Intervistë | Aliu: Me Qeverinë Kurti komunat po kanë vështirësi, po cenohet pushteti lokal - NACIONALE

Intervistë | Aliu: Me Qeverinë Kurti komunat po kanë vështirësi, po cenohet pushteti lokal

11 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ka treguar për problemet që po i kanë komunat në këtë mandat qeverisës. Ai ka vlerësuar se gjatë Qeverisë Kurti po mungon komunikimi i rregullt i pushtetit qendror me pushtetin lokal.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Aliu ka thënë se Qeveria po e rëndon punën e komunave duke cenuar autonomin e tyre.

Megjithatë, ai ka bërë me dije se takimi i të hënës në mes të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe kryeministrit Kurti ka qenë më premtues.

I pari i komunës së Ferizajt ka thënë se në këtë takim me Qeverinë janë pajtuar për zhbllokimin e të hyrave vetanake.

Takimi ka dalluar sepse jemi koncentruar në 7 pika që ia kemi paraqitur kryeministrit Kurti dhe ministrave që ishin prezent në këtë takim. Për disa edhe jemi dakorduar. Jemi dakordu që çështjet që kanë të bëjnë me të hyrat vetanake duhet të marrë zgjidhje meritore dhe që këto të hyra duhet të iu rikthehen komunave. Tash vetëm ka mbetur të përcaktohet një lloj modaliteti se si të procedohet tutje”, ka thënë Aliu.

Takimet e më hershme më kryeministri, sipas tij, kanë qenë takime formale dhe pa përmbajtje.

Ne kemi pasur takime edhe në të kaluarën, por ato takime kanë kaluar pa përfundime, pa konkretësi dhe pa zgjidhje të çështjeve të cilat ne i kemi ngritur. Edhe në takimet e kaluar kemi kërkuar që takimet tona mos të jenë vetëm takime fotografish, por takime që kanë përfundime dhe ju jepet drejtim çështjeve të cilat janë pjesë e agjendës se komunave, por edhe të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Aliu ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet t`i sheh komunat se aleat në përmirësimin e jetës se qytetarëve.

Deri me tani, sipas tij, komunat ia kanë dëshmuar Qeverisë së janë aleatë të ekzekutivit.

Ne ia kemi dëshmuar për të saten herë se jemi partneri më i mirë i Qeverisë së Kosovës, jemi aleati i tyre. Ne e kemi thënë edhe aty, se shumë nga kërkesat që lidhen me pronat në fakt ishin e vet kërkesat e qeverisë. Sepse nga vet ministrat që ishin në takim u prezantuan projekte që duhet të zhvillohen në komuna dhe ne shtruam pyetje se si mund ti zhvilloni ju këto projekte kur ne nuk kemi ku ti zhvillojmë ato projekte? Sepse nuk kemi prona”, ka thënë ai, duke shtuar se kërkesat e tyre janë dhe kërkesa të qeverisë.

Pra, në esencë kërkesat tona dalin që janë kërkesa të vet Qeverisë. Kërkesat tona duhet trajtuar me seriozisht, me përgjegjësi, me efikasitet dhe objektivitet të lartë. Pra, të vendosen në tavolinën e punës së Qeverisë për tu shqyrtuar dhe të këtë vendimmarrje”, është shprehur ai.

Aliu ka bërë me dije se tashmë është në vullnetin e Qeverisë plotësimi i shtatë kërkesave të komunave që janë paraqitur në takimin e të hënës.

Kur ekziston vullneti shumë lehtë bëhet edhe zgjidhja. Prandaj, duhet të ekzistojë ky vullnet i qeverisë, sepse është një sasi e madhe e mjeteve monetare për të cilat komunat do të humbin shumë nga projektet të cilat janë në kuadër të planifikimeve të tyre dhe po ashtu pjesë e kontratave të caktuara. Ne besojmë se qeveria do ta dëshmon këtë vullnet që ka dëshmuar në takimin e së hënës”, ka thënë ai.

Qeveria ta përmirësojë komunikimin me komunat

Kryetari i Komunës së Ferizajt ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta përmirësojë komunikimin me komunat.

Ai ka thënë se kjo do të ishte në të mirë të qytetarëve.

Besoj se kjo situatë mund të përmirësohet me komunikim, me debat, me dialog, çfarë ka ndodhur të hënën. Pra, duhet të ketë më shumë komunikim, në mënyrë që të marrin drejtimin e duhur çështjet të cilat ne i kemi përditshmëri të punës dhe angazhimit në kuadër të kompetencës lokale”, është shprehur ai.

Aliu ka thënë se do të ishte mirë që çështja të mos këtë nevojë të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

Në aspekt formal komunat nuk kanë mundësi ligjore që t`i adresojnë këto çështje në Gjykate Kushtetuese. Por, kjo gjë është paralajmëruar nga grupet parlamentare. Por, unë uroj që të mos ndodh kjo, por të bëhet një zgjidhje. Sepse po të shkoj çështja në Gjykatë Kushtetuese, do të marrë kohë dhe mjete do të vonohen”, është shprehur ai.

I pari i Ferizajt ka vlerësuar se zgjidhja e kësaj çështje është obligim i Qeverisë.

Ne po besojmë në vullnetin e mirë të qeverisë dhe jo në pingpongun e përgjegjësisë, në pingpongun politik të interpretimit të amandamentit që është për ligjin e ri të buxhetit, ku përshihet edhe pjesa e të hyrave vetanake”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Aliu ka treguar se me qeveritë tjera kanë pasur komunikim normal.

Në mandatin e kaluar kemi qenë shumë prej kryetarëve të komunave. Ne kemi punuar me katër qeveri. Kur kemi filluar mandatin në vitin 2017, kemi filluar mandatin me Qeverinë Haradinaj, pastaj me qeverinë Kurti I, pastaj është vazhduar me qeverinë Hoti dhe se fundi me Qeverinë Kurti II. Ne jemi mësuar të bashkëpunojmë me qeveri të ndryshme, por sigurisht se me këtë qeveri kemi pasur vështirësi më evidente për arsyet që po i diskutojmë. Me herët nuk ka pasur cenim të pushtet lokal, të kompetencave të pushteti lokal apo bartje të përgjegjësive që nuk janë në pushtetin lokal siç ishte çështja që ka të bëj me tatimin në pronë, që ne nuk e kishim kompetencë faljen e tatimit në pronë”, ka thënë Aliu.

Lajme të ngjashme