Haxhiu shfrytëzoi Facebook-un për të raportuar tentim dhunimin, vërshohet nga kritikat - NACIONALE

Haxhiu shfrytëzoi Facebook-un për të raportuar tentim dhunimin, vërshohet nga kritikat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë mbrëmjes së sontme konfirmoi një rast tentim dhunimi, ani pse më shumë dukej si një “goditje” tjetër për gjykatësit dhe prokurorët në këtë "luftën" e heshtur që mbretëroi mes ekzekutivit dhe gjyqësorit në tri ditët e fundit.

Ajo njoftoi se babai i një vajze i kishte shkuar në zyre, për t’i treguar se nëntë muaj më parë, vajza ishte pre e një tentim dhunimi, nga një i dyshuar që gjendet në liri, pasi nuk u dënua fare.

“Sot, prindi i një vajze 14 vjeçare, erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14 vjeçare. Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë!”, thuhej në postimin e ministres Haxhiu.

Ky veprim i shefes së dikasterit të drejtësisë në vend ngjalli reagime të shumta.

Zyrtarë të partive opozitare, aktiviste për të drejtat e grave e dikur anëtarë të VV-së hodhën kritika të panumërta ndaj Haxhiut, pasi sipas të njëjtëve, rastet e tilla duhet të lajmërohen tek autoritetet, e jo në rrjetet sociale.

Reagimet

Zyrtarja e PSD-së, Teutë Rrusta kritikoi Haxhiun, duke shtuar se është çuditshme se si ministrja i përgjigjet në “Facebook” dikujt që kërkon ndihmë për tentim dhunim.

Rrusta ironinë e vazhdoi me atë se është mirë përderisa nuk e ka postuar te “Network Prishtina” (grup ky lokal nga kryeqyteti ku postohen probleme të ndryshme shoqërore).

“Paramendo, dikush kerkon ndihmë për tentim dhunim ndaj një të miture, e ministrja e drejtësisë përgjigjet me një status në Facebook. Për pak me e qitë te grupi Network Prishtina. Tmerr.”, vazhdoi ajo.

Poashtu aktivistja për të drejtat e grave, Leonida Molliqaj, ka kritikuar këtë deklaratë të ministres Haxhiu.

Kjo qasje e ministres Haxhiu, sipas Molliqajt, mbjellë frikë e pasiguri tek të gjitha vajzat e gratë e Kosovës.

Ajo ka thënë se imagjinoni si do të përgjigjeshin policia dhe institucionet e tjera nëse dikush do t'i kërkonte ndihmë ministres dhe ajo do të vendoste ta raportonte në rrjete sociale.

Në anën tjetër, pak më kritik ishte ish-këshilltari i Kurtit, Durim Berisha.

Ky i fundit, shtoi se kur je ministër i drejtësisë, nuk poston në rrjetet sociale për të treguar se si ka ardhur një person për të ta shtjelluar ngjarjen, por i shkruan direkt Kryeprokurorit.

“Kur je ministër i drejtësisë, nuk poston në rrjete sociale se qysh ka ardhë X personi e ta ka tregu Y ngjarjen. Por i shkruan zyrtarisht Kryeprokurorit të Shtetit dhe kërkon nga ai me të njoftu për rrjedhën procedurale të rastit, me një gjuhë që nuk e cenon pavaresinë e atij institucioni.Qe dy vjet në pushtet e hala me mend te opozita. Garant i ka mbetë marak Albulenës me dal me protestu në protesten e para do dite, e po e mbulon këtë vakum shpirtëror me statusa në FB”, shkroi Berisha.

S'mjaftoi me kaq

Një anëtar i dikurshëm i VV-së, Korab Blakaj ka shkuar pak më tej.

Ai zgjodhi sarkazmën për të kritikuar postimin gjegjës të Albulena Haxhiut.

Blakaj tha se në një dasëm të 22 viteve më parë ishte dhunuar seksualisht nga dy gra.

Ky postim duket ta ketë nervozuar Haxhiun që replikoi shumë shpejtë, me ç'rast shtoi se qysh nesër do t’u drejtohet organeve për këtë tallje.

/Nacionale.com/

Lajme të ngjashme