Haradinaj: Takimet bilaterale me Serbinë duhet kushtëzohen me lirimin e Arbnor Spahiut
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar që takimet bilaterale me Serbinë të kushtëzohen me lirimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu.
Ai ka bërë me dije se Spahiu është kidnapuar nga shteti serb.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj iu ka bërë thirrje ish-ushtarëve të UÇK-së që t`i evitojnë udhëtimet përmes Serbisë.
“Arrestimi politik i qytetarit të Republikës së Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi akuza absurde tash e 1 muaj, është dëshmi e qartë se Serbia vazhdon të operojë me mendësinë e vjetër. Ky arrestim përbën një kidnapim të mirëfilltë nga shteti serb, më saktësisht nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit. Takimet bilaterale duhet të kushtëzohen me lirimin e pakusht të qytetarit tonë, i cili është kidnapuar nga shteti serb, më saktësisht nga Vuçiq. Serbia vazhdon me mendësinë e vjetër, duke shkelur çdo parim dhe çdo të drejtë njerëzore, duke u sjellë si shtet i vetë-kapur nga kasta e vjetër. Ju bëj thirrje të gjithë sektorit të sigurisë, atyre që kanë qenë dhe janë, ushtarëve të UÇK-së, të evitojnë udhëtimin përmes Serbisë”, ka shkruar Haradinaj.