Hovenier pyetet se çka ndikoi në rënien e VV-së: Vendet e punës, ekonomia – këtë e thanë votuesit në sondazhe
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, i cili përfundoi detyrën në dhjetor të vitit 2024, Jeff Hovenier në një intervistë dhënë së fundi, ka komentuar mes tjerash edhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielen e kaluar dhe rënien e Vetëvendosjes.
Duke folur në “Atlantic Council”, diplomati amerikan ka theksuar se Vetëvendosje nuk mori numrin e nevojshëm për ta formuar qeverinë vetëm, dhe se një numër i madh njerëzish, shohin nga Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës për udhëheqje.
“Vetëvendosje dhe Albin Kurti deri më tani kanë marrë numrin më të lartë të votave, por nuk kanë marrë votat për ta formuar qeverinë vetëm.
Por pika tjetër që do të theksoja është se palët që kanë udhëhequr para Vetëvendosjes, qëndrojnë ende mirë te publiku kosovar. PDK-ja dhe LDK-ja, edhe pse PDK-ja doli pak më mirë, të dyja ishin rreth 20 për qind, që tregon se ka një numër të madh njerëzit në Kosovë që shohin këto parti për udhëheqje...” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.
Hovenier ka folur edhe për sinjalet e dhëna nga partitë politike rreth koalicioneve të mundshme:
“Çfarë kemi parë në këto zgjedhje, ka ende një numër të madh njerëzish që përkrahin Vetëvendosjen, por jo gjysma e vendit. Dhe koalicionet në politikë kanë qenë pjesë e Kosovës për një kohë të gjatë. Çfarë do të jetë interesante tani, është kjo rënie në përkrahjen ndaj Vetëvendosjes...si do të duket koalicioni, sa e vështirë apo e lehtë është. Në të kaluarën edhe njerëzit kanë pritur që palët të bëhen bashkë në çështjet kyçe për të mirën e shtetit. Por sinjalet nga të gjithë akterët janë se sjelljet e kaluara nuk pritet të ndodhin më”.
In Kosovo's elections, voters backed PM Kurti’s Vetëvendosje, but with less support—why? Can the opposition unite to take power? @IlvaTare talks to former US Ambassador @JHoven65 about what’s next for Kosovo and the US role in supporting its future. https://t.co/0HUgWiCk3C
— Atlantic Council Europe Center (@ACEurope) February 13, 2025
Çka ndikoi në rënien e VV-së?
Ish-ambasadori amerikan është pyetur nëse marrëdhëniet e tensionuara mes Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të kenë ndikuar në rënien e partisë së tij në këto zgjedhje.
Megjithatë, ai tha se sipas sondazheve që ka parë, qytetarët duan vende të punës, ekonomi të zhvilluar, shëndetësi e arsim.
“Është e vështirë për mua të them, sondazhi që unë kam parë sugjeronte se çështjet për të cilat votuesit ishin më të interesuar nuk ishin marrëdhëniet me ShBA, marrëdhëniet me BE, apo dialogu. Ishin vendet e punës, ishte ekonomia, ishte shëndetësia, edukimi, krijimi i një të ardhme ku gjenerata e re ndihet sikur ka një mundësi për të qëndruar, për të punuar, për të jetuar dhe të kenë sukses...Kjo duket të jetë ajo se çfarë thanë shumica e votuesve nëpër sondazhe” – u shpreh Hovenier, transmeton Nacionale.
Theksojmë se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në këto zgjedhje duke marrë 40.84 për qind apo 341 mijë e 672 vota.
PDK ka dalë e dyta me 22.05 për qind, apo 184 mijë e 499 vota dhe LDK e treta me 17.67 për qind ose 147 mijë e 827 vota.
Në vendin e katër, është renditur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.45 për qind apo 62 mijë e 309 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave të kandidatëve për deputet, ndërsa më pas do të numërohen edhe ato me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.