Hipokrizi e madhe: Tentojnë ta mbrojnë Kushtetutën ata që e kanë shkelur më së shumti - NACIONALE

Hipokrizi e madhe: Tentojnë ta mbrojnë Kushtetutën ata që e kanë shkelur më së shumti

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Hipokrizia e Lëvizjes Vetëvendosje ka prekur nivele të tjera këtë vërë. Pushteti aktual, që ka shkelur më së shumti Kushtetutën e Kosovës, po pretendon se po e mbron aktin më të lartë politik dhe juridik të vendit.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, nënkryetari Glauk Konjufca dhe zyrtarët tjerë të lartë të kësaj partie po tentojnë mbrojtjen e Kushtetueses nga gardiani i saj, Gjykata Kushtetuese.

Duke harruar se vetëm gjatë procesit të konstitutimit të Kuvendit kanë shkelur dy herë Kushtetutën, tani eksponentët e lartë të VV-së kanë ngritur zërin në mbrojtje të këtij akti.

Presioni i partisë në pushtet ndaj Kushtetueses për të mbrojtur Kushtetutën është shtuar pasi Lista Serbe ka dërguar për interpretim në këtë institucion çështjen e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komuniteti joshumicë.

Pas vendimit të Kushtetueses për të pezulluar punën e Kuvendit, zyrtarët më të lartë të VV-së kanë tentuar të ndërhyjnë në punën e kësaj gjykate, duke ju bërë thirrje gjyqtarëve që të respektojnë Kushtetutën e Kosovës.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshme të VV-së i ka përmendur shkeljet kushtetuese të qeverisë së tij.

Në tetë raste, me vendimet e tyre ka penguar nismat reformuese e qëllimmira të Qeverisë, duke i shpallur ato si antikushtetuese. Në plot herë vendimmarrja e tyre ka vonuar mbi një vit, mbi një vit, njëherë të vonojnë e pastaj të rrëzojnë. E nëse e llogarisim mesataren e tyre, Gjykata Kushtetuese është vonuar 329 ditë, pra afërsisht 11 muaj për një vendim të vetëm. Ndërkohë që Qeveria jonë vetëm me mbledhjet e Qeverisë, ka miratuar 2349 vendime për këtë mandat, pra mbi një vendim në ditë nëse e shpërndajmë në kohë, e Gjykata Kushtetuese ka nevojë mesatarisht 329 ditë apo 11 muaj për një vendim të vetëm. Ne kemi marrë si qeveri më shumë se një vendim në ditë e ata më shumë se 11 muaj për një vendim. E kur e marrin atë vendim është vendim zakonisht i mbrapshtë, e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira. A po e kuptoni se pse e kemi Gjykatën Kushtetuese të këtillë çfarë është ndërmjet mandatit që nuk po përfundon dhe mandatit i cili nuk ia nis”, ka thënë Kurti, duke përmendur edhe rastet tjera të shkeljes së Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese na e ka rrëzuar ligjin për vendosjen e çmimeve tavan. Një ndër ditët më të pikëllueshme, kur kam qenë më i mërzituri si kryeministër ka qenë 24 nëntori i vitit 2023. 24 nëntor 2023, kur na e rrëzojnë ligjin tonë për Çmimet Tavan për Produktet Bazë. Pastaj, na e kanë rrëzuar ligjin për Këshillin Prokurorial, ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Kodin Doganor dhe Akcizë, vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtares së bordit të OShP-së dhe së fundmi edhe Statutin e ShSKUK-së”, është shprehur ai.

Në të njëjtën mbledhje, edhe nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, ka kritikuar ashpër gardianin e Kushtetues.

Ai ka bërë me dije se kjo gjykatë nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës.

Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë Konjufca.

Këto qëndrime të VV-së ndaj Kushtetueses sot janë mbrojtur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një konferencë për media, ajo ka thënë se është normale që politikanët t`i kritikojnë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sa i përket sulmeve në përgjithësi, ta themi një gjë. Kushtetuta nuk e ndalon që ne të komentojmë vendimet e gjykatës, nuk ndalohet komentimi, as nuk ndalohet kritika, kritika profesionale. Normale. RKS është shtet ku garantohet liria e shprehjes, edhe lirinë për të mos u pajtuar me Aktgjykimit, përderisa i zbatojmë në plotni. Pyetje duhet të jetë a i zbatojmë? Të gjithë i zbatojmë. Mos të pretendojmë se ato janë shenjtëri, flasim për të gjithë – edhe ata nuk janë mbi Kushtetutën. Pra s’po flasim për shenjtëri. Është brenda normave demokratike”, ka thënë ajo.

Oponentët politikë akuzojnë VV-në për hipokrizi

Pretendimet e zyrtarëve të VV-së për mbrojtje të kushtetutës janë vlerësuar si hipokrizi nga njohësit e rrethanave politike dhe zyrtarët e partive politike.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, e ka vlerësuar si të gabueshme qasjen e Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ata që e kanë shkelur më së shumti Kushtetutën sot po pretendojnë ta mbrojnë atë.

Kur premisa është gabim, çdo gjë tjetër vazhdon gabim. Dhe në bazë të pikënisjes së gabuar shtrohen dilema të gabuara, dhe përfundojmë në konkluzione qesharake. Kështu pra dhezim debate "të zjarrta" se çfarë shteti apo shoqërie është Kosova, apo a ka veto apo jo një parti politike në konstituim të Kuvendit. Gjithë kjo energji e shpenzuar kot. Me paradoks që vret ku "mbrojtjen e Kushtetutës" po e bëjnë ata që e shkelën më së shumti. Apo, si Presidentja e heshtur, që flet veç kur ka nevojë të merr pak pjesë në përfitim të kredencialeve të tallava patriotizmit”, ka shkruar Deda.

Edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se qeveria e VV-së është ekzekutivi që më se shumti e ka shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Madje, ai ka ironizua me këtë fakt, duke thënë se zyrtarët e VV-së mund të krenohen me një gjë të tillë.

Drejtuesit e VV-së do të mund të thoshin: ‘Ne e kemi shkelur më shpesh Kushtetutën e Republikës së Kosovës se të gjitha qeveritë e mëhershme së bashku. Kanë qenë shkelje të domosdoshme’.”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme