Intervistë | Koliqi: S’jam kontaktuar nga presidentja Osmani që të vazhdojmë punën që ka mbështetjen e Amerikës - NACIONALE

Intervistë | Koliqi: S’jam kontaktuar nga presidentja Osmani që të vazhdojmë punën që ka mbështetjen e Amerikës

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Marrë parasysh dhimbjet që i ka shkaktuar lufta, ballafaqimi me të kaluarën është një proces shumë i rëndësishëm për shoqërinë kosovare. Më poshtë keni një intervistë me njërin nga anëtarët dhe dëshmitarët e një procesi që nisi por mbeti në gjysmë për themelimin e një komisioni që do ta kryente këtë punë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi kishte krijuar një iniciativë që do të merrte mbështetje të fuqishme nga Amerika dhe nga faktorët tjerë ndërkombëtarë: themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Ekipi Përgatitor për themelimin e komisionit do të ndërpriste punën në shtator të vitit 2020, por puna e bërë prej tij do të ishte e vëllimshme dhe e vlerësuar – siç i thanë Nacionales më herët akterët e përfshirë dhe në njohuri të procesit si Marek Antoni Nowicki e Joanna Hanson, ndër tjerë.

Për fat të keq pa asnjë shpegim, e gjithë kjo punë e bërë ka mbetur në sirtarët e Presidentes Vjosa Osmani prej asaj kohe (Osmani do të ishte Ushtruese e Detyrës së Presidentes prej nëntorit 2020 e deri në prill 2021; Në prill 2021 do të zgjidhej Presidente).

Për të marrë edhe më shumë informacion me punën që është bërë dhe gjithë procesin, kryem një intervistë të shkurtër me Kushtrim Koliqin, anëtar në Ekipin Përgatitor nga shoqëria civile.

Ai e vlerëson procesin si “ndër më të mirët” në fushën e drejtësisë tranzicionale në vendin tonë, dhe për këdo që ka pasur dyshime për ndërhyrje politike (marrë parasysh reputacionin e ish-presidentit) ai jep një përgjigje të prerë.

Po ashtu, z. Koliqi tregohet i hapur që puna e nisur edhe të bitiset nëse Presidentja Osmani ndërron qëndrim për këtë çështje – derisa punën e deritashme të Qeverisë Kurti sa i përket drejtësisë tranzicionale e sheh si “të intensifikuar”.

Intervista:

Nacionale

Z. Koliqi, ju keni qenë pjesë e Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ne tashmë kemi bërë dy artikuj në lidhje me këtë çështje. Na thoni së pari vlerësimet e përgjithshme për punën e bërë?

Koliqi

Ekipi Përgatitor, në mënyrë të pavarur, për një periudhë jo të shkurtër ka punuar me përkushtim dhe profesionalizëm për të përmbushur mandatin kryesor të tij që ka qenë zhvillimi i Aktit Normativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Nëpërmes shumë aktiviteteve të organizuara, në konsultim me palët e interesit dhe me ekspertë vendorë e ndërkombëtar Ekipi Përgatitor ka arritur që të draftojë e përpilojë Aktin Normativ i cili është vlerësuar pozitivisht nga njohës të fushës. Për shkak të eksperiencës dhe ekspertizës personale, vlerësoj që ky ka qenë një prej proceseve më të mira në fushën e Drejtesisë Tranzicionale dhe Ballafaqimit me të Kaluarën që është zhvilluar në Kosovë, gjithnjë duke ndjekur e respektuar ligjet vendore dhe praktikën ndërkombëtare në këtë fushë.

Nacionale

Kjo punë është vlerësuar të jetë si shumë profesionale dhe e pandikuar politikisht nga të gjithë ata me të cilët kemi folur. Ju vetë, a keni qenë dëshmitar i ndonjë ndërhyrjeje politike në punën e EP-së?

Koliqi

Unë personalisht nuk kam ndonjë eksperiencë të ndërhyrjeve politike gjatë këtij procesi. Njëherit as nuk kam ndëgjuar që ndonjë prej kolegëve të grupit ka pasur. Pra, si angazhim dhe përvojë ka qenë shumë profesionale dhe larg ndikimit e ndërhyrjeve politike.

Nacionale

A jeni kontaktuar nga Presidentja Vjosa Osmani për punën që keni bërë?

Koliqi

Jo. Zyrtarisht nuk jemi kontaktuar nga askush prej Presidencës për këtë çështje. Nëse Presidentja Osmani ndan vlerësimin e njëjtë, si ne, që puna duhet të vazhdojë aty ku është ndalur, ne mbesim të hapur për diskutime si dhe për të dhënë kontributin tonë në këtë drejtim.

Nacionale

A besoni që duhet të vazhdojë puna për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin?

Koliqi

Sigurisht që po. Sikur edhe në vendet e tjera që kanë pasur guximin për të ndërmarrë hapa të tillë që i shërbejnë drejtësisë tranzicionale dhe ballafaqimit me të kaluarën, padyshim që një komision i tillë do të ndriqonte një pjesë shumë të rëndësishme historike të vendit tonë. Ndikimi pozitiv që mund të ketë Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në gjetjen, vërtetësinë e vulosjen e fakteve për të kaluarën, në fuqizimin e viktimave civile dhe në krijimin e politikave e rrjedhimisht në tranformimin shoqëror është i shumë i rëndësishëm për shoqërinë kosovare.

Nacionale

A shihni ndonjë ndryshim në qasje sa i përket drejtësisë tranzicionale në vendin tonë pas ardhjes së Qeverisë së re vitin e kaluar?

Koliqi

Po, Qeveria e re e ka intensifikuar punën në fushën e Drejtësisë Tranzicionale, sepse janë inicuar disa iniciativa e procese që tash mbetet të shihet për impaktin që do ta kenë. Si pjesë e shoqërisë civile e cila ka dhënë kontributin e saj në këtë fushë, jemi aty edhe për të bashkëpunuar por edhe për të parë e kritikuar, kur duhet, rezultatet e politikat konkrete në mënyrë që ato politika t’i shërbejnë shoqërisë kosovare e cila edhe më shumë se dy dekada pas luftës vazhdon të vuajë pasojat e saj.

Lajme të ngjashme