“Instrumentalizim i aseteve financiare”; “Asnjë projekt madhor me 2.7 miliardë euro buxhet”: Bilanci i Kurtit në pesë vjet
Qeveria në detyrë, nën drejtimin e Albin Kurtit, i dha njëanshëm dritën e gjelbër më 22 maj “Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0” – masë që, sipas opozitës, ekspozon edhe njëherë atë që e cilësojnë si korrupsion të pastër publik në prag zgjedhjesh. Ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, akuzuan qeverinë Kurti për dështim katastrofal në realizimin e projekteve madhore, ndonëse kishte në dispozicion 2.7 miliardë euro për investime kapitale, duke shpërdoruar buxhetin për blerje votasah.
Vendimi, të cilin Kurti e arsyetoi “me qëllim të mbështetjes së familjeve për të përballuar më lehtë barrën e rënduar të çmimeve të larta, që vijnë si pasojë e krizave dhe tronditjeve globale”, u mor vetëm pesëmbëdhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026, duke i zhveshur kështu masën nga çdo pretendim social dhe e nxjerr hapur si veprim elektoral, klientelist dhe të kalkuluar politikisht.
"Albini po i përdor paratë tona për të blerë vota"
Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajram i ktheu Lëvizjes Vetëvendosje sloganin e fushatës së – "Krejt për shtetin, shteti për krejt" – në akuzë ndaj vetë partisë, duke i akuzuar për shfrytëzim të fondeve publike ekskluzivisht për agjenda elektorale dhe klienteliste.
“Të gjithë kontribuojmë me taksa, mirëpo Albini po i instrumentalizon asetet tona financiare për të blerë vota,” shkroi Bajrami, duke kujtuar se inflacioni dhe barra e TVSH-së po u rikthehen qytetarëve në trajtë lëmoshe, si një kompensim për votën e tyre.
“Qe 6 vjet që LVV është në pushtet, qytetarët e kanë pa në baza ditore se shteti nuk është për krejt.Krejt paguajmë taksa, por Albini po i përdor paratë tona për të blerë vota. Krejt paguajmë çmime më të larta, 18% TVSH në doganë për 7 miliardë importe në vit, e tash një pjesë të vogël të atyre parave po ua ktheni qytetarëve në këmbim të votës.
Krejt paguajmë karburante të shtrenjta, por pushtetarët ecin me naftë të paguar nga buxheti i shtetit. Krejt paguajmë energji më shtrenjtë, por njerëz të afërt me pushtetin përfitojnë nga tregtia me energji dhe importi mbi një miliard euro. Krejt duam të marrin pjesë në tenderë për punë publike por kjo qeveri ka dhënë 1544 kontrata njëburimore. Krejt duam punësim me meritë, por shteti është mbushur me militantë e njerëz me aktakuza.” – shkroi ndër tjera Bajrami.
"Asnjë projekt madhor"
Ndërkohë që kryeministri në detyrë Albin Kurti lavdërohej mbrëmë gjatë prezantimit të planprogramit për rritjen e buxhetit, ish-kryeministri dhe kandidati për deputet, Avdullah Hoti, i kujtoi mungesën e projekteve madhore zhvillimore, pavarësisht shpenzimit të miliardave eurove në investime kapitale.
Sipas Hotit, qeveria Kurti ka shpenzuar 2.7 miliardë euro në kategorinë e shpenzimeve kapitale për periudhën 2021–2025, por sipas tij, nuk ka rezultate të dukshme që do ta arsyetonin këtë nivel shpenzimesh.
“I kanë shpenzuar 2.7 miliardë euro buxhet në shpenzime kapitale gjatë viteve 2021–2025, por nuk mund t’i përmendin tri projekte madhore të vetme që i arsyetojnë gjithë këto shpenzime”, ka shkruar Hoti.
Hoti ka renditur një sërë projektesh që, sipas tij, do të mund të arsyetonin këtë buxhet nëse do të ishin përfunduar apo së paku nisur. Në mesin e tyre ka përmendur Autostradën e Gjilanit, hekurudhën Prishtinë–Durrës, rrugën dhe tunelin Prizren–Tetovë, autostradën Prishtinë–Merdarë, lidhjen e dy autostradave ekzistuese përmes segmentit Lipjan–Shtime–Duhël, Aeroportin e Gjakovës, rrugët rajonale për Pejë, Podujevë, Mitrovicë e Gjakovë, si dhe centralin me gaz.
“Por, asnjë nga këto projekte nuk është përfunduar. Disa prej tyre as që janë nisur”, shkroi Hoti.
Sipas Hotit, përmbushja e këtyre projekteve ka qenë e mundur, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë të planifikimit buxhetor. “A ka qenë e mundur të përmbylleshin shumica e këtyre projekteve, ndërkaq disa prej tyre të ishin duke u realizuar? Absolutisht që po”, ka shkruar ai.