Hargreaves me Osmanin, një ditë pasi tha se vendimi i KQZ-së “dëmton marrëdhëniet me partnerët e ngushtë” - NACIONALE

Hargreaves me Osmanin, një ditë pasi tha se vendimi i KQZ-së “dëmton marrëdhëniet me partnerët e ngushtë”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, në një takim që u përqendrua te zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë bisedës Osmani ka theksuar se procesi zgjedhor duhet të zhvillohet “sipas standardeve më të larta demokratike”, duke nënvizuar se Kosova tashmë është “shembull” në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta.

Takimi është ndalur edhe te iniciativa e presidentes për lidhjen e një pakete marrëveshjesh strategjike me Britaninë e Madhe, që do të mbulojnë fushat e mbrojtjes, sigurisë, ekonomisë dhe tregtisë. Presidenca kujtoi se palët ishin dakorduar për këtë drejtim gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Prishtinë në prill.

Osmani ka shprehur gjithashtu “mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme britanike për Kosovën dhe qytetarët e saj”, duke vlerësuar rolin e Londrës si partner afatgjatë në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Hargreaves mbrëmë shkroi në Facebook:

“Jam seriozisht i shqetësuar për përpjekjen e fundit të aktorëve politikë për të penguar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore. Veprime të tilla rrezikojnë të gërryejnë reputacionin e fituar me mund të Kosovës si një demokraci multietnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë.

Shpresoj që Paneli për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore të vlerësojë sërish aplikimin e Listës Serbe për certifikim në përputhje me ligjet dhe rregulloret e Kosovës”, tha ai./

Lajme të ngjashme