Importet shtyjnë deficitin tregtar drejt 2 miliardë eurove, pavarësisht rritjes së eksporteve
Deficiti tregtar i Kosovës vazhdoi të thellohet edhe ne katër muajt e parë të vitit 2026, pavarësisht rritjes së eksporteve. Për çdo euro që del nga eksportet, ekonomia vazhdon të shpenzojë shumë më tepër për mallra nga jashtë.
Sipas të dhënave të Doganës për janar–prill, importet arritën në 2.28 miliardë euro, ndërsa eksportet në 325.1 milionë euro. Si rezultat, deficiti tregtar u ngjit në 1.95 miliardë euro, nga 1.88 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Hendeku u zgjerua për 77.8 milionë euro, ose 4.1 për find.
Janar–Prill 2025 / 2026
Afër 2 miliardë euro deficit tregtar
Fatura e importeve u rrit me 127.4 milionë euro, ose 5.9 për find, krahasuar me janar–prill 2025. Janari nisi më dobët, me 423.6 milionë euro importe kundrejt 471.0 milionë eurove një vit më parë, por muajt pasues sollën rritje eksponenciale. Importet arritën në 538.0 milionë euro në shkurt, 647.1 milionë euro në mars dhe 671.0 milionë euro në prill.
Eksportet lëvizën më shpejt në përqindje, por nga bazë shumë më e vogël. Ato u rritën nga 275.5 milionë euro në 325.1 milionë euro, me shtesë prej 49.6 milionë eurosh, ose 18.0%. Kjo e përmirësoi mbulimin e importeve nga eksportet në rreth 14.3%, nga 12.8% një vit më parë, por raporti mbetet i ulët: ekonomia vazhdon të blejë nga jashtë rreth shtatë herë më shumë mallra sesa shet jashtë.
Në importe, Gjermania ishte origjina kryesore me 314.8 milionë euro, e ndjekur nga Kina me 306.0 milionë euro dhe Turqia me 261.0 milionë euro. Së bashku, këto tri vende përbënin afërsisht 38.7% të importeve. Rritjen më të madhe absolute e pati Kina, me 49.6 milionë euro më shumë se një vit më parë. Në anën tjetër, importet nga Maqedonia e Veriut ranë me 33.6 milionë euro, ndërsa ato nga Turqia me 30.7 milionë euro.
Struktura e importeve mbetet e përqendruar te produktet energjetike dhe konsumi i domosdoshëm. Produktet e tjera të naftës kryesuan me 183.4 milionë euro, pas një rritjeje prej 42.4 milionë eurosh. Energjia elektrike ishte e dyta me 90.4 milionë euro, por ra me 49.7 milionë euro. Pas tyre vijnë cigaret me duhan, barnat e dozuara për shitje me pakicë, shufrat e çelikut dhe autoveturat e përdorura me motor dizel.
Eksportet mbeten të orientuara kryesisht drejt rajonit dhe disa destinacioneve evropiane. Maqedonia e Veriut kryesoi me 55.9 milionë euro, Shqipëria pasoi me 47.7 milionë euro, pastaj Zvicra, Gjermania dhe Serbia. Pesë destinacionet kryesore morën rreth 60.7% të eksporteve.
Produktet kryesore të eksportit ishin energjia elektrike, pijet freskuese, dyert e dritaret, mbetjet ferrike, mobiliet prej druri, xeheroret dhe koncentratet e plumbit, si dhe grilat e rrjetat metalike.