IHK paralajmëron vërshime në rajonin e Dukagjinit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime në rajonin e Dukagjinit.
Përmes një komunikate dërguar mediave, IHK ka thënë se duke filluar nga sot pasdite dhe gjatë dy ditëve të ardhshme, pritet të ketë rreshje me intensitet mesatar të lartë, që do të jenë të përqendruar në pjesën perëndimore.
“Duke filluar nga sot pasdite (e hënë, datë.16/01/2023) dhe gjatë ditës së nesërme dhe pasnesërme (e martë e mërkure, datë.17-18/01/2023), pritet të ketë reshje me intensitet mesatarë deri në të lartë, të cilat do të jenë më të përqëndruara në pjesën perendimore dhe veriore të vendit, por gjatë ditës së nesërme ato do të përfshinë tërë vendin”, thuhet fillimisht në njoftim.
Tutje u apostrofuan edhe vendet ku mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve, përfshirë këtu shembje apo rrëshqitje të dheut.
“Në Dukagjin (Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Prizren, Klinë, Zubin Potok etj), mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve, fillimisht atyre të vegjël me karakter të rrëkeve të cilët zbresin prej viseve më të larta malore, duke pasur potencial për shembje apo rrëshqitje të dherave”.
