Hill kur pyetet për Kosovën: Ka mbaruar koha kur një vend ankohej te ne dhe thoshte “Na ndihmo” - NACIONALE

Hill kur pyetet për Kosovën: Ka mbaruar koha kur një vend ankohej te ne dhe thoshte “Na ndihmo”

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-ambasadori amerikan, Christopher Hill ka deklaruar se “ka mbaruar koha kur vendet ankoheshin te ShBA-të apo ndonjë shtet perëndimor për t’u ankuar për fqinjët e tyre”, kur u pyet se çfarë qasje duhet të presë Kosova nga Administrata Trump.

Këto deklarata Hill i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, ku ka thënë se ka mbaruar koha kur një vend i Ballkanit ankohej te ShBA për një vend tjetër të Ballkanit.

Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo. Dhe çështja kryesore, sigurisht, është se në botë po ndodhin edhe gjëra të tjera. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe.

Sigurisht, e kuptojmë çështjen e Izraelit, problemin e madh me Iranin, që është enorm, çështjen e Gazës... dhe natyrisht për Evropën është çështja e Ukrainës dhe ajo që të gjithë po bëjmë për Ukrainën...” – citohet se ka thënë ai.

Hill ka shtuar se njerëzit duan të shohin modele bashkëpunimi në rajon, dhe jo vende që shkojnë të komuniteti ndërkombëtar e i thonë “na ndihmo”.

“Ndaj, mendoj se koha kur një vend i Ballkanit vinte te ne për t’u ankuar për një vend tjetër të Ballkanit, [ka mbaruar], sepse njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit, dhe jo një vend që shkon te ndonjë anëtar i preferuar i komunitetit ndërkombëtar dhe i thotë: Na ndihmo!– u shpreh diplomati amerikan.

Pyetur se a do të vazhdojnë ShBA-të të jenë aleatët më të fortë të Kosovës, Hill tha se kjo varet nga ajo që njeëzit në Kosovë duan ta bëjnë.

Mendoj se, deri diku, kjo varet nga ajo që njerëzit në Kosovë duan të bëjnë. Mund të them se këto çështje në Ballkan janë shumë komplekse, por kompleksiteti i tyre e tejkalon interesin e njerëzve për t’i kuptuar.

Të shkosh në SHBA dhe të thuash: “I kemi të gjitha këto probleme me fqinjët tanë”, njerëzit do të përgjigjen: “Shikoni, të gjithë kanë probleme, zgjidhini vetë” – ka thënë ai.

Ish-ambasadori amerikan në Serbi ka shtuar se pritet janë që mos të ketë nevojë për ndërmjetës dhe mbështetje gjithmonë në miq.

“Mendoj se pritjet janë që - pa pasur domosdoshmërisht ndërmjetës çdo ditë, pa u mbështetur gjithmonë në organizata joqeveritare apo miq - njerëzit të përpiqen vetë t’i zgjidhin problemet me fqinjët e tyre të afërt, sepse komuniteti ndërkombëtar, thjesht, është përqendruar në çështje të tjera.

Nuk po them që Ballkani nuk është i rëndësishëm. Siç e thashë, Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: “Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”.

Kosova, ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit, duhet vërtet të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë vetë problemet e saj” – tha Hill.

Lajme të ngjashme