Hoti nga Rahoveci: Të jesh anëtar i LDK-së duhet të punosh me atdhëdhetarë e jo me agjentë të shërbimeve fatkeqe
Ish kryeministri e deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar nga Rahoveci, vendlindja tij, aty ku kjo parti po shënon 33 vjetorin e themelimit të kësaj dege.
Hoti nga qyteti i rrushit e verërave ka shkruar në lidhje me debatin e fundit që u shkaktua, pasi djali i ish veprimtarit Kolë Berisha, reagoi ndaj ushtruesit të detyrës së Agjencisë për Konfiskim të pasurisë Enver Rexhepi, i cili u pa përkrah ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, e për të cilin, u tha se ka marrë pjesë në arrestimin e keqtrajtimin e ish nënkryetarit të LDK-së, Kolë Berish.
Hoti ka shkruar se të jesh LDK, duhet të punosh me atdhetarë e jo me agjent të shërbimeve famëkeqe duke aluduar në ish agjent të UDB-së.
E plotë:
“33 vjet të degës të LDK-së në Rahovec — mirënjohje e përulje ndaj grave e burrave të Rahovecit me rrethinë që iu bashkuan Presidentit Rugova para 33 vitesh në rrugëtimin për Kosovën e pavarur. Urime të gjithë anëtarëve e votuesve të LDK-së nga të gjitha lokalitetet e Rahovecit.
Të jesh anëtar i LDK-së do të thotë të jesh pasues i Rugovës e jo i politikanëve mashtrues; të jesh gardian i shtetit të Kosovës e jo shkatërrues i tij; të thuash të vërtetën edhe kur të kushton shtrenjtë politikisht; të punosh me miqtë dhe të jesh mirënjohës ndaj tyre e jo t'i gënjesh e mashtrosh; të punosh me atdhetarë dhe profesionistë e jo me agjentë të shërbimeve fatkeqe e me batakçinjë e të paditur; të respektosh liritë individuale dhe besimin e secilit e jo fanatizmin e dogmat e çfarëdolloji; të respektosh përjekjet e secilit dhe mekanizmin e tregut social e jo kontrollin e shtypjen e biznesit dhe fitimeve të tyre.
Të jesh anëtar i LDK-së duhet të besosh në këto vlera me mish e me shpirt, edhe kur të shajnë e sulmojnë ty e familjen, edhe kur je në opozitë e edhe kur je në krye të pushtetit, edhe kur i merr 60% e edhe kur bie në 12%. Sepse e vërteta, e drejta dhe qasja dinjitoze gjithmonë mbizotërojnë, siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë.”
Kujtojmë se në reagimin e tij Visar Berisha (biri i Kolë Berishës) përmendi se Enver Rexhepi, në fakt ishte avancuar edhe gjatë pushtetit të LDK-së.
