Intervistë | Hoti: Nëse Serbia s`jep informacione të klasifikuara për të zhdukurit, BE-ja duhet ta sanksionojë - NACIONALE

Intervistë | Hoti: Nëse Serbia s`jep informacione të klasifikuara për të zhdukurit, BE-ja duhet ta sanksionojë

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti, ka bërë me dije se vetëm pas presionit të madh Serbia ka pranuar që në aneks të Planit të BE-së të futet çështja e të pagjeturve.

Ai ka thënë se Serbia ka rezistuar për ta shmangur këtë çështje nga marrëveshja.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hoti është shprehur optimist se më në fund do të lëvizet drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve.

Hoti ka treguar se deklarata që pritet të miratohet e obligon Serbinë që të jep informacioneve të klasifikuara për këtë çështje.

Ai ka vlerësuar se nëse shteti serb nuk e bën një gjë të tillë, Bashkimi Evropa si garantues i marrëveshjes duhet ta dënojë rëndë Serbinë.

Nacionale: Z. Hoti, në ankesin e marrëveshjes së Planit të BE-së, Kosova dhe Serbia janë dakorduar edhe për çështjen e të zhdukurave. Aty thuhet se palët janë pajtuar për të miratuar një deklaratë për të zhdukur. Çfarë do të thotë kjo?
Hoti: Bëhet fjalë për deklaratën e personave të zhdukur, në të cilën kemi punuar në Bruksel, dhe të cilën Serbia ka refuzuar në vazhdimësi ta pranoj që më shumë së 1 vit.
Në fakt kërkesat e Kosovës kanë qenë të shumta sa i përket çështjes së personave të zhdukur, duke i përfshirë edhe afatet kohore që brenda 12 muajve të marrë epilog zgjidhja e fatit të personave të zhdukur, ballafaqimin më të kaluarën dhe të tjera, por që fatkeqësisht disa herë kemi hasur në rezistencë të madhe në këtë pikë.

Nacionale: Aty thuhet se kjo çështje është urgjente. Kur pritet të fillojnë diskutimet për këtë çështje?
Hoti: E vërteta është që është arritur një marrëveshje në të cilën Serbia ka hezituar të nënshkruaj, por që tanimë e kemi një aneks dhe një marrëveshje ku si garantues e kemi Bashkimin Evropian.
Në kuadër të kësaj marrëveshje, në fakt në kuadër të aneksit në kemi arritur pas një imponimi të madh, të përfshijmë çështjen e personave të zhdukur si çështje e veçantë dhe me urgjencë.

Nacionale: Çka e obligon palët kjo deklaratë?
Hoti: Në të, përveç tjerash përfshihet marrja e informacioneve të klasifikuara nga Serbia, si dhe trajtimi i dinjitetshëm i personave të zhdukur me forcë.
Ne presim që kjo deklaratë tashmë të bëhet mandatare për të dyja palët, pas garancionit të BE-së, dhe të fillojmë punën pa humbur kohë, dhe shpresoj që më në fund po lëvizim drejt hapave konkret për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë.

Nacionale: Çka nëse Serbia nuk e miraton këtë deklaratë. Mund ta ketë ndonjë sanksion nga BE-ja?
Hoti: Ashtu siç shkruan edhe në piken e fundit të aneksit, mos përmbushja e të gjitha pikave të aneksit do të këtë pasoja direkte për shtetet nga Bashkimi Evropian, dhe në rast të refuzimit të Serbisë në përmbushje të detyrimeve të saj, BE-ja do të duhej të kushtëzoj dhe sanksionoj rëndë Serbinë për këtë.

Unë nuk besoj që Serbia ka vullnet politik për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur (aq më tepër kur i kemi dëgjuar dje intervistat e Vuçiqit), por unë besoj në atë që e quaj garancion Evropian.

Nacionale: Deri me tani ju keni zhvilluar disa raunde bisedimesh lidhur me ketë çështje në Bruksel. Sa besoni se Serbia tani do të sillet ndryshe?
Hoti: Është normale që politika e Serbisë të refuzoj, e para sepse qasja e tyre politike është e njëjta me atë të para 23 viteve, domethënë është e njëjta politikë dhe strukturë me atë të Millosheviqit, dhe sepse kjo në mënyrë direkte do të bëjë përgjegjëse për krime lufte Serbinë, dhe rrjedhimisht do të duhej të ballafaqohej më shumë dëme që i ka bërë popullit të Kosovës.
Për mua normale nuk është 'tolerimi' i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për të gjitha këto krime që ka bërë.

Lajme të ngjashme