv dhe krimi i organizuar është prezent, edhe me bashkëpunimin e tij me politikën. Për të mbajtur pushtetin me zor, kur opinioni publik është gjithmonë e më shumë i pakënaqur; kur më shumë se 45 % e popullsisë jeton nën nivelin e varfërisë, kur ekonomia e vendit nuk financohet nga investitorë të huaj por është e centralizuar për të ruajtur interesat e një grupi oligarkik; kur shqiptarët po ikin në mënyrë masive dhe pa shpresë nga vendi i tyre, forma e regjimit po bëhet më autoritariste dhe kleptokratike dhe Shqipëria po merr formën e një shteti të vogël putinesk në zemër të Europës. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është lufta e klikës qeverisëse, që përkrahet edhe nga disa forca ndërkombëtare që duan stabilitet, dhe opozitës që kërkon ndryshim dhe rikthim të demokracisë në vend. Me politikat e tij, regjimi i Ramës po e largon gjithmonë e më shumë vendin nga perspektiva perëndimore.

Nacionale: Ju jeni bërë pjesë e një partie të re, Partisë së Lirisë. Cili është modeli i opozitëbërjes që ka zgjedhur ky subjekt politik?
Nesho: Partia e Lirisë është një parti e re politike në Shqipëri me spektër të gjerë, që ju ofron shqiptarëve një mundësi për tu bashkuar në një luftë për rikthimin e demokracisë, funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e vlerave dhe parimeve perëndimore në vend. Është parti institucionale, pro perëndimore, në mbrojtje të Kushtetutës dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut. Ajo sigurisht është rreshtuar në frontin opozitar dhe në një pozicion të qartë anti-regjim, anti-korrupsion, për ti kthyer legjitimitetin institucioneve të zgjedhura nga populli. Ajo është krijuar nga Presidenti Meta në përgjigje të frymës popullore të krijuar në 2 Mars 2020 në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Ajo do të luftojë deri në fund që perspektiva e Shqipërisë të jetë anëtarësimi në BE dhe Shqipëria ti përkasë plotësisht botës së vlerave perëndimore.

Nacionale: Një nga kërkesat kryesore e keni rikthimin e referendumit. Pse mendoni se referendumi do të jetë zgjidhja?
Nesho: Rikthimi i të drejtës së popullit për referendum është një cështje që lidhet me demokracinë direkte dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për cdo gjë, por mbi të gjitha për cështjet kryesore që lidhen me të ardhmen e Shqipërisë. Kjo është një alternativë demokratike kur sot klika në pushtet ka krijuar me popullin një marrëdhënie alla Hugo Chavez të popullit me liderin. Asnjë nuk di cfarë mendon populli, asnjë nuk di se ku i bazon vendimet lideri. Në një anketë të organizuar nga qeveria dhe të përpunuar prej saj, 65 % ishin pro Ballkanit të Hapur dhe po kaq për kultivimin e kanabisit, një nonsense që nuk besohet nga asnjë mendje normale. Po të vazhdojmë në këtë mënyrë, dhe duke patur parasysh aspiratat e zotit Rama, mund të dëgjojmë nesër se populli do monarki me mbret Rama I, ose për hir të idesë së Ballkanit të Hapur të bëhemi pjesë e Jugosllavisë së re të zotit Vuqiç.

Nacionale: Partia e Lirisë më 13 shtator ka thirrur e vetme një protestë. A po e shqyrtoni mundësinë e bashkëpunimit të opozitës për të iu kundërvënë kryeministrit Rama?
Nesho: Opozita sot është e bashkuar në një front opozitar për Shqipërinë në rrezik, dhe ky front do të ekzistojë deri në largimin e këtij regjimi anti-europian dhe kundër interesave kombëtare. Protesta kundër aferës së inceneratorëve, skandalit të shekullit në Shqipëri ku nuk dihet se ku kanë përfunduar 430 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë, është një protestë që e ka thirrur Partia e Lirisë si parti që ka qenë e para që e ka denoncuar këtë aferë kriminale. Pjesëmarrja në të është e qytetarëve të ndershëm dhe të përgjegjshëm për fatet e vendit. Kjo është vetëm një nga protestat e opozitës, e cila do të vazhdojë deri në fund protestat e saj për demaskimin e regjimit dhe dhënien e llogarisë para popullit.

Nacionale: Partia e juaj është kundër nismës Ballkani i Hapur, ndërsa Rama vazhdimisht i bën presion Kosovës që të bëhet pjesë e kësaj nisme. Kosova duhet të vazhdoi ta kundërshton këtë nismë, apo duhet të ndryshoj qëndrim?
Nesho: Ballkani i Hapur është një iniciativë anti-europiane që kërkon të distancohet nga vlerat dhe parimet perëndimore, ku autokratët e Ballkanit Rama-Vuçiq kërkojnë ta kthejnë këtë rajon në një zonë të hapur për influencat ruse-kineze dhe më gjerë. Asnjë autokrat nuk kërkon vetë të pranojë standardet perëndimore të BE-së, të japë llogari për abuzimet me pronat publike dhe për pushtetin e tyre të pakufizuar. Projekti i Ballkanit të Hapur, i ideuar nga Vuçiq, i përkrahur nga Rama dhe bekuar nga Putin-Lavrov, është një projekt që kërkon rikthimin e dominimit serb në rajon dhe rigrupimin e vendeve nën një Jugosllavi të re. Këtë kërkon edhe ‘lobisti’ i Vuçiq, Timothy Less (njeriu që ka propozuar edhe ndryshimin e kufijve në linja etnike në Ballkan) - i cili kërkon diçka të rëndësishme që perëndimi duhet ti japë Serbisë, siç është EU-goslavia. Ballkani i Hapur është një iniciativë që gjithmonë e më shumë po kritikohet nga Perëndimi. Ndërsa Gjermania dhe shumë vende të BE-së e shohin Ballkanin e Hapur si një iniciativë të panevojshme dhe alternativë të Tregut të Përbashkët Rajonal, SHBA po e shikojnë me vëmendje sjelljen e regjimit të Vuçiq ndaj Moskës, me shpresë se i pari do ti bashkohet Perëndimit. Por, si Uashingtoni zyrtar ashtu edhe Brukseli kanë vendosur disa linja të kuqe që Ballkani i Hapur nuk mund t’i realizojë. Ballkani i Hapur për Rama-Vuçiq ka një agjendë politike dhe pranimi i Kosovës si vend me të drejta të barabarta është i pamundur për nacionalistët serb, që me këtë iniciativë duan të anashkalojnë Kosovën. Rama është një aventurier politik, një Esat Pashë modern, për të cilin interesat kombëtare kanë vlerë aq sa ngjyrosja e pallateve të qytetit. Prandaj Kryeministri Kurti për mendimin tim duhet të vazhdojë linjën e tij, pa u prekur nga presioni që i vjen nga Rama.

Nacionale: Kryeministri Rama dhe kryeministri Kurti nuk është se kanë raporte të mira mes vete. A po bëjnë sa duhet për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve?
Nesho: Kryeministrit Kurti mund të ketë shumë kritika si në politikat e tij të brendshme ashtu edhe në raportet që krijon midis aktorëve politikë, por lidhur me qëndrimet parimore që ai ka shfaqur në marrëdhëniet me Vuçiqin dhe Serbinë ai është një atdhetar që ka ndihmuar çështjen kombëtare së bashku me Presidenten Osmani. Është një kohë e presionit të madh ndaj Kosovës, ku lobistë të paguar mirë, organizata që duan protagonizëm dhe diplomatë perëndimorë kërkojnë një zgjidhje kompromisi nga Kosova. Ai i ka qëndruar me dinjitet presionit. Marrëdhëniet e Kurtit me Ramën sigurisht nuk kanë ndihmuar në një bashkëpunim të efektshëm në lidhjen e shqiptarëve të ndarë në dy shtete. Më tepër propagandë sesa zhvillim. Ka ardhur koha që Rama të largohet nga skena politike dhe kombi shqiptar të forcohet dhe të bëhet faktori kryesor në Ballkan.

Nacionale: Ju keni një përvojë të gjatë në diplomaci, si e keni parë qasjen e Kosovës në dialogun me Serbinë?
Nesho: Jam ndjerë si shqiptar krenar dhe kam parë dështimin e një politike shoviniste, provokuese serbe ndaj Kosovës. Sigurisht në të ardhmen kryeministri Kurti do të bëjë edhe lëshime kompromisi që nuk vënë në rrezik sovranitetin e Kosovës. Por politika në Kosovë duhet të qëndrojë fort sepse ka një çështje të drejtë që mbron dhe një engjëll mbrojtës, si Presidenti Biden. Marrëveshja duhet të përfundojë sa më shpejt, politikanët kosovarë të jenë në sulm dhe të propozojnë atë që duhet dhe të mos intimidohen nga individë që kanë agjendë të ndryshme politike, qofshin këta edhe individë amerikanë të veshur me pushtet. Personalisht kam folur hapur pro Kosovës, edhe kur individë të caktuar po përgatisnin Marrëveshjen e Uashingtonit.

Lajme të ngjashme