Hamza i ashpër me Kurtin: Tallje me qytetarët të thuash se ke vota për qeveri, por jo për Kuvend - NACIONALE

Hamza i ashpër me Kurtin: Tallje me qytetarët të thuash se ke vota për qeveri, por jo për Kuvend

5 ditë më parë

nga NACIONALE

“Nëse nuk iu duhet ndihma dhe vota jonë fare të mos na pyesin.”

Kështu iu përgjigj kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe kandidati për kryeministër nga PDK në zgjedhjet e 9 shkurtit, Bedri Hamza, akuzave të Vetëvendosjes në dritën e ngërçit politik që ka paralizuar formimin e institucioneve të Kosovës.

Hamza e fajësoi drejtpërdrejt Vetëvendosjen dhe partitë në koalicion me të për dështimin e 29-të me radhë në përpjekjen për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si mungesë të vullnetit për marrëveshje.

Ai paralajmëroi për pasoja serioze nëse nuk formohen institucionet shpejt, sidomos në lidhje me afatin për miratimin e buxhetit deri më 31 tetor.

“Ne e dimë që më 31 tetor është dita e fundit kur buxheti i Kosovës duhet me u procedu dhe me u aprovu në Qeveri dhe me u aprovu në Kuvend. Paramendojeni këtë situatë dhe vendi të futet në vitin e ardhshëm pa buxhet të aprovuar [...] qysh i ekzekuton pagat, qysh i paguan pensionet, qysh i paguan obligimet?” – deklaroi Hamza.

“Këtu po shihet që partia, me partnerët e koalicionit, qëllimisht nuk është tu dashtë me e zhblloku situatën. Asnjëherë në të kaluarën nuk ka pasur rast kur kryetari i Kuvendit është zgjedhur pa marrëveshje politike. PDK-ja është shumë gjeneroze. Nuk po i thotë një, nuk po jep emra, pa kurrfarë kushti, pa kurrfarë kërkese, po thotë: 40 të tjerë, në përjashtim të atyre që kanë qenë pjesë e qeverisë, cilindo propozoje, unë ta votoj.” tha ai.

Ai shtoi se PDK-ja është e gatshme të ndihmojë pa vendosur asnjë kusht, por se bllokada nuk po vjen nga mungesa e mbështetjes opozitare, por nga vetë shumica.

“Nëse nuk të duhet ndihma dhe vota jonë, fare të mos na pyesin. Nëse i duhen numrat dhe përkrahja prej PDK-së, ne nuk po kufizohemi në një, dy apo tre. Nuk po japim emra sepse është në të drejtën e tyre. Por, prej 40 vetëve, nuk po e gjejnë një me propozu.”

Hamza e quajti “tallje me qytetarët” pretendimin e Kurtit se ka vota për formimin e qeverisë, por jo për kryeparlamentarin.

“Partia e parë e ka të drejtën, por e drejta vjen edhe me përgjegjësi. Nëse ke të drejtë ti me propozu kandidatin/en, atëherë ke edhe përgjegjësi me ia bë votat. Është absurd kjo lojë e fjalëve dhe është shumë e ulët. Me thënë ‘i kemi votat për qeveri, por s’i kemi votat për kryetar të Kuvendit’. Është tallje. Nëse i ke votat për qeveri, cila është arsyeja që ata s’po ua japin votat për kryetar të Kuvendit? Kurrfarë arsyetimi për këtë nuk ka. Prandaj, VV, me partnerët e koalicionit, është përgjegjëse për vonesën katërmujore të moskrijimit të institucioneve të Kosovës.”– shtoi ai.

Lajme të ngjashme