Nga certifikimi i rezultatit në KQZ te vota për Simiçin: Për tri ditë VV-ja dy herë lëshoi pe ndaj Listës Serbe - NACIONALE

Nga certifikimi i rezultatit në KQZ te vota për Simiçin: Për tri ditë VV-ja dy herë lëshoi pe ndaj Listës Serbe

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ndryshimi i qëndrimeve të VV-së ndaj Listës Serbe nuk ka të ndalur. Brenda pak ditëve partia e Albin Kurtit dy herë ka lëshuar pe në raport me subjektin politik kryesor të serbëve të Kosovës.

Derisa të hënën kjo parti ka votuar “pro” certifikimit të rezultatit të Listës Serbe në KQZ, të mërkurën partia e Albin Kuriti ka votuar në “kor” për zgjedhjen e Sllavko Simiçit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.

Të dy këto veprime më herët VV-ja i kishte kundërshtuar fuqishëm.

Ndonëse për këto procesi partia më e madhe në vend kishte zvarritur vazhdimisht procesin zgjedhor në KQZ dhe konstituimin e Kuvendit vitin e kaluar, në fillim të kësaj jave pa bërë asnjë zhurmë është pajtuar që të vazhdohet me procesin e formimit të institucioneve të reja.

Zyrtarët e kësaj partie nuk kanë dashur të flasin shumë për ndryshimin e qëndrimeve për Listën Serbe.

Ani pse para 10 dite e kundërshtuar shpalljen e rezultateve për kandidatët e Listës Serbe nga KQZ, të hënën anëtarët e kësaj partie në këtë institucion votuar pro certifikimit të rezultatit të kësaj partie.

Ndonëse nuk ka ndryshuar asgjë prej fakteve, anëtaret e VV-së në KQZ kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për rezultatin e 28 dhjetorit të Listës Serbe.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kanë ngritur duart për të votuar certifikimin e rezultatit për kandidatët e këtij subjekti politik, duke harruar votën e tyre kundër para disa dite.

Vetëm pasi kishte vulosur rezultatin e këtij subjekti politik në KQZ, Sami Kurteshi i VV-së u mundua të sqaronte qëndrimin e partisë së Albin Kurtit.

Të gjitha rezervat që i kemi pas për Listën Serbe, i kemi dhe vazhdojmë t’i kemi”, ka thënë Kurteshi.

Njëjtë kanë vepruar edhe në seancën e djeshme konstituive.

Të gjithë deputetët e VV-së kanë votuar për zgjedhjen e Sllavko Simiçit në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës. Në këtë votim ishte përfshirë edhe zgjedhja e nënkryetarëve tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Me këtë fakt VV-ja ishte pajtuar të martën, në mbledhjen e kryesisë së vjetër të Kuvendit, e cila ishte kryesuar nga ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.

Pas kësaj mbledhje ai kishte thënë se me këtë fakt janë pajtuar edhe partitë tjera.

Pas gjitha diskutimeve ka pasur një konsensus të plotë të të gjitha partive politike që ka ardhur si propozim i të gjitha partive politike. Propozimi i tyre ka qenë i qartë që të shihet në votim në pako, pesë nënkryetarët të votohen në pako. Ka pasur konsensus për votimin e kryetarit, votimin e pesë nënkryetarëve. Pastaj të vazhdohet edhe me votimin e Qeverisë, pastaj na presin edhe votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Basha.

Ndryshimi i qëndrimeve të VV-së ndaj subjektit politik serb po vlerësohen si popullizem.

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se partia e Albin Kurtit këto veprime po i bën për interesa të ngushta.

VV për muaj të tërë e bllokoi dhe vonoi certifikimin e rezultateve dhe konstituimin e Kuvendit, duke sulmuar, etiketuar dhe linçuar publikisht këdo që kundërshtonte narrativën e tyre populiste dhe demagogjike kundër Listës Serbe, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën. Këtë e bëri për interesa politike të momentit, ndërsa sot, pa asnjë kusht, ka pranuar të votojë kandidatin/en e Listës Serbe në paketë me kandidatët e partive të tjera – pikërisht ashtu siç ka funksionuar kjo praktikë në bazë të rendit kushtetues dhe vlerave demokratike që i kundërshtoi dhe i mohoi”, ka shkruar ai, duke shtuar se këto janë veprime populiste.

Kjo nuk është politikë, por populizëm në emër të nacionalizmit kur i konvenon, dhe kompromis “parimor” kur i duhet pushteti. Demagogjia politike nuk është patriotizëm, është dëm i drejtpërdrejtë për shtetin dhe për patriotizmin kushtetues, si vlera më e lartë politike dhe qytetare”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme