Hipokrizia e VV-së: U ankua në PZAP për votat e LDK-së, por jo edhe për votat e Listës Serbe që i kontestoi Kurti
Standardet e dyfishta të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ardhur në pah edhe për zgjedhjet e 9 shkurti. Kjo parti dhe kryetari i saj kanë akuzuar LDK-në dhe Listën Serbe për manipulim të votave. LDK-ja, sipas VV-së, ka “prekur” votat me postë të diasporës, kurse Lista Serbe është ndihmuar direkt nga Serbia. Megjithatë, veprimet e LVV-së në raport me këto dy parti kanë qenë krejtësisht të ndryshme.
Partia në pushtet, akuzat ndaj LDK-së i ka shndërruar edhe në veprime konkrete. Kjo parti është ankuar në PZAP ndaj LDK-së, ku ka kërkuar anulimin e rezultatit të votave me postë dhe përsëritjen e këtij procesi. Kurse, në raport me Listën Serbe, partia e Kurtit nuk e ka ndërmarr asnjë veprim.
Ndaj subjektit politik serb, LVV-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim as pas pretendimeve të kryeministrit Albin Kurti se Serbia ka ndërhyrë në mënyrë flagrante për të ndihmuar Listën Serbe që t`i fitoi 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti të dielën në një konferencë për media ka deklaruar se kanë fakte të pamohueshme për ndërhyrjen e Serbisë në këto zgjedhje.
Në adresimin e tij ai ka përmendur aktorët dhe format e ndërhyrjes në këto zgjedhje.
“Organet tona të rendit, bazuar në dëshmitë e disa qytetarëve të komunitetit serb që tregojnë për ndërhyrje të drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, më 21 shkurt të këtij viti, kanë bastisur dhe mbyllur disa prej të ashtuquajturave “Qendra për çështje sociale” në katër komunat veriore, të cilat janë përdorur për të joshur apo shantazhuar votuesit nga radhët e komunitetit serb që të votojnë për Listën Serbe. Në këtë skemë të ndërhyrjes kemi identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë e joshtetërorë të Serbisë: Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq; Kryeterroristi Millan Radoiçiq; Drejtori i të ashtuquajturës zyra serbe për Kosovë, Petar Petkoviq; Agjencia e Inteligjencës së Serbisë BIA; Mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd; Lista Serbe; Struktura ilegale, përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, Qendrat Sociale, zyrat e pensioneve, MTS/Telekomi i Serbisë, si dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, ka thënë Kurti.
Me tej, ai ka treguar se në këtë ndërhyrje janë përdorur të paktën 10 metoda.
“1. Joshja financiare, përmes përfitimit të mbështetjes financiare prej 20.000 dinarësh ose rreth 170 euro, në baza mujore për të gjithë personat e moshës madhore që janë të papunë; 2. Kushtëzimi financiar, përmes rrezikimit të humbjes së beneficioneve financiare, aty bëjnë pjesë pagat, pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale e të tjera; 3. Përçarja e rivalëve të Listës Serbe; 4. Shantazhi e presioni për të mos mbështetur në asnjë formë subjektet e tjera përveç Listës Serbe; 5. Kërcënimi për t’u larguar edhe nga Këshillat e Vendvotimeve; 6. Regjistrimi i të ashtuquajturve “votuesve të sigurtë”, përkatësisht përpilimi i listave të caktuara si “votues të sigurtë” nga pikëpamja e tyre; 7. Transporti i organizuar i votuesve nga Serbia në Kosovë; 8. Organizimi i votimit kolektiv në qendra votimi; 9. Kontrollimi i votuesve gjatë ditës së zgjedhjeve në afërsi të qendrave të votimit; 10. Shenjëzimi i fletëvotimeve”, ka thënë Kurti, duke shtuar se kjo ndërhyrje është realizuar në tri faza: para fushatës zgjedhore, jatë fushatës zgjedhore, gjatë ditës së zgjedhjeve deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Edhe pas këtyre pretendimeve të shumta të kryeministrit Kurti, LVV-ja nuk e ka parë të arsyeshme që të dërgoi ndonjë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj Listës Serbe.
Një respekt të tillë partia në pushtet nuk e ka treguar ndaj LDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar të premten ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku kishte kërkuar anulimin e plotë të votave me postë dhe përsëritje të votimeve. Në dokumentin që kishte publikuar gazeta Nacionale, LVV-ja kishte vlerësuar se LDK-ja kishte marrë shumë vota me postë nga mërgata dhe pak në ambasada dhe konsulta. Kjo sipas Vetëvendosjen përbënë bazë të dyshimt për procesin zgjedhor. Në ankesën e tyre përmendet edhe fakti se disa kandidatë u votuan shumë, sikurse Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hysen Çekaj e Gazmend Muhaxhiri. Andaj Vetëvendosja ka kërkuar që procesi të anulohet krejt, e të votohet sërish nga fillimi me postë.
“Prandaj duke e dituar (kështu shkruan në dokument, dituar për ditur) që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin”, thuhej në ankesën e VV-së në PZAP.
Megjithatë, PZAP e kishte rrëzuar ankesën e VV-së për anulimin e rezultatit të votave me postë, duke e cilësuar ankesën në fjalë si të pasafatshme.