Hile pas hile nga VV: Mburren për Gërvallën “në krah” të Blinken-it mbi çka ndërtoi Jahjaga e Qeveria Thaçi
Me një fotografi të Donika Gërvallës në krah të Antony Blinken-it u provua të amortizohej ajo çka është tashmë fakt i ngurt: tatëpjeta në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-ShBA. Gjashtë ditë vizitë në ShBA lideri më i lartë i shtetit, Albin Kurti dhe vartësja e tij, Donika Gërvalla, s’u pritën në asnjë adresë zyrtare të qeverisë amerikane në rrafshin bilateral: u takuan me diasporë shqiptare. Të vetmin zyrtar amerikan që takuan ishte Jim O’Brien-in që shoqëronte Miroslav Lajçakun...dhe atë në ambasadë të Kosovës në Uashington; e për më tepër për çështje dialogu Kosovë-Serbi.
Deputetja e Vetëvendosjes, Jeta Statovci, përvishi mëngën të paraqesë – kinse demantueshëm – që Kosova dhe ShBA janë në simbiozë: pretendim ky që ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është dashur disa herë të dalë të ndalojë si spin-doktorizëm të deputetëve të VV-së për gjoja marrëdhënie kurrë-më-të-mira bilaterale.
“Në krah me Amerikën. Gjithmonë përkrah saj. Në hap me të. Dje. Sot. Nesër. Në fund, histroai njeh aktet e liderëve të mëdhenj që nderojnë kombin”, shkroi ajo thuajse në panegjirik të Gërvallës.
Por, ka një hile edhe më të madhe në mburrjen ekstravagante të deputetes në fjalë: Gërvalla është aty për shkak të një ligji që Kosova e kishte miratuar para 10 vitesh – dhe mbledhja e Blinken-it ishte në nder të një 10 vjetori – e që Vetëvendosja kishte votuar kundër.
Fjala është për Ligjin për Ndalimit e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit: në kohën kur Kosova rrezikohej nga ekstremizmi fetar xhihadist. Vetëvendosja kishte votuar kundër me arsyetimet më bizare: se gjoja do të ndalohej në një të ardhme hipotetike po të shpërthente ndonjë konflikt në Luginë të Preshevës shqiptarët e Kosovës s’do të mund të luftonin atje.
Për më tepër ky ligj ishte sponzouar nga ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Saktësisht ky ligj do ta vendoste Kosovën prej partnerëve të parë në nismën e ShBA-së për një Koalicion Global për Mposhte të ISIS-it.
“Në vitin 2014, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën një përgjigje ndërkombëtare ndaj kërkesës së qeverisë irakiane për ndihmë kundër Daesh/ISIS, duke rezultuar në formimin e Koalicionit Global. Në vitin 2024, pesë vjet pas humbjes së Koalicionit Global të Daesh/ISIS në Irak dhe Siri, anëtarët e koalicionit nderojnë sakrificat e bëra nga ata që luftuan dhe vdiqën në Irak dhe Siri për të çliruar territore nga Daesh/ISIS dhe lavdërojnë Irakun për udhëheqjen e tij në Koalicioni”, thuhet në komunikatën e tashme të Koalicionit Global që u udhëhoq nga Blinken dhe ku mori pjesë Gërvalla.
Pra, 10 vjetori...
Për këtë ka reaguar edhe juristi Ehat Miftaraj, duke rikujtuar se çka ka qenë çka, dhe si e kishte kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.
“Partia në pushtet dhe partia Guxo meritat e kesaj fotoje dhe pranisë së Ministres Gërvalla pranë Sekretarit Blinken duhet adresuar se pari ish Presidentes Jahjaga dhe rolit të saj proaktiv dhjetë vite më parë për të grupuar Kosovën në një ndër shtetet e para për tu bërë pjesë e koalicionit ndërkombetar kundër ISIS të udhëhequr nga ShBA”, shkroi Miftaraj.
“Meritat i takojnë edhe ish Ministrit të Puneve te Brendshme Bajram Rexhepi i cili personalisht e ka udhehequr grupin punues per hartimin e ligjit per ndalimin e bashkimit ne konflikte te armatosura jashte territorit te Kosoves i cili u miratua ne prill 2015, si pjese e obligimeve qe shtetet anetare te koalicionit ANTI ISIS kishin marr per te luftuar kete organizate terroriste. Kush e ka kujtesën e shendoshe dihet qendrimi i LVV per kete ligj”, vazhdoi Miftaraj.
“Meritat iu takojne edhe shume lidereve e udheheqesve tjere te instutucioneve per kontributin e tyre per te perkrahur dhe mbeshtetur ShBA ne luften kunder ISIS, sigurishte brenda mundesive dhe kapaciteteve qe ka pasur Republika e Kosoves. Andaj, ShBA dhe Sekretari Blinken ne foton grupore me shume gjase ka nderuar dhe respektuar Republiken e Kosoves si shtet per rolin e saj ne aleance, si shenje falenderimi per kontributin dhe perkrahjen e te gjithe aktereve te perfshire nga viti 2014 e kendej”, përfundoi Ehat Miftaraj.