Hasani: Gjykata Kushtetuese tregoi kush e bllokoi Kuvendin, por duhej ta sanksiononte sjelljen e LVV-së - NACIONALE

Hasani: Gjykata Kushtetuese tregoi kush e bllokoi Kuvendin, por duhej ta sanksiononte sjelljen e LVV-së

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses ka qartësuar se kush e ka bllokuar Kuvendin e Kosovës, por konsideron se Gjykata duhej të shkonte më tej në sanksionimin e sjelljes jokushtetuese të partisë në pushtet.

"Ky aktgjykim ka treguar qartë se ku ka ngecur puna e Kuvendit dhe ka identifikuar në mënyrë të qartë momentet kushtetuese të bllokimit, të cilat lidhen me sjelljet e kryetarit të Kuvendit dhe të partisë së tij", ka thënë Hasani në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.

Sipas tij, "mënyra e administrimit të shortit ka qenë jokushtetuese" dhe Gjykata nuk ka konstatuar "asnjë shkelje kushtetuese në veprimet e 'Listës Serbe'".

Megjithatë, Hasani shpreh kritikë për atë që Gjykata ka lënë në fuqi zgjedhjen e Emilija Rexhepit si nënkryetare të Kuvendit nga komunitetet minoritare joserbe. "Duke 'amnistuar' zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi, Gjykata Kushtetuese ka 'shpëtuar fytyrën' e LVV-së, por njëkohësisht ka krijuar iluzione tek ata se, me presione terrorizuese, mund të fitojnë koncesione edhe në të ardhmen", thekson ai.

Hasani vlerëson se Kushtetuesja "me guxim të madh, ka thënë përfundimisht se deputetët kanë detyrim kushtetues për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, nëse duan të kenë një Kuvend të konstituar".

"Problemi ka qenë dhe mbetet tek sjelljet jokushtetuese, të përsëritura në vazhdimësi, nga partia e parë fituese e zgjedhjeve", thekson profesori i së Drejtës Ndërkombëtare.

Hasani konsideron se "gjendja është e qartë dhe e pastër si loti" dhe Gjykata "më nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje". Megjithatë, ai shpreh shqetësim se, ndryshe nga kolegët e tij në Kushtetuese, ai ka "frikë se kjo 'rashomoniadë' do të vazhdojë, me aktorë të njëjtë, me të njëjtën qasje dhe me të njëjtin qëllim".

Lidhur me pyetjen nëse Nenad Rashiq mund të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, Hasani është kategorik: "Rashiqi nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë, sot për sot, e përfaqëson partia 'Lista Serbe'."

Hasani kritikon gjithashtu atë që ai e konsideron si diskriminim kushtetues ndërmjet partive të shumicës dhe komuniteteve pakicë. "Gjykata duhet të qartësojë këtë diskriminim kushtetues mes partive të popullit shumicë dhe komuniteteve pakicë", thotë ai, duke pyetur pse pakicat humbasin të drejtën kur bllokojnë konstituimin e Kuvendit, ndërsa "shqiptarët nuk e humbasin këtë të drejtë".

Lajme të ngjashme