Hapja e urës së Ibrit: Serbët protestojnë, Kurti përgënjeshtron Vuçiqin, KFOR-i i gatshëm për të mbrojtur mandatin - NACIONALE

Hapja e urës së Ibrit: Serbët protestojnë, Kurti përgënjeshtron Vuçiqin, KFOR-i i gatshëm për të mbrojtur mandatin

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit kanë nxitur reagime të shumta. Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq dhe serbët e Kosovës janë alarmuar nga gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për hapjen e kësaj ure.

Derisa serbët kanë paralajmëruar protestë kundër hapjes se urës, presidenti serb ka paralajmërua se ajo mund të hapet sot. Pretendimet e Aleksander Vuçiqit i ka përgënjeshtruar kryeministri Albin Kurti.

Në llogarinë e tij në “X”, Kurti ka shkruar se Vuçiq synon të krijojë një atmosferë frike dhe të shkaktojë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë.

“Me pretendimet e rreme se shqiptarët po marshojnë mbi urë, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq synon të krijojë një atmosferë frike dhe të shkaktojë një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë, duke kërcënuar se nëse ata nuk përgjigjen, Serbia do ta bëjë”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë me dije se planet për hapjen e urës janë paqësore.

“Asnjë shqiptar nuk po marshon mbi urë, siç pretendon ai rrejshëm. Të gjitha planet për hapjen e urës kanë synuar të nxisin ndërveprimin paqësor midis dy komuniteteve. Megjithatë, këto akuza të rreme shpesh janë pararendëse e një sulmi të planifikuar nga Serbia. Për sigurinë e të gjithëve, ata nuk duhet dhe nuk do të lejohen të hyjnë në territorin tonë”, ka shkruar Kurti.

Në këtë mënyrë kryeministri kosovar ka hedhur poshtë pretendimet e presidenti serb.

Pasi ky i fundit, ka akuzuar kryeministrin Kurti se me hapjen e urës po dëshiron të shkaktoi konflikt.

“Kurti po provokon sepse i mbaron koha dhe kërkon të shkaktojë konflikte para zgjedhjeve amerikane, jo për të pritur një ndryshim të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë, por për të na kthyer kundër NATO-s para kësaj. Është e vështirë për popullin tonë, por nuk është pasojë e politikës sonë, por e dhunës”, ka deklaruar Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, raporton “Nova”.

Ai ka thënë se Serbia do të jetë serioze në këtë aspekt.

"Ai është nervoz. Është e vështirë për njerëzit tanë në Kosovë, por pozicioni i tyre politik nuk është aq i thjeshtë sa, për shembull, dy vjet apo një vit më parë. Ne duhet të jemi racionalë, seriozë, të vendosur...”, ka thënë ai.

Presidenti serb pretendon se KFOR-i do ta ndalë hapjen e urës.

“Por shpresoj se nesër KFOR-i do të reagojë siç duhet, që në përputhje me atë që kanë thënë ditët e kaluara, do ta mbyllin urën dhe do ta parandalojnë pushtimin e shqiptarëve, sepse e pashë që (Agim) Bahtiri me urdhër të Kurtit tashmë kishte caktuar një kundërtubim si kundërpërgjigje ndaj tubimit serb në anën tjetër të urës...”, ka deklaruar Vuçiq.

Kurse, KFOR) ka përsëritur të martën qëndrimin e tij në lidhje më këtë cështje. Sipas misionit të NATO-s në Kosovë, çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

KFOR-i është shprehur i gatshme të veprojë pa hezitim në përputhje me mandatin që ka.

“Nuk do të hezitojmë të merremi me çdo zhvillim që mund të prekë stabilitetin”, ka vlerësuar misionit i KFOR-it për Radion Evropa e Lirë.

Këto reagime kanë ardhur pasi Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar do të testojë fillimisht kapacitete mbajtës të kësaj ure që qarkullimi mbi të është ndalur kohë më parë.

Kësisoj, Ministri e Infrastrukturës ka shpërblyer me tender me vlerë 9 mijë e 640 euro kompaninë IPE PROING SHPK për të përcaktuar kapacitete mbajtës të urës së Ibrit.

Kontrata mban titullin “Përcaktimi i kapacitetit mbajtëse të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Përzgjedhja e kompanisë fitues është bërë me 1 gusht 2024.

Vlera e parashikuar e kontratë ka qenë 9 mijë e 900 euro, ndërsa tenderi është dhënë për 9 mijë e 640 euro dhe kriteret për dhënien e tenderit ka qenë çmim më i ulët.

Lajme të ngjashme