Ikja nga Trump: Tërë bota në këmbë, Kurti i jep vetes kohë “edhe dy muaj” - NACIONALE

Ikja nga Trump: Tërë bota në këmbë, Kurti i jep vetes kohë “edhe dy muaj”

3 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Ka edhe 'dy muaj' kohë.

Omen aspak të mirë s’duket të jep kryeministri kosovar, Albin Kurti, me shtyrjen çdo herë e më shumë të dhënies së një qëndrimi dhe angazhimit për vendosje të kontakteve me administratën në ardhje në Shtëpi të Bardhë: atë të Donald Trump.

Para dy javësh na ftoi të jemi dyshues se Trump fiton zgjedhjet në rend të parë – anipse matjet në ShBA e jepnin republikanin si fituesin më real të zgjedhjeve.

Të shohim a fiton ai që s’dihet a fiton dhe a e zgjedh atë që s’dihet a e zgjedh”, qe lëshuar në rimologji para gazetarëve që donin të dinin për prospektin e marrëdhënieve të ardhshme mes Prishtinës dhe Uashingtonit; relacionet më jetike për vendin në aspektin e sigurisë dhe të qëndruarit në arenën ndërkombëtare.

Fitoi ai që dihej që fiton – dhe tash pritet të zgjidhet edhe ai “që nuk dihet a e zgjedh”: Fjala është për Richard Grenellin, zyrtarin amerikanë të sulmuar en-masse nga Lëvizja Vetëvendosje, e më së theksueshmi, që u rikthye nga mediat, komenti i bërë nga shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se rreth 80 liderë botërorë veçse kanë vendosur kontaktet me administratën në ardhje të Donald Trump, dhe me atë vet personalisht. Por, jo edhe Kurti...

Ka edhe 'dy muaj' kohë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë zhvilloi bisedë me Donald Trump, duke i shprehur “ngazëllimin e popullit serb” për fitoren e tij; duke ia kumtuar mbështetjen që ai ka pasur nga serbët – por edhe Serbia, që mbizotëronte bashkë me Hungarinë në mbështetje të Trump në kontinentin evropian.

Kurti sot u pyet nga gazetarët: pse ende jo?

I qëndroi diskursit zyrtar shtetëror që vendi karshi administratave amerikane qëndron bi-partizan: që çlirimi ka ndodhur gjatë qeverisjes së demokratëve (Bill Clinton) dhe është pavarësuar gjatë qeverisjes së republikanëve (George Bush).

Por, kontakt? Ende jo.

Ka edhe 'dy muaj' kohë.

Ne bashkëpunojmë me ShBA-në në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe sinqeritetin e seriozitetin tonë. Presidenti i ardhshëm i Amerikës, që është edhe president i kaluar, një letër urimi që pati dërguar, e ka vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore për raportet e ardhshme normale midis Kosovës e Serbisë”.

Këtu Kurti po i referohej letrave (drejtuar Kosovës dhe Serbisë) të ish-Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo (2019) – i cili s’do të jetë në administratën e re të Trump; ka i njoftuar zyrtarisht vetë ky i fundit në Facbook.

dhe ne dëshirojmë, jemi të gatshëm e të interesuar ta vazhdojmë bashkëpunimin, e ta thellojmë bashkëpunimin, që shprehet jo vetëm në aspektin diplomatik, por aspekti diplomatik është më kryesorëve”, tha Kurti.

Por..ka edhe 'dy muaj' kohë.

Kurti tha se marrëdhëniet aktuale po i kultivon me administrën aktuale që është aty edhe “dy muaj”.

Unë do të kisha veçuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë dhe energjisë. Do të kemi bashkëpunim e komunikim në të ardhmen, aktualisht bashkëpunojmë me administratën aktuale e cila do të jetë atje edhe më shumë se 2 muaj”, shtoi Kurti.

Bëj raporte zyrtare, shtetërore, kush i ka më mirë raportet me kënd nuk e di këtë punë, por duhet të presim, të japim kohë e të ecim përpara, ne punojmë me çdo administratë pavarësisht se cili kandidat fitoi e i cilës parti është”, tha ai.

Këtë e kemi traditë që na e kanë sjellur vetë Amerika, këtu do të kisha theksuar ardhjen e përfaqësuesve amerikanë në fund viteve 80-ta. Që prej atëherë nuk ka ndryshuar asnjëherë një qasje e tillë. Çlirimin e kemi në kohën e presidentit demokrat, pavarësinë në kohën e presidentit republikan”, tha Albin Kurti.

Lajme të ngjashme