Haxhiu insiston që kryeprokurori të tregojë cilin kryeministër e intervistuan në zyrë, Isufaj e mohonte
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk ka pranuar të tregojë se cili kryeministër është intervistuar në zyrën e tij.
Ajo ka thënë se për këtë duhet të pyetet kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj.
“Nuk mendoj që është në rregull, që një përgjigje që duhet ta merrni nga Blerim Iusfaj, ta kërkoni nga unë. Blerim Isufaj e di shumë mirë, se kush nga prokurorët kanë shkuar në zyrën e kryeministrit. Por s’flet për këtë. S’është korrekte dhe e drejt ndaj meje që të institoni që përgjigjen që s’po mund ta merrni nga Blerim Isufaj”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.
“Blerim Isufaj e di, ata prokuror, disa janë aty, disa janë larguar sepse janë kërcënuar dhe e kanë lëshuar Kosovën”, ka shtuar Haxhiu.
“E kam përmendur sepse jam pyetur. Ju lutem që të insistoni që të merrni përgjigje që janë të rëndësishme për qytetarët dhe Blerim Isufaj duhet ta japë këtë përgjigje, sepse thotë që ska informacione, por e di shumë mirë”, ka thënë ajo tutje.
Por, vetë Blerim Isufaj, kishte thënë se nuk ka pasur rast të tillë, pra që një kryeministër është intervistuar në zyrën e tij.
“Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë por unë nuk e di. Të paktën përderisa unë po bëhen 5 vite që jam kryeprokuror i kësaj prokurorie situata të tilla s’kemi pasur”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk po e sheh si refuzim për t’u intervistuar deklaratën e Kurtit që “prokurorët nëse kanë guxim, le të vijnë”.
Ajo në një konferencë për media e pyetur nga Nacionale, ka thënë se Albin Kurti është i pakorruptuar, dhe ftesa ndaj tij është skenar.
Haxhiu ka thënë se Kurti nuk po e refuzon ftesën për intervistim.
“Kurti nuk ka refuzuar të paraqes dëshminë e tij, ne kemi ngritur pyetje kur jemi pyetur për këtë çështje, që si është e mundur që rasti i rezervës shtetërore ka ndodhur vitin e kaluar, në gusht, dhe tek tani i bjen në mend Prokurorisë Speciale me ftu kryeministrin Kurti si dëshmitar. Në ditën kur kemi qenë duke bërë gati listën e kandidatëve, jemi njoftuar për një ftesë të tillë. Qëllimet dihen, e ka thënë mbrëmë kryeministri, e ka paraqitur Blerim Isufajn si regjisor që dëshiron të shihet Kurti teksa hyn në ndërtesën e Prokurorisë Speciale, e të thuhet se është ftuar për një aferë korruptive. Në qeveritë e kaluara ka lulëzuar korrupsioni, këtu kemi qenë e dimë si janë pasuruar. Kush është marrë me ata?”, tha Haxhiu, raporton Nacionale.
“Askush nuk mund të thotë që Kurti është i korruptuar, askush nuk mund të thotë. Dihet botërisht. Por ama, në të kaluarën ka lulëzuar korrupsioni, janë bërë milionera veç duke qenë politikan, dhe askush nuk është marrë me pasurinë e paligjshme të atyre që e kanë krijuar në kurriz të qytetarëve. Kurti nuk ka refuzuar dëshminë, ai ka propozuar disa data, disa ditë, disa orë për ta intervistuar në zyrën e tij. Ka pasur edhe në të kaluarën që prokurorët kanë shkuar në zyrë për të dhënë dëshmi për raste të ndryshme. Unë i di ato raste, i dinë edhe ata, le të flasin”, tha ajo.
Kurti ka insistuar se nuk do të shkojë për t’u intervistuar në Prokurorinë Speciale.